Gjyqtarja me tre mbiemra Irena-Gjoka-Maneku-Shpata Irena Gjokës largohet si zëvendëskryetare e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar pasi i ka mbaruar mandati.
Gjyqtarja Irena-Gjoka-Maneku-Shpata është akuzuar nga opozita se është dëbuar nga Greqia dhe se e ka fshehur këtë shkelje.
Po ashtu, ajo është shkarkuar nga kreu i opozitës, Sali Berisha, kur ai ishte president në vitin 1996. Megjithatë ajo u mor me dosjen e tij, në konflikt të hapur interesi.
Ndërkohë, GJKKO njofton se sot është kryer procesi zgjedhor dhe Erjon Bani është zgjedhur zv.kryetar i GJKKO-së. Nga 9 gjyqtarë që marrin pjesë në votim, Erion Bani u zgjodh me 6 vota, ndërkohë që 3 votat e tjera shkuan për kandidatin tjetër në garë Erjon Çela.
Njoftimi për mediat
- Më datë 24.03.2021 rezulton se znj.Irena Gjoka është zgjedhur si Zëvendëskryetare e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Sipas akteve ligjore dhe nënligjore mandati i Zëvendëskryetarit është tre vjeçar pa të drejtë rizgjedhjeje të menjëhershme. Prandaj, znj.Irena Gjoka i mbaroi mandati më datë 24.03.2024.
- Për këto arsye, Mbledhja e përgjithshme e gjyqtarëve të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar zhvilloi sot më datë 25.03.2024 procedurën për zgjedhjen e Zëvendëskryetarit të kësaj Gjykate. Në këtë mbledhje ishte i pranishëm edhe Zëvendëskryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor z.Ilir Rusi.
- Referuar kërkesave të nenit 26, pika 3 të Ligjit nr. 98/2016 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në R.SH.” si dhe të vendimit Nr. 7, datë 21.12.2018 “Rregullore për miratimin e rregullave për zgjedhjen e zëvendëskryetarëve të gjykatave” të Këshillit të Lartë Gjyqësor, që parashikojnë zgjedhjen e zëvendëskryetarit nga rradhët e gjyqtarëve të Gjykatës, pas procesit të verifikimit të përmbushjes së kritereve ligjore për dy kandidaturat e paraqitura, konkretisht gjyqtarët Erjon Bani dhe Erjon Çela, në prani të nëntë gjyqtarëve, Mbledhja e Përgjithshme vijoi me kryerjen e procedurës së votimit.
- Në përfundim, Z. Erjon Bani, rezultoi i zgjedhur me 6 vota, si Zëvendëskryetari i Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
- Në kushtet kur pozicioni i kryetarit është vakant, Z. Erjon Bani do të ushtrojë kompetencat e Kryetarit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, deri në zgjedhjen e kryetarit të kësaj gjykate nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.