Berisha: Edi Rama me bllokimin e rotacionit, de facto e ka nxjerrë Shqipërinë nga NATO-ja

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në fjalën e tij në tubimin qytetar duke folur për situatën politike në vend, deklaroi se, Edi Rama bllokoi rotacionin politik në vend dhe de facto e ka nxjerrë Shqipërinë nga NATO-ja.

“Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, ju qëndrestarëve të pamposhtur, misionarëve të dinjitetit, lirisë, shpresës.

Luftëtarë të paepur të kauzës së drejtë të shqiptarëve.

Një përshëndetje të përzemërt oratorëve për fjalimet e tyre, kushtuar, të dashur miq, mrekullisë më të madhe shqiptare pas pavarësisë, mrekullisë së lirisë më të madhe pas pavarësisë, anëtarësimit të Shqipërisë në NATO 15 vite më parë me datën 1 prill.

Ky ishte një moment kulmor në historinë tonë.

Ishte një moment historik në të cilin Shqipëria, një nga vendet më të pasigurta në Europë, anëtarësohej në aleancën më të fuqishme politike ushtarake të kohërave, aleancën më të fuqishme të paqes në Europë dhe botë.

Me anëtarësimin në NATO, PD realizoi një ëndërr të rilindësve tonë.

Një ëndërr të studentëve tanë, të rinisë sonë.

Realizoi një premtim, betim madhor të saj para shqiptarëve.

Ndaj dhe një mirënjohje e pakufishme ndaj të gjithë atyre që punuan me përkushtim, devocion për realizimin e këtij anëtarësimi dhe të gjithë miqve tanë në Europë dhe botë, në veçanti presidentit Xhorxh Bush për mbështetjen e jashtëzakonshme që i dha anëtarësimit.

Miqtë e mi, ne sot nderuam këtë ngjarje të madhe në 15-vjetorin e saj, në një kohë kur Shqipëria ka shkelmuar, ka braktisur vlerat, parimet, idealet e lirisë që bashkojnë kombet e aleancës më të fuqishme politike dhe ushtarake të globit.

Shqipëria sot është vendi i vetëm në të cilin, të gjitha pushtetet janë të përqendruara në një dorë.

Por NATO nuk është klub sulltanatesh, por NATO është klubi i vendeve të lira, sovrane. I qeverive të zgjedhura me votën e lirë të qytetarëve të tyre.

I qytetarëve që votojnë të lirë në dinjitet.

Kurse Edi Rama, Shqipërinë anëtare të NATO-s, e ka shndërruar në vendin në monist të Europës.

Në vendin që me monizmin e tij, shkelmon parimet universale mbi të cilat ndërtohet NATO-ja.

Edi Rama me bllokimin e rotacionit nga grabitja e votës së lirë të shqiptarëve, de facto e ka nxjerrë Shqipërinë nga NATO-ja.

Me anëtarësimin e liderit të partisë kryesore opozitare, ai është 10 herë më afër me Lukashenkon dhe Putinin se sa me udhëheqësit e vendeve anëtare të NATO-s, që respektojnë pluralizmin, respektojnë opozitën. Që besojnë se vendi i tyre do jetë shumë herë më i fuqishëm politikisht, ekonomikisht, ushtarakisht si një vend pluralist”, tha Berisha.

About Redaksia

Check Also

Zhupa: Rama po pengon reformën zgjedhore, ka frikë nga vota e qytetarëve

Deputetja e partisë demokratike Ina Zhupa, gjatë fjalës së tij në tubimin e mbrëmjes së …