Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla i ka dalë në mbrojtje kryeministrit Edi Rama për ta shmangur interpelancën e kërkuar nga kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, në lidhje me dokumentet e publikuara që implikojnë vëllain e kreut të qeverisë, Olsi Rama në laboratorin e kokainës në Xibrakë, për të cilin ka dorëzuar edhe padi në SPAK.
Gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, Bardhi i ka kërkuar Nikollës që ta fut interpelancën me Ramën në rendin e ditës për seancën plenare të së enjtes. Por, kjo kërkesa është refuzuar nga Nikolla, e cila ka mbajtur të njëjtin qëndrim si kreu i qeverisë, Edi Rama, i cili e refuzoi.
Nikolla: Interpelanca nuk parashikon çështje personale.
Bardhi: Çështjet që kam ngritur ndaj Kryeministrit, nuk janë çështje personale. Nuk kam interes se si shkon ai me vëllain e tij apo pse i ka vënë mbrojtje nga Garda dhe nga kush kërcënohet vëllai për t’u mbrojtur nga oficerët e Gardës?
Kujtojmë se Gazment Bardhi kërkoi në një interpelancë urgjente Kryeministrin Edi Rama, duke adresuar 3 çështje:
- A ka patur informacione nga shërbimet informative apo strukturat e Policisë së Shtetit, për shoqërimin e një familjari të tij me anëtarët e një organizate të strukturuar kriminale, apo për përfshirjen e vëllait të tij në këtë veprimtari kriminale? Nëse po, cfarë masash janë marrë. Nëse jo, a ka kryer verifikime dhe a ka kërkuar informacion, pas të dhënave të bërë publike edhe më parë?
- A ka kërkuar dhe marrë informacion pse i vëllai, person me lidhje të forta politike, është përdorues i të njëjtit automjet me targë AA653DM, që në kohen e planifikimit dhe aktivitetit kriminal të Laboratorit të drogës në Xibrakë, përdoret nga Olsi Rama dhe 3 anëtarët e tjerë të organizatës kriminale?
- Çfarë e lidhte Olsi Ramën me kreun e narko-organizatës dhe pse krerët e organizatës, bashkë me vëllain tuaj Olsi Ramën përdorin të njëjtin automjet në të njëjtën periudhë të planifikimit dhe ngritjes së laboratorit të kokainës në Xibrakë? Çfarë bën i vëllai me të njëjtën makinë, të cilën e përdor në të njëjtën kohë një organizatë kriminale e trafikut të drogës?