Roy Keane injoron Haland: Më duket si një lojtar i Ligës së Dytë

Ish-kapiteni i Mançester Junajtid, Roy Keane bëri një vlerësim të pamëshirshëm të performancës së Erling Halandit në barazimin 0-0 të Mançester Sitit me Arsenalin në “Etihad”.

Golashënuesi më i mirë i Premier Ligës u përball me një pasdite zhgënjyese kundër mbrojtjes më të mirë të kampionatit, gjë që e kufizoi atë duke bërë vetëm disa prekje topi në “Etihad”.

Megjithatë, Roy Keane beson se kjo paraqitje është tregues i cilësisë së përgjithshme të sulmuesit norvegjez në lojën e hapur dhe tha se loja e tij në këtë aspekt duhet të përmirësohet.

“Nivelet e lojës së tij të përgjithshme janë kaq të dobëta, dhe jo vetëm sot. Goditjet me kokë, apo çfarëdo që mund të jetë për sa i përket golit, janë më të mirat në botë”, tha ai për “Sky Sports” gjatë analizës së ndeshjes.

“Por për lojën e tij të përgjithshme për një lojtar të tillë, është shumë e dobët, jo vetëm sot. Mendoj se ai duhet të përmirësohet, sepse është pothuajse si një lojtar i Ligës së Dytë. Kjo është mënyra se si unë e shikoj atë, loja e tij e përgjithshme duhet të përmirësohet dhe do të ndodhë gjatë viteve të ardhshme. Ai ka pasur këtë lojë sulmuese fantastike dhe të shkëlqyer, por ai duhet të përmirësojë lojën e tij të gjithanshme”, shtoi irlandezi.

Haland jo vetëm që nuk arriti dot të kërcënojë mbrojtën dhe portën e “topçinjve”, por nuk arriti dot as të përfshihet në manovrën sulmuese të Mançester Sitit të dielën pasdite. 23-vjeçari pati vetëm 23 prekje topi gjatë ndeshjes, nuk bëri asnjë goditje në portë dhe zero pasime. Uilliam Saliba dhe Gabriel e kishin vendosur si në një morsë, duke i lënë shumë pak hapësirë manovre gjatë gjithë ndeshjes.

Pavarësisht se ai është golashënuesi më i mirë i Premier Ligës aktualisht, me 18 gola – dy më shumë se një treshe lojtarësh që e ndjekin – Haland është kritikuar për lojën e tij në mbështetje të skuadrës dhe shpërdorimet e rasteve të pastra që ka bërë këtë sezon.

Ai nuk ka arritur të shënojë në 12 nga 17 paraqitjet e tij të fundit për klubin dhe kombëtaren, ndërsa realizoi në nëntë nga 15 ndeshjet e tij të para në Premier Ligë këtë sezon.

Mançester Siti nuk shënoi gjithashtu gol në një ndeshje të Premier Ligës në “Etihad” për herë të parë që prej humbjes 0-2 ndaj Kristal Palasit në tetor 2021.

Përpara barazimit 0-0 me Arsenalin, “qytetarët” kishin shënuar në 47 ndeshje radhazi të kampionatit në shtëpi.

About Redaksia

Check Also

Ronaldo trondit Arabinë Saudite, nuk do të luaj për Al Nassr

Cristiano Ronaldo ka hyrë në një konflikt të hapur me drejtuesit e klubit Al Nassr …