Koncensionet e Ramës = abuzim i rëndë me paratë e taksapaguesve shqiptarë

Nga Bujar LESKAJ

Gjysma e shumës së dhënë nga taksat tona për koncesionet është nën hetim!

Në tetë vitet e fundit 2017-2024, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, sekti Rama në qeverisje u ka dhënë dhe po u jep oligarkëve të vet nga paratë e taksapaguesve shqiptarë rreth 86 miliardë lekë, ose 827 milionë euro, për 12 kontrata koncesionare që janë aktive.

Vetëm për këtë vit, pagesat për koncesionet dhe PPP-të aktive do të arrijnë në 14.3 miliardë lekë, ose 138 milionë euro. Këto pagesa përbëjnë nivelin më të lartë të regjistruar ndonjëherë në disbursimet e Buxhetit të Shtetit për koncesionet dhe PPP-të. Ato janë në rritje me 9.3 përqind, në krahasim me vitin 2023

Si rezultat i vëzhgimeve dhe problematikave të grumbulluara nga ndërkombëtarët në periudhën 2017-2022, klasifikimi i PPP-ve me nivelin më të lartë të rrezikut për ndikimin në buxhet u bë në Deklaratën e Bordit të Drejtorëve të FMN-së në 13 dhjetor 2022, pas vizitës së stafit teknik të Fondit në Tiranë dhe raportit që e shoqëroi këtë deklaratë.

“Projektet e keq-hartuara të Partneriteteve Publike-Private (PPP) për investime në infrastrukturë mund të pengojnë efikasitetin e investimeve publike dhe të bëhen shkak për të krijuar detyrime të mëdha, të cilat mund të dëmtojnë qëndrueshmërinë e borxhit” paralajmëroi FMN.

Sekti Rama në pushtet, i hipnotizuar nga dhjetra e qindra milionë eurot e përfitimeve okulte prej 12 koncesioneve dhe PPP-ve që gjeneroi në tetë vitet e fundit, nuk reagoi, duke injoruar totalisht kundërshtimet e forta nga institucionet financiare ndërkombëtare, dhe konkretisht nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, BERZH, etj.

Të gjitha këto institucione kanë kërkuar që të bëhej një analizë e qartë e kostove dhe përfitimeve te koncesioneve dhe PPP-ve, si dhe të ndalohej praktika abuzive e konsiderimit të ofertave të pakërkuara nga ana e subjekteve private, për koncesionet dhe PPP-të, praktikë të cilën e vijoi me kokëfortesi sekti Rama, deri në janar 2019, pavarësisht se kundër saj dhe kontratave problematike të koncesioneve dhe PPP-ve, institucionet ndërkombëtare kishin rreth tre vjet që shpreheshin.

Vitin e kaluar, shefja e Misionit të FMN-së për Shqipërinë, Yan Sun deklaroi me forcë në një intervistë se “Ne mbetemi të shqetësuar për rreziqet e PPP-ve, të vlerësuara në rreth 40% të PBB-së së vitit 2022, bazuar në vlerën e kontratave të projekteve ekzistuese dhe atyre në proces. Kuadri për koordinimin dhe menaxhimin e PPP-ve vazhdon të vuajë nga dobësi të mëdha dhe mbetet e paqartë se sa të zgjeruara janë rreziqet fiskale. Prioritet urgjent për Shqipërinë është përafrimi i kornizave të menaxhimit të PPP-ve dhe investimeve publike, si dhe integrimi i tyre i plotë në ciklin normal të buxhetit”.

Edhe sot mungon një analizë e qartë e kostove dhe përfitimeve të projekteve koncesionare dhe PPP-ve të sektit në qeverisje, ndërkohë që Rama nuk ka ndërmend as sot as kurrë, që t’i integrojë koncesionet dhe PPP-të e tij në ciklin normal të Buxhetit të Shtetit dhe detyrimeve që rrjedhin prej tij.

Të ndara sipas sektorëve, në koncesionet dhe PPP-të e tetë viteve të fundit të sektit Rama, pjesën e luanit me rreth 31 miliardë lekë, ose 298 milionë euro, ose 36 përqind të totalit, e kanë marrë dhe po e marrin katër koncesionet e shëndetësisë , sterilizimi, “check up”, laboratorët dhe dializa.

Sekti Rama ka dhënë dhe vijon të japë rreth 14 miliardë lekë, ose 135 milionë euro, ose 17 përqind të totalit të fondeve, për inceneratorët e Fierit, Elbasanit dhe Tiranës, edhe pse këta inceneratorë janë nën hetim, madje ai i Tiranës ndodhet edhe nën sekuestro!

Nga 12 koncesionet dhe PPP-të ende aktive, për pesë prej tyre, tre inceneratorët, checkup dhe sterilizimi, është hapur hetim zyrtar, me akuza që variojnë nga korrupsion, shpërdorim detyre e deri të pastrim parash. Ndërkohë ka nisur hetimi dhe për koncesionin e laboratorëve.

Shuma totale e dhënë dhe që pritet të jepet nga buxheti edhe gjatë këtij viti, për këto gjashtë koncesione për periudhën 2017-2024, është rreth 40 miliardë lekë, ose  mbi 384 milionë euro, që përbën afër gjysmën(47 përqind) e pagesave totale që janë bërë nga buxheti për të gjitha koncesionet dhe PPP-të aktive!

Kjo përbën “kryeveprën” e zezë korruptive të sektit Rama, diçka të pahasur më parë në komunitetin e shteteve që qeverisen nga ligji kudo në botë. Një qeveri e korruptuar si kjo e Ramës, ka dhënë 12 koncesione dhe PPP në tetë vitet e fundit, ku gjysma prej të cilave me gati gjysmën e vlerës së parasë publike të angazhuar dhe shpenzuar, ka përfunduar nën hetim dhe sekuestro!

xxx

Vetëm opozita e bashkuar dhe qytetarët mund t’i thonë “Ndal!” kësaj vale të jashtëzakonshme korrupsioni dhe abuzimi me paranë publike, me protestat e tyre të fuqishme përpara Bashkisë së Tiranës, emblema e metastazave të inceneratorëve të sektit Rama.

About Redaksia

Check Also

Meta: Dumani në shërbim skllavërues ndaj Ramës!

Presidenti i PL-së, Ilir Meta ka akuzuar drejtuesin e SPAK, Altin Dumani dhe prokurorët e …