Fjala e Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Flamur Noka në takimin e Opozitës së Bashkuar në Durrës
Jemi ne takimin ë dytë të opozitës së bashkuar.
Dua t’i uroj mirëseardhjen kreut të Partisë Lëvizja e Legalitetit dhe deputetit të saj, zotit Shpëtim Axhami dhe Petrit Doda, që iu bashkuan opozitës ë bashkuar, e cila ka një mision kombëtar për t’u përballur me këtë të keqe dhe për të çrrënjosur këtë të keqe që e ka emrin Rilindje.
Bashkimi i opozitës është një proces që nuk do të ndalet.
Bashkimi i opozitës është detyrë sepse vendi është në një emergjencë kombëtare, e shkaktuar nga korrupsioni masiv dhe nga krimi i organizuar që dominon vendin.
Jemi në momentin që nevojitet bashkimi i shumë aktorëve dhe faktorëve politikë që shohin Edi Ramën dhe qeverinë e tij si rrezikun më të madh të vendit.
Ne duhet ta kapërcejmë edhe animin ideologjik.
Ne jemi parti të djathta dhe të qendrës së djathtë, por ka edhe parti të majta, parti të qendrës që nuk mund të pajtohen dhe që e refuzojnë regjimin e Edi Ramës.
Ndaj dora jonë për ta duhet të jetë e shtrirë, dera jonë duhet të jetë e hapur.
Kjo opozitë duhet të përbashkojë të gjithë ata që kanë nevojë për ndryshim dhe duan të kontribuojnë për një Shqipëri ndryshe dhe jo për një Shqipëri ku të dominojnë investitorët strategjikë, që janë qeveritarët dhe familjarët e tyre, për një Shqipëri që dominojnë aktorët dhe faktorët e kokainës së Xibrakës apo për një Shqipëri të organizatës kriminale 5D që ka në krye Erion Veliajn.
Ne do të bashkojmë të gjithë ata që kërkojnë që Shqipëria të jetë ndryshe dhe që në Shqipëri të ketë drejtësi reale dhe jo drejtësi të re me regji.
E them këtë duke marrë parasysh vendimin e djeshëm të Kuvendit, të urdhëruar nga kreu i organizatës kriminale që quhet Rilindje, për të rrëzuar Kushtetutën.
Praktikisht dje u rrëzua Kushtetuta, u shkallmua Kushtetuta.
Kreu i organizatës kriminale, Edi Rama, dje drejtësinë e reklamoi para shqiptarëve si një instrument që kur i duhet, e përdor, kur nuk i duhet, e hedh në kosh.
Kur i duhet për të instaluar regjimin e tij autokratik, ai arreston liderin e opozitës pa asnjë provë, pa asnjë fakt dhe e mban të burgosur pa asnjë akuzë.
Ndërsa kur nuk i duhet, e shkelmon pasi nuk mund t’i cenojë ortaken e tij në aferë, Olta Xhaçkën.
Të gjitha këto elementet tregojnë se Shqipëria është në një rrezik kombëtar.
Ndaj bashkimi, përballja dhe gjunjëzimi i këtij regjimi është dhe do të jetë sfida jonë.
Në këtë aspekt, domosdoshmëria e punës dhe këmbënguljes tonë është të mundësojmë atë që është bllokuar prej 11 vitesh, mundësinë dhe shanset për rotacion politik.
Ndaj dhe reforma zgjedhore që do propozohet nga ana jonë, do të ketë synim. Një reformë zgjedhore që do krijojë kushtet për zgjedhje të lira dhe të barabarta dhe do të mundësojë rotacionin.
Nuk ka demokraci që funksionon pa mundësinë e rotacionit. Rotacioni është ai që mban gjallë demokracinë në çdo vend.
Ndaj këto do jenë objektivat tona.