Merr fund dominimi anglez, Haaland “tradhton” sërish City, Reali i falet penalltive

Në një mbrëmje të vetme, Anglia sheh t’i eliminohet edhe dy ekipet e fundit të mbetura në valle, Man.City dhe Arsenal, dy ekipet që në letër shiheshin si favorit. Ky eliminim “dopio” shuan përfundimisht ëndrrën e ishullorëve për të parë një ekip të tyrin në finalen e madhe të Wembley. Prej vitesh, Premier League kishte rrëmbyer skenën e madhe të Champions League, ku vetëm në 5 vitet e fundit arritën tre herë të sillnin “kupën me veshë” të mëdhenj në Angli.

Ka pasur edhe vite si ai i 2019 ku finalja ishte e gjitha britanike, si Tottenham-Liverpool. Më shumë se sa Arsenal, zhgënjimi ishte i madh për eliminimin e papritur të Man.City, kampionëve në fuqi. “Qytetarët” dolën të pamposhtur nga Madridi, morën një barazim 3-3 që i jepte një bonus të madh në ndeshjen e kthimit, por as kaq nuk mjaftoi.

Zhgënjimi më i madh, jo vetëm në sfidën me Real Madrid ishte Erling Haaland. “Bomberi” norvegjez nuk arriti të gjej prekjen fitues në këtë sfidë, u ndal në traversë, por shifrat e tij janë më të vërtetë zhgënjyes në të gjithë këtë edicion të Champions League. Haaland ka shifra mbresëlënëse në Champions, 41 gola në 39 ndeshje, por problemi i tij janë ndeshjet direkte. Në këtë fazë Haaland “zhduket”. Vetëm 2 gola ka shënuar në çerekfinale me Man.City, të dyja kundër Bayern Munich sezonin e fundit.

Reali eliminoi Manchester City me penallti. Takimi i mbajtur në Angli ishte mjaft emocionues, teksa nuk mjaftuan 90 minuta, pasi koha e rregullt u mbyll 1-1 (3-3 ndeshja e parë).

Los Blancos zhbllokuan llogaritë në minutën e 12-të, me anë të sulmuesit brazilian, Rodrygo. Me avantazhin në “xhep”, madrilenët preferuan të qëndrojnë në prapavijë, duke u zhvendosur kështu në gjysmë-fushën e vet.

Kampionët e Europës rritën ndjeshëm presionin dhe iu afruan disa herë golit. Haaland apo edhe Foden, vendosën në vështirësi portierin Lunin, por pa mundur dot të barazojnë shifrat.

Edhe në fillimin e pjesës së dytë u luajt e njëjta “muzikë”, me ekipin e Guardiolës që s’kishte asgjë për të humbur. “Drithërima” në stadium në të 46-tën, një gjuajtje e Grealish u ndal nga “gardiani” i mysafirëve. Barazimi i Manchester Cityt erdhi nga De Bruyne, i cili përfitoi pasi topi nuk u largua si duhet nga Rudiger.

As koha shtesë nuk prodhoi gol, pavarësisht rasteve. Nga pika e bardhë më i saktë u tregua Real Madrid, që festoi në fund.

About Redaksia

Check Also

Plas “bomba” te Reali, Vinicius Jr mund të transferohet në Arabinë Saudite

Gjigantët e La Liga-s spanjolle, Real Madrid, pritet të befasojnë me një transferim të madh …