Pse po largohen të rinjtë?! Papunësia në 2023 arriti nivelin më të lartë në Shqipëri

Papunësia afatgjatë te të rinjtë shënoi rritje të ndjeshme në vitin 2023, edhe pse tregjet e punës dhe sektorët e ekonomisë po importojnë punonjës të huaj për të përmbushur nevojat.

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, në fund të tremujorit të katërt 2024, papunësia afatgjatë te grupmosha 15-29 vjeç arriti në 14.3%, me rritje 2 pikë për qind në raport me të njëjtën periudhë të vitit 2023 (Shkalla e papunësisë afatgjatë mat papunësinë në lidhje me kohëzgjatjen e papunësisë).

Madje në tremujorin e tretë 2023, papunësia afatgjatë tek kjo grupmoshë ishte 15%, nga 11.9% në tremujorin e tretë 2022.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se papunësia afatgjatë te të rinjtë e moshës 15-29 vjeç arriti në nivelin më të lartë që nga viti tremujori i parë i vitit 2017.

Papunësia te të rinjtë po rritet teksa kjo grupmoshë po tkurret me shpejtësi nga rënia e lindjeve dhe emigracioni.

Shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë 15-29 vjeç ishte 22,0% në tremujorin e fundit të vitit 2023. Krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2022, shkalla e papunësisë për të rinjtë u rrit me 0,6 pikë përqindje. Ndërsa për grupmoshën 30-64 vjeç, shkalla e papunësisë ishte 7,9% në tremujorin e fundit 2023.

Pas pandemisë, prirja e papunësisë ka shënuar rritje te të rinjtë. Në tremujorin e fundit të vitit 2020, papunësia në grup-moshën 15-29 vjeç ishte 21,7%, ndërsa në tremujorin e fundit të vitit të kaluar arriti në 22%.

Nga viti 2019 deri në 2023, numri i të rinjve 15-29 vjeç ra me 94 mijë, ose me 13.7%, por nga ana tjetër, numri i të rinjve që kërkojnë punë është rritur dhe te papunët afatgjatë gjithashtu.

Anketa të tjera që kanë matur emigracionin potencial, kanë treguar se vështirësitë në punësimin e të rinjve janë shkaktari kryesor për emigrimin e tyre.

Gati 80% e personave që largohen nga vendi janë të rinj nën 30 vjeç dhe arsyet e largimit lidhen me përpjekjet për të përmirësuar gjendjen e tyre ekonomike./ MONITOR

About Redaksia

Check Also

Berisha për “Antena3 CNN”: Balla mik me Coldea, Agaçi ka firmosur kontratën që Coldea të jetë këshilltar i Ramës

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili një javë më parë zbuloi se ish-deputeti …