Afera “5D”/ Teliti: Veliaj refuzon kërkesen e këshilltarëve të opozitës për ngritjen e një auditi ndërkombëtar

DEKLARATË PËR MEDIAT E NËNKRYETARIT TË KËSHILLIT BASHKIAK TË TIRANËS, DORIAN TELITI: 

Kryetari i Bashkisë së Kryeqytetit Erion Veliaj, nuk zhgënjen kurrë.

Prej javësh Tirana dhe qytetarët e saj janë ngritur në këmbë, në protestë të vazhdueshme para godinës së bashkisë së Tiranës, për të kërkuar dorëheqjen e drejtuesit politik të grupit të strukturuar të krimit financiar 5D.

Të shumta kanë qenë kërkesat e përfaqësuesve opozitarë, këshilltarëve të zgjedhur, të dorëzuara nën rrethimin që policia e pushtetit i bën çdo të premte godinës dhe zyrës së Kryebashkiakut.

Të shumta kanë qenë thirrjet e qytetarëve dhe grupeve të interesit për drejtësi dhe ndëshkimin e çdo personi të përfshirë në këto afera klienteliste e korruptive me 100%-sha, të denja për çmimin Guinness.

Ditën e djeshme, në orën 17.00, patëm reagimin e parë nga ana e mazhorancës, e cila më në fund thirri në mbledhje Kryesinë e Këshillit Bashkiak të Tiranës.

Ju do pyesni: po cfarë ndodhi në mbledhje, çfarë përfundimi nxorët?

Përgjigja është e thjeshtë, morëm një PO të vetme jetime dhe shumë JO të përsëritura nga përfaqësuesit e Veliaj në Kryesinë e Këshillit Bashkiak.

Në këtë mbledhje të zgjeruar të Kryesisë, ku pas kërkesës time në cilësinë e NënKryetarit të Këshillit kërkova të ftoheshin në këtë mbledhje edhe drejtuesit e grupimeve të këshilltarëve, kërkesë e cila për hir së vërtetës gjeti mbështetje nga mazhoranca socialiste, nga ai moment e në vijim, ndonëse aspak të surprizuar, u përballëm me një seri të gjatë e të përsëritur të “JO, JO dhe vetëm JO” për çdo kërkesë të depozituar nga këshilltarët opozitarë gjatë javëve të fundit.

Ata i thanë JO kërkesës për mbledhje jashtë radhe / të jashtëzakonshme të Këshillit Bashkiak për të thirrur Kryebashkiakun dhe trajtuar, debatuar e nxjerre provat mbi aferën 5D. E qartë që ata kanë frikë të përballen me të vërtetat e hidhura.

Ata i thanë JO ngritjes së një komisioni të përkohshëm me karakter “quasi hetimor” për të investiguar së cilat hallka kanë ceduar e lejuar abuzimin me fondet e buxhetit të bashkisë. E qartë që ata nuk duan transparencën.

Ata i thanë JO kërkesës për kontraktimin e një auditi të huaj mbi të ardhurat dhe shpenzimet e bashkisë.

Ata i thanë përsëri JO, për të disatën herë, ngritjes së Komisionit të Përhershëm 4-vjeçar të Kontrollit Financiar, detyrim ky ligjor dhe i Rregullores së Brendshme të vetë Këshillit, konkretisht neni 36 siç jepet edhe në monitor, duke vazhduar të qënurit në shkelje të rregullores për të 10-in muaj radhazi nga dita e konstituimit të këtij Këshilli në qershor 2023. E qartë që ata nuk duan tja dine as për ligj e as për asgjë tjetër.

Gjithsesi, ne këshilltarët e opozitës nuk dorëzohemi. Askush nuk na pengon dot të kryejmë detyrën tonë për transparencë dhe përdorim të drejtë e ligjor të cdo qindarke të fondeve e burimeve publike.

Kryetari i Bashkisë dhe trupa e tij e këshilltarëve mund të thonë JO sa të duan, është zgjedhja e tyre të mos respektojnë e të shkelin detyrimet kushtetuese dhe ligjore që ngarkon cdo të zgjedhur vendor, por kutia e pandorës është hapur dhe e vërteta do të mbizotërojë e transparenca do të bëhet herët e vonë.

Ndaj, Partia Demokratike i bën thirrje çdo qytetari që ndihet i ofenduar, i keqtrajtuar, i nëpërkëmbur në dinjitet, i varfëruar në ekonominë e tij familjare, çdo sipërmarrësi që dita ditës rrezikon falimentin, cdo profesionisti të lirë të taksuar pandershmërisht, çdo fermeri të braktisur e çdokujt që ndihet i vjedhur, ti bashkohet protestës së thirrur nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, ditën e premte, ora 11.00 para Bashkisë Tiranë, për të kërkuar dorëheqjen e Veliaj, për të protestuar të gjithë bashkë për një Tiranë Europiane.

About Redaksia

Check Also

Berisha: Mafia ndërkombëtare është e tëra në mbështetje të Edi Ramës! Kjo e bën betejën tonë edhe dy herë më jetike

Kryetari i PD, Sali Berisha në fjalën e tij para qytetarëve në tubimin e përnatshëm, …