Gazetari italian: Si u zhduk emri i Olsi Ramës nga hetimet e grupit ta kokainës

Gazetari i RAI3, Giorgio Mottola zbuloi se si u arrit te investigimi që ka tronditur themelet e qeverisë së Edi Ramës. Gazetari italian, Giorgio Mottola, ishte i ftuari i Armela Ferkos në edicionin e mbrëmjes së djeshme në SYRI TV.

“Filloi sigurisht nga protokolli Shqipëri-Itali që na gjeti të befasuar të gjithë në Itali sepse na vuri para faktit të kryer. Papritur zbuluam se Shqipëria dhe Italia kishin nënshkruar një marrëveshje që do të devijonte një pjesë të emigrantëve drejt vendit tuaj. Dhe është një marrëveshje kjo që jo vetëm ka një vlerë për Italinë, por edhe në nivel evropian sepse sikurse e deklaroi PPE gjatë kongresit të fundit, ky model shqiptar, pra modeli i zhvendosjes së emigrantëve në vende të treta, mund të përdoret edhe nga vendet e tjera. Pra jemi përpara një kthese epokale.

Sigurisht kur bëhet një marrëveshje përpiqemi të kuptojmë se cilët janë palët. Nëse nga pala italiane, interesi ishte i qartë, që të prezantoheshin me zgjidhjen e çështjes së emigrimit përpara zgjedhjeve evropiane, pra nëse ishte e kuptueshme nga pala italiane interesi, që në fillim ishte shumë e ndërlikuar për të kuptuar se cili do ishte avantazhi për qeverinë shqiptare. Pra për një vend të bukur, por me shumë probleme. Kjo gatishmëri për të pritur një numër të konsiderueshëm, prej të paktën 36 mijë emigrantësh, na nxisin për të nisur investigimin për të kuptuar se cili është interesi i qeverisë Rama,” tha ai.

Gazetari italian theksoi se Engjëll Agaçi ka një rol kryesor në këtë marrëveshje, por edhe ka një fuqi të jashtëzakonshme në qeverinë e Ramës.

“Do të thosha që Agaçi ka absolutisht një rol qendror në të gjithë këtë ngjarje. Nuk e them unë këtë, e thotë një eksponent i rëndësishëm i qeverisë së Ramës, Taulant Balla. Që nga momenti që erdha në Shqipëri, e kuptova se përtej Edi Ramës, kishte një figurë shumë qendrore, që është Engjëll Agaçi. Nisa të bëj investigime për të dhe aty u hap një botë e tërë. Sepse pastaj zbulova që fuqia dhe pushteti i Agaçit brenda qeverisë Rama ka një rol qendror, sidomos marrëdhëniet e tij me Italinë janë të rrënjosura,” tha gazetari.

Sipas tij, kjo marrëveshje ka ardhur në një sfond të dyshimtë dhe të rrezikshëm pasi Agaçi ka qenë avokat i bosëve të rëndësishëm të krimit.

“Nga këto investigime dolën ca aspekte që nuk i njihte askush nga ne, sepse as në Itali, kushtet se si u arrit në këtë marrëveshje kanë mbetur tërësisht konfidenciale. Sepse ne dimë që Meloni u takua me Ramën në gusht, por nuk e dimë se kush ka marrë pjesë në këto negociata. Ne na u shit sikur Shqipëria po i bënte një nder Italisë, pra na u shit përralla e bamirësit.

Pastaj zbuluam se kishim të bënim me një marrëveshje që nuk zgjidh asgjë për problemin e emigracionit në Itali sepse vitin e kaluar kemi pasur një fluks prej 150 mijë emigrantësh, kurse në Shqipëri do vijnë vetëm 3 mijë të paktën për momentin.

Por është edhe më i kuptueshëm roli i Shqipërisë në këtë marrëveshje. D.m.th në ditën e marrëdhënieve mes organizatave kriminale italiane dhe shqiptare, gjithçka bëhet më e qartë. Mund të shohim edhe cili ishte roli i avokatit Agaçi në Itali, që ka qenë avokati i bosëve më të rëndësishëm në Itali, që kanë siguruar një trajtim të veçantë. Kemi zbuluar se ka pasur sinjalizime nga magjistratët dhe antimafia se si bosët e mafies italiane ekstradoheshin me lehtësi në Shqipëri, pavarësisht se në Itali kishin marrë dënime me 20 vite, kur vinin në Shqipëri shlyenin vetëm dy-tre vjet apo ndonjë muaj dhe më pas dilnin të lirë.

Kështu që u habitëm kur morëm vesh që avokati i këtyre bosëve ishte Agaçi,” tha gazetari.

“Shumë herë jam përpjekur të kontaktoj Edi Ramën dhe Agaçin. Provova disa herë, por pa marrë përgjigje. Dua t’u them se Italia dhe Shqipëria në këtë ngjajnë shumë, sepse edhe në Itali kam shumë vështirësi të marr intervista për çështje me rëndësishëm për opinionin publik,” shtoi ai.

Gazetari tha se ka prova absolutisht për këto që thotë për Agaçin. Sipas tij, historia e marrëveshjes për paktin e emigrantëve mund të bëhet e rrezikshme. Madje ka të dhëna për të tjera kampe refugjatësh në kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës.

“Ju shqiptarët duhet t’i shtroni pyetjen veten pse duhet kjo marrëveshje që në një distancë kohore mund të sjellë pasoja shumë të rënda,” tha gazetari.

Gazetari italian i RAI3, rrjetit publik italian, u shpreh i tronditur në intervistën për gazetaren Armela Ferko në SYRI TV, se si lidhjet e krimit kanë arritur në nivele kaq të larta në qeverinë e Edi Ramës. Ai thotë se emrin e vëllait të Edi Ramës, Olsi Ramës, si njeri i lidhur me kartelet e drogës, ia kanë dhënë magjistratët italianë. Ai tha se ka dokumente për këtë gjë.

“Nga dokumentet gjyqësore, nuk është se i gjeta unë, por janë magjistratë që i kanë gjetur emrat. Është një emër që m’u përmend që në fillim të investigimit. Disa magjistratë, që kanë punuar për vite të tëra në Shqipëri, i ishin referuar marrëdhënieve të vëllait të Edi Ramës me disa subjekte që i përkasin karteleve të drogës.

Më pas në Shqipëri kam gjetur edhe konfirmim të këtyre deklaratave, por gjithmonë kam pasur ngurrim dhe frikë për të përmendur emra që kanë të bëjnë me familjen e kryeministrit Rama.

Dhe më pas arrita të gjej dokumentet dhe për mendimin tim nuk ka keqkuptime, janë të qartë se tregojnë marrëdhëniet e Olsi Ramës me këto subjekte që janë dënuar për narkotrafik.

Vëzhgimi që më ka shqetësuar më shumë është se emri i Olsi Ramës nuk është përmendur aspak në hetime,” tha Giorgio Mottola.

About Redaksia

Check Also

7 familjet mafioze që u lajmëruan për arrestimet dhe loja e ndyrë e Dumanit për të shpëtuar Olsi Ramën

Sali Berisha Sot çdo opozitar pret me padurim fitoren ndaj një regjimi të pamëshirë, antishqiptar …