“Kalorësuesit” euro-atlantikë të pambrojtshëm!

Nga Gent STRAZIMIRI

“Është dh* nusja në kalë”, thonë shqiptarët kur duan të përkufizojnë një situatë të pashpresë, sa qesharake aq të shëmtuar e të pambrojtëshme.

Është një shprehje që duket sikur është krijuar për të përkufizuar pikërisht këtë dallgën e “kalorësizmit” euro-atlantik që ka përmbytur këtë vend të vogël në pikën më të madhe të hallit.

Në këtë vendin ku sa më shumë ulet dendësia e banorëve për metër katror, në ikje nga paudhësitë e pushtetit, aq më shumë shtohet dendësia e “kalorësve” në zyrat e pushtetit.

“Heraldikën” e kësaj “kalorësisë” shqiptare, e zbardhi RAI 3 në një reportazh pak minutësh, duke emërtuar secilin prej “kalorësve” me fakte dhe prova filmike, shkresore e dëshmi të gjalla, si shkaktarët e krijimit të një narko-shteti korruptorësh e të korruptuarish, në zemër të kësaj Evropës euro-atlantike.

Që ky vend po jeton ditët më të zeza në historinë e tij moderne, ky është një fakt që nuk kishte nevojë të na e tregonte RAI 3; as këtë, e as shkaktarët.

Reportazhi ama, ngre një pikëpyetje të madhe mbi mbështetjen aktive që narko-zyrtarët tanë marrin nga shtetet partnere në euro-atlantizëm dhe përfaqësitë e tyre të akredituara në Tiranë.

Mekanizmi është një rreth vicioz “pula vezën, apo veza pulën”, duke qenë se ambasadat në Tiranë drejtojnë gishtin drejt kryeqyteteve përkatëse sa herë u duhet të justifikojnë “çudinë” e radhës…

“Është porosi nga Washingtoni”, “Roma”, “Londra” a “Parisi”, thonë, dhe sigurisht që nuk gënjejnë.

Por e vërteta me gjasë është shumë më shumë se kaq, veçanërisht kur bëhet fjalë për individë me pushtet.

Të besosh se Presidenti Matarella u zgjua një ditë dhe vendosi t’i falë një “kalë” fshatarit shqiptar Engjëll Agaçi e ta bëjë “kalorës”, thjesht sepse kështu pati qejf, nuk është aspak e arsyeshme.

Po kështu Presidenti Macron për Edi Ramën apo ai Biden për Ardian Dvoranin e cilindo tjetër prej zullumqarëve që duhej të ishin në burg.

Emrat e të “kalorësueshmëve”, kryeqytetet i marrin si sugjerime nga përfaqësitë diplomatike, të cilat si qendra shërbimesh që janë, argumentojnë “shërbimet” dhe “shërbesat” që secili prej tyre ka kryer në favor në këmbim të “kalit” që duhet të marrë…

Kështu ka qenë e kështu do jetë gjithmonë, dhe jo vetëm në Shqipëri!

Në Shqipëri ama, si çdo gjë tjetër, kjo merr edhe më shumë nota komike sa më shumë shtohet tragjizmi i përditshmërisë.

Fjala vjen, i cilësuari si ambasadori i mafias në qeverinë Rama nga tv shtetëror Rai 3, Engjëll Agaçi, “kalorësohet” në të njëjtën godinë të këtij shtetit të RAI 3, nga e njëjta dorë që “kalorësoi” Arben Krajën, i cili nga ana e tij, “kalin” e merr sepse ka luftuar mafian dhe lidhjet e saj me politikën…(?!)

Në ceremonitë në fjalë, në krye të vendit nuk mund të mungonte Ardian Dvorani, “kali” i të cilit duke qenë amerikan nuk shoqërohet me titullin “kalorës”, por me titullin “kampion i luftës kundër korrupsionit”…(?!)

E gjithë kjo, në një vend që “kampionatin” e vetëm serioz ka garën për të shtuar korrupsionin!!!

“Kampionat” me beteja reale e të ashpra, madje me “viktima” mes qeveritarëve të tij…

“Kalorësia” euro-atlantike në këtë vend, ajo “pararoja” që do të duhej të udhëhiqte proceset demokratizuese, përbëhet nga individë të mirënjohur e recidivë si delinkuentë politikë e ordinerë apo edhe të dyja bashkë, madje me “eksperiencë pune” që në kohën e regjimit stalinist të të atit të Edi Ramës.

Në këto kushte, “Kali” që u dhurohet si shpërblim për shërbimet ndaj ambasadave, pavarësisht dëmeve që i shkaktojnë popullit të tyre, është një lloj “Rosinanti”.

Një simbol qesharak i “donkishotizmit” të atij që e ne e quajmë me respekt “faktori ndërkombëtar” apo “partnerët euro-atlantikë”.

“Kalorësia” në konceptin luftarak, është zgjidhja e problemit, është ajo forca që mezi e presin sepse ndryshon fatet e betejës, bazuar në aftësitë e integritetin e kalorësve dhe kualitetin e kuajve të tyre të zgjedhur.

Në realitetin shqiptar, kjo “kalorësia” dhe secili prej “kalorësve” janë dhj*rë në kalë… madje para se të hipin!

Ata janë problemi, armiku, arsyeja pse beteja bëhet gjithnjë e më qesharake, e shëmtuar e pahijshme, e pashpresë, e zgjatet e zgjatet pa fund…

Kjo i bën edhe “kalorësuesit” euro-atlantikë të pambrojtshëm!

About Redaksia

Check Also

Për një Parti Demokratike të madhe

Nga Luçiano BOÇI Vlera themelore e një Partie është liria e anëtarëve të saj. E …