Regjisori i njohur, Edmond Budina në fjalën e tij në protestën qytetare përpara bashkisë së Tiranës, tha se, ne qytetarë duhet të revoltohemi dhe nuk ka gjë që të na ndalë derisa ta largojmë këtë bandë mafioze.
Budina u bëri thirrje qytetarëve për mosbindje civile: Ai tha të mbyllen rrugët derisa t’i shporrim mafiozët nga pushteti.
“Dua që në emër të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit t’ju falënderoj për këtë qëndresë heroike. Shikojeni të dashur miq, këtu përballë ne kemi folenë e grenzave, folenë e mafiozëve, e hajdutëve që na vjedhin paratë tona prandaj ne jemi këtu për t’u treguar që e kemi me folenë e tyre të grenxave, me folenë.
I keni parë dhe të gjithë jeni dëshmitarë sesi dhe opinioni publik botëror po i nxjerr lakrat, po i nxjerr llumin këtij shteti mafioz, të lidhur em bandat, prandaj ne qytetarë duhet të revoltohemi dhe nuk ka gjë që na ndal derisa ta largojmë këtë bandë mafioze.
Jemi ne populli që vuajmë mbi kurriz ato që bëjnë këto mafiozë. Të mbyllen rrugët dhe të mbyllen dyqanet derisa këta të shporren, të ketë mosbindje civile derisa të largohen. Ne do përballemi siç jemi përballur në të gjithë këta vite. Kam thirrje edhe për vëllezërit tanë të policisë. Mos reagoni kundrejt qytetarëve, por mbroni të drejtën tuaj.
Shikoni çfarë rroge keni ju, e çfarë rroge kanë ata. Luftoni bashkë me ne, që të shporrim mafiozët nga pushteti. Protesta jonë të bëhet kombëtare, derisa të rrëzojmë këtë dhe të rrëzojmë edhe regjimin te Kryeministria. Te Teatri Kombëtar na tërhoqën zvarrë për të ndërtuar kulla atje, që të fitojnë disa kulla për disa kriminelë”, tha Budina.