SPAK, ose drejtësia që i “shijon” hajdutit

Nga Gent STRAZIMIRI

Ky, sot nuk duhej të kishte dalë në këmbë nga ajo derë ku hyri nëse në këtë vend do të kishte vërtetë luftë kundër pandëshkueshmërisë…

Ky, duhej të kishte dalë me makinë policie e me pranga në duar, për t’u magazinuar tek “313” në stivën e drejtorave që njëkohësisht ishin edhe “shtabi” i tij jo vetëm elektoral por edhe zyrtar e politik.

Kjo sot, kishte një rëndësi të paçmuar për të ruajtur paketimin e SPAK dhe të “reformës” me një rezultat minimalist, ku të paktën të mund të thuhej se vërtetë po i bien anash dhe po kapin vetëm “të sakrifikueshmit” politikisht, por gjithësesi “ata që bien në rrjetë, mbeten në rrjetë”! Sakrifikohen!

Kështu do të duhej të ndodhte, nëse ata që e krijuan dhe e përkrahin SPAK do të kishin dashur të godisnin të korruptuarit e pandëshkueshëm.

Mirëpo jo! Nuk kanë dashur këtë!

Kanë dashur thjesht një sopatë druvarësh të pa nder e të pacipë, që të shërbejnë si prerës “kokash”, pikërisht që të korruptuarit e të pandëshkueshmit, të vazhdojnë të sundojnë.

Madje, edhe kur janë kapur publikisht në mënyrë të pashpëtueshme, të pajustifikueshme, të pashpresë me duart në thesin e ndyrë të korrupsionit dhe favoreve…

E vërteta është se me SPAK dhe “drejtësinë e re”, është shtuar edhe një element kriminogjen tejet i fuqishëm në këtë vend me korrupsion endemik, sistemik, me mbështetje mediatike e diplomatike për shkak të ofertës së pakufizuar financiare të korrupsionit, që e çon në kufinjtë e të pamundurës mbijetesën e njeriut të ndershëm.

Pak rëndësi ka se çfarë ka ndodhur në ato 7-8 orë që Erion Veliaj kaloi në zyrat e SPAK.

Fakti që ai doli në këmbë nga ato zyra dhe hipi sërish në makinën e tij zyrtare, i lirë, tregon se ai vërtetë e ka shijuar, të paktën atë moment…

Nëse doni një bilanc të SPAK dhe “drejtësisë së re” deri tani është se Edi Rama dhe Erion Veliaj janë të lirë, të pandëshkuar dhe bëhen edhe më të pandëshkueshëm çdo ditë që kalon.

Në burg janë vetëm ata që i denoncuan pa pushim, me kurajo, me prova dhe fakte dhe ende vazhdojnë ta bëjnë.

“Shijimi” i ndejes së gjatë të Erion Veliajt sot në SPAK, është dëshmia e gjallë se SPAK ndjek “shijet”, “menunë”, “pajtën e ditës” të cilitdo që ende guxon dhe e mbron por, jo ligjin dhe kodet e Republikës e as të moralit “euro-atlantik”.

Nëse ligji që duhej të bënte drejtësi e t’i ndëshkonte u shkon pas “shijes”, drejtësinë do e bëjnë shqiptarët, se drejtësi herët a vonë do të bëhet!

Dhe afërmendsh do e bëjnë po sipas shijes…

KAQ!

About Redaksia

Check Also

Për një Parti Demokratike të madhe

Nga Luçiano BOÇI Vlera themelore e një Partie është liria e anëtarëve të saj. E …