Veliaj, si një investim i dështuar politik

Nga Erion DASHO

Erion Veliaj nuk është projekti politik individual i një djali ambicioz, të shkolluar jashtë, gojëtar dhe komunikues. Përkundrazi ai është një investimi i përbashkët politik i shumë aktorëve të fuqishëm dhe ndikues.

Dora e kuqe e MJAFT-it në fillimin e viteve ‘2000 u parapri nga një fushatë promovuese e paparë dhe e padëgjuar ndonjëherë më parë në Shqipëri. Gati me përmasat e një fushate elektorale, ajo përfshiu postera, fletëpalosje, media, spote, etj. Përpjekja për nisjen e lëvizjes MJAFT dhe mbajtjen e saj të sforcuar në vëmendjen e shoqërisë kushtoi miliona dollarë të financuara nga ambasada të huaja dhe donatorë të fuqishëm. Vetëm një vit pas themelimit, MJAFT-i mori edhe një çmim prestigjioz nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, arritje që e ëndërrojnë organizata me veprimtari dhjetëra vjeçare dhe arritje reale.

Pasi krijesa artificiale “MJAFT” nuk ngjiti dhe nuk arriti të prodhonte lëvizjen e pritur shoqërore, financuesit e saj vendosën ta shndërronin në parti politike, ndonëse kjo bie ndesh me shumë nga parimet e ndihmës dhe financimit të huaj në çdo vend normal. Madje edhe në një vend anormal si Shqipëria ka patur gjithmonë ndarje midis financimeve për shoqërinë civile dhe financimeve për forcat politike. Jo në rastin e MJAFT dhe Veliajt!

Partia G99 rezultoi as më shumë dhe as më pak se një flakë kashte. U krijua me zhurmë dhe pritshmëri të lartë në 2008-ën, u financua sërish bujarisht duke i mundësuar një fushatë mediatike të ngjashme me partitë e mëdha në zgjedhjet e 2009-ës, por përfundoi me më pak se 1% të votave. Sikundër lëvizja MJAFT para saj, edhe G99 mbeti një krijesë artificiale pa të ardhme.

Ndërsa për shumë analistë dhe komentues, rezultati zhgënjyes i 2009-ës u përkthye si dështim i projektit politik “Veliaj”, realiteti tregoi të kundërtën. Në vitin 2011, Veliaj e gjen veten sekretar të Partisë Socialiste duke braktisur lëvizjen dhe forcën politike për të cilat kishte investuar gati 10 vjet karrierë dhe miliona dollarë, euro, paundë, franga, etj., donatorësh “bujarë”.

Vazhdimi dihet, deputet dhe ministër në 2013-ën dhe kryetar bashkie në 2015-ën. Brenda partisë socialiste dhe rilindjes i konfirmuar pothuajse pa asnjë mëdyshje si numri dy i partisë, apo duke përdorur sistemin polpotian në hierarkisë, “Vëllai Numër Dy”.

Deri para pak javësh…

***
Afera e incineratorëve, afera 5D, afera e kullave dhe ndërtimeve, si dhe shumë afera të tjera më pak të njohura e kanë nxirë imazhin e Vëllait Numër Dy. Marrja në pyetje nga SPAK-u për një ditë të tërë pune është një prej treguesve më domethënës për shkarjen e tokës nën këmbë.

Borati i cili deri pak javë më parë vazhdonte nga mbronte ethshëm (sikundër ka bërë edhe me bashkëpunëtorë të tjerë të afërt me të cilët akuzohet për bashkëhajdutëri), ka hequr tashmë dorë nga mbrojtja publike.

Në kushtet kur mbështjetja politike duket e sfumuar, sot para drejtësisë shqiptare ndodhen të vetëm Erion Veliaj dhe financuesit e tij. Pyetjet që shtrohen janë:

A do ta braktisin projektin politik “Veliaj” financuesit?! A do të shkruhen ato dhjetëra milionë euro të investuara tek ky projekt si “investim i humbur”?! Apo shqiptarët do të shohin një Veliaj të ringjallur dhe të ringritur nga hiri si në 2011-ën?!

Përgjigjen e kësaj pyetje do ta japë koha, por shqiptarët duhet të kenë parasysh një gjë:

Një i vdekur nuk ringjallet dot dhe sot Veliaj është një i vdekur politik. As financuesit e vet të fuqishëm nuk mund ta risjellin atë në jetë, nëse tiranasit dhe shqiptarët qëndrojnë të vendosur në protestën e tyre të pakompromis.

Është koha që shqiptarët të dëshmojnë me forcë se e kanë flakur dhe nuk e pranojnë më me asnjë çmim projektin e dështuar politik “Veliaj”! Ndoshta ky qëndrim do të bindë edhe vetë financuesit e projekti se mungesa e skrupujve e ka një kufi…

About Redaksia

Check Also

Për një Parti Demokratike të madhe

Nga Luçiano BOÇI Vlera themelore e një Partie është liria e anëtarëve të saj. E …