Demokracia: vokacion, marrëveshje apo “mall” eksporti?

Pranvera SHEHAJ
Ted KOPLIKU 

Në historinë e njerëzimit, nga ligji i më të fortit, monarkitë e republikat antike, perandoritë apo regjimet feudale e totalitare, demokracia nuk ka qënë rregulli, por qartësisht përjashtimi i formave të qeverisjes së shoqërive. Regjimet jo demokratike patën një tërheqje të qartë sidomos në çerekun e fundit të shekullit të kaluar. Pas dy dështimeve, atij ushtarak totalitar të dy luftrave botërore apo atij ekonomik e ideologjik të komunizmit, demokracia mbeti si e vetmja rrugë e prosperitetit ekonomik dhe njerëzot. Garanci dhe shembull i kësaj rruge u bë Perëndimi me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili luante edhe rolin e rojtarit e madje eksportuesit të kësaj demokracie, me çdo çmim. Mbjellja e këtij sistemi politik në katër cepat e globit, pavarësisht realitetit historik e ekonomik erdhi si një premtim i fundit të të gjitha problemeve. Një premtim i këtij dimensioni mbart me vete edhe mundësinë e madhe për dështim.

Demokracia si sistem politik apo formë qeverisjeje rrjedh nga fuqia e njerëzve (popullit), i cili presupozohet të ketë pushtetin suprem dhe zgjedh ta ushtrojë atë drejtpërsëdrejti apo tërthorazi nëpërmjet një sistemi përfaqësimi i përcaktuar përmes zgjedhjeve të lira të mbajtura periodikisht. Demokracia është e tillë vetëm kur ajo ngrihet mbi dy shtylla: shtylla e parë është ajo që kufizon pushtetin, ndërsa shtylla e dytë është ajo që lejon popullin (demos) ta përdorë pushtetin (në verbin e Giovani Sartori dhe Robert Dahl, dy ‘shtyllat’ do të ishin dy ‘komponentë’ të demokracisë). Për t’u ekzekutuar demokracia si formë qeverisjeje, premisë të saj ka lirinë. Vetëdija e të paturit të pushtetit suprem lind dhe zhvillohet prej besimit të të qenurit i lirë për ta zhvilluar atë vetëdije dhe për ta ushtruar pushtetin e zotëruar.

Nuk mund të ketë demokraci pa liri. Besimi në pasjen e autoritetit të ushtrimit të demokracisë nga një shoqëri e bën atë shoqëri të ndjehet autore e triumfit apo dështimit të demokracisë dhe mbi të gjitha përgjegjëse për funksionimin ose jo të saj. Kjo lloj marrdhënieje mes të zgjedhurve dhe zgjedhësve kalon nëpërmjet lirisë për të zgjedhur, ushtruar, zhvilluar, mbrojtur, goditur, rrëzuar dhe ringritur sërish demokracinë. Kjo liri ndryshon nga mënyra se si ajo është fituar. Demokracia si nje proçes, ndryshe nga demokracia e eksportuar, liritë i fiton si nevojë e këtyre lirive. Ndërgjegjësim për rëndësinë e tyre. Në demokracitë e eksportuara këto liri përqafohen lehtësisht si kundërpërgjigje ndaj vuajtjeve që ka prodhuar mungesa e tyre. Si refuzim i shtypjes, duke pranuar të kundërten si shërim. Këto liri të pranuara si dhuratë shpesh janë keqkuptuar e për rrjedhojë humbur. Humbja e këtyre lirive nuk ka ardhur gjithmonë nga keqkuptimi i tyre apo si indiferencë, por shpesh si mospërballim i këtyre lirive. Ngritja e totalitarizmave të shekullit të XX shpjegohet nga sociologu dhe psikanalisti Erik From edhe si arratisje ndaj detyrës për të vendosur. Marrëdhënia me një regjim i cili vendos për ty e ka bërë të lehtë instalimin e këtyre regjimeve.

Vetëm kur një popull është i lirë për ta përqafuar demokracinë, është i aftë ta ngrejë ai demokracinë mbi themelet e vetëdijes të zgjedhjes që ka bërë, duke mos i qenë mirënjohës askujt veç vetvetes. Për koherencë të logjikës, nëse nuk i është askujt mirënjohës për ngritjen e një forme qeverisjeje demokratike të cilën një popull e zgjedh vetë me bindje të hekurt që nuk e lëkundin erërat e rastësishme të haluçinacioneve politike, i jep jetë, e rrit dhe e maturon vetë, nuk fajëson ai në rast të dështimit të saj askënd veç vetvetes. Një popull i lirë për të arritur këtë lloj maturie, është i vetmi i llojit të tij që mund të jetojë demokracinë me gjithë të mirat dhe limitet e saj.

Liria si premisë për demokracinë

Liria nuk është kupë argjendi a floriri që dhurohet në këmbim e si shpërblim. Që liria të reflektojë kuptimin që mbart, historia ka treguar se ka nevojë të derdhen ngjyra të shumta për të krijuar tablonë e saj, një tablo ku në përfundim e kuqja ka vendin e saj. Nuk ka liri që vjen nga negocimi, as liri që vjen nga mirëkuptimi sepse pushtimet e çfarëdo lloji, prej atyre klasikeve të një shteti mbi një tjetër deri tek ato modernet të pushtimit të institucioneve të demokracisë, nuk mund të zgjidhen vetëm përmes negociatave, shkëmbimeve apo përuljes reciproke. Nuk ka nevojë për negociatë kur nuk ke frikë nga kundërshtari, apo më keq nuk e konsideron atë fare. Magjia e demokracisë është të ulesh të negociosh dhe të pranosh edhe mendimin e atij që nuk ka forcë të imponohet, por për të arritur deri tek kjo magji, imponimi i këtij regjimi demokratik nuk vjen nga mirëkuptimi.

Fundi i çdo pushtimi, përpara se të nënkuptojë rimarrjen e një toke të pushtuar, apo institucioneve të sunduara nga kasta të caktuar makutërish politikë, nënkupton rimarrjen e dinjitetit. Dinjiteti, si etalon i krenarisë së individit, familjes e më pas kombit, s‘mund të rimerret duke i shtrirë dorën përdhosësit të tij. Dinjiteti i përdhosur si dëshmi e mungesës së lirisë, rimerret vetëm duke mos patur frikë nga ngjyra e kuqe në tablonë e lirisë. Por, ky nuk nuk është leksion që mësohet, edukohet, imponohet a përforcohet. Ndjeshmëria për të kuptuar se liria mungon duhet të jetë thirrje e brendshme e një shoqërie dhe mbi të gjitha produkt i një reflektimi intelektual kolektiv. Thirrje që provokon instikte njerëzore reagimi, të cilat nuk ka gjuhë të drunjtë diplomacie e politike që i moderon. Një shoqëri e ndjen se nuk është e lirë, andaj asesi nuk mundet t’i mësohet a thuhet se nuk është e tillë.

Kur prona të zaptohet, ti e ndjen si detyrim ndaj trashëgimnisë dhe mundit të të parëve. Kur dinjiteti i punës të kërcënohet, ti e ndjen në egon tënde. Kur tryeza të boshatiset, ti e ndjen në stomak. Shkurt, nuk mësohet ndjenja, ajo jetohet, përjetohet dhe është përtej të natyrshmes ta ndalësh. Si çdo ndjesi, nëse edhe ndjesinë e mungesës së lirisë e moderon, e dirigjon, e zbut, e drejton apo deri edhe e ndal, do të thotë se ajo nuk po dhemb e nuk ka dhembur mjaftueshëm. Marrëdhënia me lirinë ndërtohet vetëm nga mënyra se si ajo ka ardhur në jetë, se si një shoqëri e ka krijuar vendin në mesin e saj, prandaj ajo nuk mund të qëndrojë gjatë kur vjen si një mik i paftuar. Por, a mund të eksportohet demokracia?

A eksportohet demokracia?

A eskportohet premisa e demokracisë, liria e për rrjedhojë demokracia vetë? “Në kuptimin më të vërtetë liria nuk mund të dhurohet, duhet të arrihet”, thoshte Roosevelt në
Amerikën e viteve të tij. Duke ndjekur filozofinë e Roosevelt, dy janë mundësitë e deduksionit logjik: ose premtimi i shteteve të mëdhaja për t‘i falur liri popujve të vegjël e të pa konsiderueshëm në kuptimin ekonomik dhe gjeopolitik është marrosje utopike deri në mashtrim, ose, edhe kur dhurohet, liria zgjat fare pak dhe nuk shkruhet ajo në epilogun e librit të historisë së një kombi.

Demokracia në të gjithë dimensionet e saj, ose një pjesë të tyre, ka qënë jo rrallë herë në konflikt me vlerat kulturore, fetare apo historike të shoqërive ku është tentuar të implementohet. E pa aplikueshme ose e papranueshme ajo nuk ka pasur rezultatet e pritshme. Shpesh, vetë ideja e imponimit nga fuqitë e huaja nuk ka asgjë demokratike në vetvete, gjë e cila ka ngjallur rezistencë për shkak të mungesës së koherencës apo në raste të tjera kur ajo ka ardhur si dhuratë duke  u konsideruar si diçka që nuk mund të humbasë sërish. Për të gjitha arsyet e përmendura më lart tranzicionet demokratike janë shoqëruar me mungesë stabiliteti politik, ekonomik e social, dobësi institucionale apo pothuajse në të gjitha rastet me zhgënjim për shkak të pritshmërive të larta me të cilat ajo ka ardhur. Korrupsioni, dobësitë institucionale, mungesa e transparencës e demokracive të eksportiuara ka bërë që shumë shpejt qytetarët të humbasin besimin ndaj saj dhe efikasiteti të kompromentohet. Me gjithë dështimet e saj, aktorë të ndryshëm ndërkombëtarë, që përveç shteteve tashmë janë edhe organizatat ndërkombëtare, asnjëherë nuk kanë ndalur përpjekjet për promovimin e demokracive si “mall” eksporti. Nga dështimet spektakolare si Iraku, Afganistani e Libia, tek sukseset si Gjermania Lindore, Afrika e Jugut e Japonia, demokracia mbetet një “mall” që kërkohet dhe ofrohet.

Më optimist se Roosevelt, Kennedy besonte se “vala e së ardhmes nuk ishte pushtimi i botës nga një dogmë e vetme besimi, por çlirimi (liberation) i energjive të ndryshme të kombeve të lira dhe njerëzve të lirë”. E interpretuar, nëse stimuli për ta çliruar energjinë e një kombi mund të importohet, energjia jo. Ndjeshmëria dhe dëshira për të reaguar ndaj mungesës së lirisë, jo se jo.

Nuk shkon larg dyshimi nëse themi se e mundur është që utopia e premtimit të demokracive të eksportuara të jetë një prej shkaqeve përse autokracitë sot kanë fituar masivisht terren në dimensionin global, herë të moderuara (elektorale), herë të mbyllura e totalitare. V-Dem në raportin mbi demokracitë në botë të 2022 dëshmon se demokracia globale ka rënë në nivelet e vitit 1986, ku 72% e popullsisë botërore (5.7 bilion njerëz) jetojnë në autokraci (krahasuar me 46% në 2012) dhe 43% e popullsisë botërore jetojnë në vende që po shkojnë drejt autokracisë (krahasuar me 5% në 2012). 44% e popullsisë botërore jetojnë në vende me autokraci zgjedhore. A thua zhgënjimi ndaj një premtimi të madh të pa mbajtur është forcë e madhe shtytëse ndaj kahut të kundërt?

Ideja se liria dhe demokracia mund të eksportohen në të gjithë botën është një ëndërr e lashtë. Demokratët athinas, revolucionarët francezë dhe bolshevikët rusë, ishin të bindur se sistemi i tyre politik ishte mjaft i mirë për t’u dhuruar të gjithë popujve. Debati mbi eskportimin e demokracisë është i tipit ideologjik, i cili përball realistët (demokracia nuk mund të eksportohet) me idealistët (demokracia mund të eksportohet). Përshtatur në politikën e post viteve 2000, koncepti i eksportimit të demokracisë ia ka lënë vendin atij të “shtetformimit ndërkombëtar” (international state-building), nxitur më së shumti nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian, koncept i cili insiston në rolin rregullator të institucioneve ndërkombëtare dhe relativizimin e zgjidhjeve politike të brendshme, i njohur si ndërkombëtarizimi neo-wilsonian.

I shqipëruar: qeverisje mbi qeverinë. Ky koncept i shoqëruar mirëfilltazi me atë të eksportimit të demokracisë dhe vlerave liberale mori hov me administratën Bush në vitin 2005, i cili refuzoi radikalisht politikat e frenimit dhe të interesit vetjak shtetëror (që kishin prevaluar gjatë luftës së ftohtë) dhe hapi siparin e një politike të jashtme aktive dhe ndërhyrëse, në emër të lirisë së popujve dhe lirisë së tyre nga arbitrariteti i pushteteve.

Sa ka triumfuar shtetformimi ndërkombëtar dhe eskportimi i demokracisë, është përgjigje e marrë ndër shembuj si Afganistani, Iraku, vendet e Afrikës dhe në fund, Ballkani. Të gjithë këta shembuj me ndryshime të theksuara dhe nuanca deri në kontrast, bashkohen në dy pika: së pari, pavarësisht motivimit për ndërhyrje ndërkombëtare militare, ekonomike apo diplomatike, shtetformimi ndërkombëtar ka neglizhuar deri edhe injoruar faktorët e politikës së brendshme; së dyti eksportimi i demokracisë dhe shtetformimi demokratik është parë si një proces teknik administrativ i domosdoshëm, i cili nuk kërkon mbështetjen apo konsensusin e popullit respektiv.

Për t’iu rikthyer dy shtyllave mbi të cilat ngrihet demokracia për të qenë e tillë, shtylla e parë, pra kufizimi i pushtetit, buron nga të ashtuquajturat revolucione liberale të cilat i japin jetë shtetit të së drejtës dhe fizionomisë së tij juridike dhe institucionale. Shteti i së drejtës në tërësinë e tij mbron të drejtat themelore të individit nga arbitrariteti i pushtetit. Shtylla e dytë që i jep identitet demokracisë, buron nga të ashtuquajturat revolucione demokratike dhe konsiston ajo në përfshirjen e qytetarëve në ushtrimin e pushtetit, përmes formës më klasike siç është përfaqësimi, i cili buron nga zgjedhjet. Rënia e njërës shtyllë apo cungimi i njërës shtyllë e zhbën fytyrën e demokracisë.

Pyetja lind: nëse veçanërisht pas luftës së dytë botërore, të shumta janë shtetet që shtyllën e dytë, pra zhvillimin e zgjedhjeve, e kanë de jure e shpesh edhe de facto, sa prej tyre e kanë të fortë, të konsoliduar dhe të zhvilluar shtetin ligjor brenda tyre, pra shtyllën e parë?

Zhvillimi i zgjedhjeve nuk mjafton për ta quajtur demokracinë me fytyrë dhe emër si të tillë, e këtu theksojmë sërish se kjo është në sinkron të plotë me shumëfishimin e autokracive elektorale në mbarë globin. Eksportimi i demokracisë do të kërkonte eksportin komplementar dhe të pazëvendësueshëm të të dy shtyllave. Nëse detyrimi për zhvillimin e zgjedhjeve imponohet, e nëse bëhemi mjaftueshëm optimistë sa të mendojmë se jo vetëm imponohet detyrimi për zgjedhje, por imponohet dhe kriteri që ato të jenë të lira, të drejta dhe të pakompromentuara, a imponohet shteti i së drejtës?

Fruti i revolucioneve liberale, shteti i së drejtës dhe forca e tij juridike dhe institucionale nuk mund të imponohen, promovohen apo eksportohen. Së pari sepse me gjasa është më e lehtë të survejosh dhe të kërkosh zgjedhje të lira, pra të eksportosh një politikë elektorale se sa një gjyqësor të paanshëm që ruan nga arbitrariteti i pushtetit të drejtat themelore të individit si jeta, liria, dinjiteti. Më së shumti sepse ky i fundit nuk është çështje e imponimit kulturor, por varet tërësisht nga faktorë të brendshëm lokalë, të cilët pa u filtruar dhe pastruar paraprakisht vazhdojnë të mbërthejnë në tentakula shtetin e së drejtës. Së dyti, sepse nëse institucionet, qoftë edhe kur mishërojnë shtetin e së drejtës, janë të sponsorizuara nga faktorë të jashtëm, pra pronë e eksportuesit, ato mbesin jo të lira dhe në dhunim flagrant të demokracisë si koncept, vizion dhe sistem. Demokracia nuk mund të promovohet, ajo zgjidhet dhe formësohet me vullnet të lirë nga vetë populli zgjedhës. Kjo e bën atë, Demokraci.

Për t’ia lejuar deri në fund vetes luksin e guximit të të parit të së vërtetës në sy e pa patur frikë nga përgjigjja: A nuk është marrëzi ta besosh ende se në vende ku asnjëra prej dy shtyllave ia ka dalë të konsolidohet, do të bjerë prej qiellit të ndërkombëtarëve, pakëz demokraci? Aty ku ende nuk është eksportuar së paku politika elektorale, e aspak shteti i së drejtës, nuk ka si të japë rezultate koncepti i shtetformimit ndërkombëtar. Në fund, të dyja shtyllat e demokracisë, pranuam se burojnë nga revolucioni. A eksportohet apo promovohet revolucioni? As eksportohet, as imponohet e as dirigjohet. Revolucioni liberal dhe demokratik lind nga dhimbja e mungesës së lirisë. Nëse ende nuk ka lindur në vende si i yni, që dikujt i luten për demokraci, do të thotë se mungesa e lirisë nuk po dhemb mjaftueshëm, ose edhe më keq, liria për të vendosur tmerron.

About Redaksia

Check Also

Programi ekonomik i PD të diskutohet në Grupin Parlamentar, në Kryesinë e Sekretariatet dhe të miratohet në Këshillin Kombëtar

!Bujar LESKAJ Të gjithë departamentet e Partisë Demokratike të drejtuar nga Prof. Dr. Sali Berisha, …