“Reporterët Pa Kufij”: Liria e shtypit po kërcënohet nga politika

Organizata “Reporterët Pa Kufij” shpreh shqetësim për gjendjen e lirisë së shtypit në botë e cila sipas saj po kërcënohet pikërisht nga ata që duhet të ishin garantuesit e saj, autoritetet politike.

Nga Zëri i Amerikës

Në Indeksin i fundit vjetor Botëror mbi Lirinë e Shtypit hartuar nga kjo organizatë, vërehet se mungesa e vullnetit politik për mbrojtjen e të drejtave të medias po përshpejton rënien e lirisë së saj.

Gjetjet e Indeksit mbështeten në faktin se nga pesë treguesit e përdorur për të bërë renditjen përkatëse, më shumë ka rënë treguesi politik, duke regjistruar një rënie mesatare vjetore globale prej 7.6 pikë.

“Një numër shtetesh dhe autoritetesh politike në rritje nuk po e pëmbushin rolin e tyre si garant të mjedisit më të mirë të mundshëm për gazetarët si edhe të së drejtës së opinionit publik për të marrë informacion të besueshëm, të pavarur dhe të larmishëm. Organizata ‘Reporterët pa Kufij’ vëren një rënie shqetësuese të mbështetjes dhe respektimit të pavarësisë së media dhe rritje të trysnisë nga shteti ose aktorë të tjerë politikë”, thuhet në Indeksin e bërë publik në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit.

Indeksi e klasifikon nivelin e shtypit si “të mirë”, “të kënaqshëm”, “problematik”, “të vështirë” ose “shumë të rrezikshëm”.

Norvegjia renditet e para për të tetin vit radhazi, ndërsa tre vendet e fundit, me gjendjen më të keqe të lirisë së shtypit në botë janë Afganistani, Siria dhe Eritrea.

Në raport vërehet se “interesat politike krijojnë një atmosferë mbytëse për gazetarët në shumë vende kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian, si Bosnje-Herzegovinë (renditur e 81-ta), Serbia (e 98-ta) dhe Shqipëria (e 99-ta). Turqia (e 158-ta) vazhdon të burgosë gazetarë dhe të minojë median nëpërmjet censurës në median on line dhe kontrollit mbi pushtetin gjyqësor”.

Rënie e mëtejshme është shënuar në Europën Lindore dhe në Azinë Qendrore, ku liria e shtypit nuk është e garantuar dhe ku mediat përdoren gjithnjë e më shumë në fushata dezinformimi.

Shteti rus (renditet i 162-ti) ka vazhduar sulmin kundër gazetarisë së pavarur, ndërsa mbi 1,500 gazetarë janë larguar jashtë vendit pas agresionit rus ndaj Ukrainës.

Liria e shtypit në Ballkanin Perëndimor

Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë përballur me rënie të lirisë së shtypit, përveç Maqedonisë së Veriut, e cila ka shënuar përmirësim duke u renditur e 36-ta.

Serbia është radhitur e 98-ta, renditja e saj më e keqe në 22 vitet e fundit, që kur “Reporterët Pa Kufij” nisën publikimin e Indeksit Botëror mbi Lirinë e Shtypit.

“Gazetaria cilësore dhe fituese e çmimeve, e cila investigon krimin dhe korrupsionin, ndodhet e kapur mes lajmeve të rreme jashtë çdo kontrolli dhe propagandës. Ndonëse korniza ligjore është e fortë, gazetarët kërcënohen nga trysnitë politike dhe mosndëshkimi i krimeve të kryera ndaj tyre”, thuhet në raport.

Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi vlerësohen si vende ku gjendja e lirisë së shtypit është e “kënaqshme’. Maqedonia është përmirësuar me dy vende nga viti i kaluar, kur u rendit e 38-ta.

Mali i Zi radhitet në vend të 40, nga 39 që ishte vjet.

Bosnje Hercegovina listohet e 81-ta, 17 vende më poshtë se vitin e shkuar.

About Redaksia

Check Also

Proçedohet penalisht Tom Doshi