Kush ia ka “prerë veshët” SPAK-ut?

Nga Iva V.GRILLO

Besoj të gjithë e kanë vënë re ndryshimin e çuditshëm (të paktën në dukje) të tonit në komunikimin publik të Kryetarit të Bashkisë Tiranë në një hapësirë prej gjysmë ore, nga momenti që doli nga SPAK deri në fjalimin e tij në mbledhjen farsë online të Këshillit Bashkiak, me datë 30 Prill.

Toni i përulur, lutës, “bashkëpunues” herë si koleg e herë si inspektor i SPAK-ut- ku jepte dhe vlerësime mbi “inteligjencën” dhe “pyetjet e mençura të SPAk-ut”, i la vendin një fjalimi rrugaçeror dhe shantazhi të stilit mafioz ndaj atyre që ai i konsideron si kundërshtarë apo barrierë në rrugën e tij të zhvatjes së mëtejshme të kryeqytetit.

Në fakt të dyja tonet e mësipërme, ndonëse në dukje të ndryshme, sipas meje janë pjesë e së njëjtës medalje:

Permbajtja e deklaratës së tij tek dera e SPAK-ut ishte vërtetë një lajthitje institucionale ku në çdo vend tjetër do t’i kishte kushtuar karrierën politike çdo politikani, por krye-ekzekutori i Tiranës nuk është i lajthitur: ai i kujton SPAK-ut se ata janë produkt (e si rrjedhim “kolegë”) i të njëjtëve aktorë që lëvizin gurët e shahut në politikën shqiptare të paktën në dekadën e fundit.

Janë lojtarë (e si rrjedhim “kolegë”) të një realiteti virtual e propagandistik që u imponohet shqiptarëve si një gjellë bajate të cilën duhet t’a hanë me zor…

Janë anëtarë (e si rrjedhim “kolegë”) të “organizatës” që, sipas kryetarit të korruptuar të Bashkisë Tiranë, “i ka bërë kokën SPAK-ut”, ndaj si mund t’u kthehet SPAK-u atyre që i kanë bërë kokën?!

Ky është nënteksti i “koleg-llëkut” të Veliaj me prokurorët, një mesazh shantazhi i maskuar me një ton përulës e “bashkëpunues”.

Ndërkohë toni e kodet e tij prej mafiozi në mbledhjen farsë të Këshillit Bashkiak tregojnë se ai fuqinë e merr në pozicionin formal e zyrtar që i jep karrigia e kryetarit të Bashkisë.

Nga ajo karrige ai dërgon kërcënime, turfullon ndaj çdo kundërshtari dhe gjatë kohës që SPAK është marrë “me letrat” në katër vitet e fundit, me shumë gjasa Veliaj është siguruar që të zhdukë prova e intimidojë “kolegët” dhe vartësit e tij në zhvatje.

Çdo minutë që ai kalon në atë zyrë, një provë zhduket, një media blihet apo kërcënohet, buxheti i shtetit shpartallohet.

Nuk e di këtë SPAK-u?!

Sigurisht që e di…

Nuk ka eksperiencë SPAK-u me zyrtarë që i lënë puplat, gjatë kohës që SPAK-u fsheh kokën nën tavolinën e punës?

Sigurisht që SPAK-u në jetën e vet të shkurtër e ka pasur edhe këtë eksperiencë… i kanë fluturuar “subjektet dhe objektet” para syve, duke i lënë pendët.

Atëherë në këtë realitetin shqiptar ku po u cënove të pushtetshmit, “të priten veshët”, lind pyetja:

Përse nuk merret i pandehur Veliaj për të shpëtuar çfarë mund të shpëtohet nga buxheti i shtetit?!

Kush ia ka prerë veshët SPAK-ut?

#veliajparadrejtësisë

About Redaksia

Check Also

Për një Parti Demokratike të madhe

Nga Luçiano BOÇI Vlera themelore e një Partie është liria e anëtarëve të saj. E …