Izraeli, Hamasi e Qeveria

Nga Genc POLLO

Vështirë se gjen ndonjë konflikt në botë që shkakton më shumë emocione e merr më shumë vëmendje se ai në Lindjen e Mesme mes Izraelit dhe palestinezëve. Brenda vitit të fundit në Sudanin e përfshirë nga lufta civile kanë humbur jetën mbi 30 mijë civilë dhe në Nagorno Karabak ushtria azere spastroi etnikisht krahinën nga 120 mijë armenë autoktonë. E megjithatë në diskursin global këto ngjarje të rënda përmenden pak ose aspak. Madje edhe agresioni Rusisë putiniste kundër Ukrainës, me gjithë pasojat e rënda gjeopolitike dhe barbarinë kundër popullsisë shpesh mbetet në surdinë krahasuar me ngjarjet në Izrael që nga tetori i vitit të kaluar.

Në Perëndim, reagimi aktivist kundrejt luftës së fundmi ka marrë përmasa dramatike ku studentë të indoktrinuar prej vitesh nga neomarksizmi woke zaptojnë universitetet duke lëshuar thirrje pro Hamasit e kundra Izraelit. Të financuar indirekt nga manjatë simpatizues të kauzave majtiste (nuk është surprizë që mes tyre spikat George Soros, nominalisht hebre) ata janë avatari i fundit i antisemitizmit post sovjetik. Në mediat globale që tashmë përfshijnë edhe mediat sociale, propaganda e këtij grupimi në harmoni ose koordimin me fondamentalizmin islamist, rrymat rusomadhe dhe të tjerë faktorë anti Oksident përhap parreshtur të pavërteta dhe ekzagjerime. Për këtë arsye e gjej me vend të rendis disa parashtrime duke i mëshuar më shume fakteve e më pak opinioneve.

Antisemitizmi post-sovjetik

Antisemitizmi historik është frymëzuar nga tradita e krishterë që i konsideronte hebrenjtë kolektivisht përgjegjës për vrasjen e Krishtit; në epokën iluministe lulëzuan edhe pseudoteori që i kualifikonin hebrenjtë si një racë nënnjerëzore por që kontrollonin financën dhe kishin ndikim të paduhur. Si pasojë në Europë diaspora hebreje u përball me persekutime të vazhdueshme, dëbime masive e pogrome të përgjakshme. Holokausti nazist shënoi një kulm por edhe një kthesë në ndërgjegjen ndërkombëtare për të mos e lejuar “kurrë më” të tillë tmerr. Në këtë vazhdë OKB mbas luftës, me konsensus të gjerë që përfshinte edhe Bashkimin Sovjetik, vendosi krijimin e shtetit të Izraelit në gjysmën e Palestinës britanike. Shtetet arabe fqinjë e sulmuan ushtarakisht Izraelin. Pa sukses!

Në luftën e vitit 1967 Izraeli për herë të parë mori përkrahje të plotë nga ShBA. Për Moskën kjo ishte një pikë kthese: Izraeli ishte tashmë një zagar i imperialistëve. Krahas përkrahjes për regjimet bathiste në shtetet arabe, Moska krijoi një ideologji të re antisemite (antisioniste) të koduar SIG (Sionistskiye Gosudarstva, dmth. shtetet sioniste) d.m.th sipas të cilës Izraeli ishte burim i të gjithë të këqijave në Lindjen e Mesme. Konceptues i kësaj ideologjie konsiderohet Juri Andropov, shefi i KGB në vitet ‘70 dhe udhëheqës i BRSS mbas vdekjes së Brezhnjevit. E eksportuar agresivisht përmes dizinformimit kjo ideologji u adoptua nga qarqet politike-intelektuale prosovjetike e majtiste në Perëndim. Frytet e helmuara të saj i shohim atje sot në politikë, media dhe arsim.

Në botën arabe antisemitizmi (antisionizmi) kishte një premisë tjetër: eliminimin e hebrenjve të mbetur në Jerusalem e rrethina. Ideolog i spikatur ishte kryemyftiu i Palestinës Amin Huseini, aleat i Hitlerit e bashkëthemelues i Vëllazërisë Myslimane të cilës sot i përket edhe Hamasi.

A po bën genocid Izraeli?

Një pjesë e kritikëve të Izraelit e pranojnë të drejtën e vetëmbrojtes të këtij shteti pas sulmit barbar të Hamasit në 7 tetor 2023. Por, thonë njëzëri ata, Izraeli duhet të mos shkaktojë fare viktima në popullsinë civile. Sesi mund të realizohet kjo gjë në një terren urban të mbipopulluar ku Hamas me qëllim fshihet në shkolla, spitale e faltore kritikët nuk e shpjegojnë dhe më gjasë nuk e dinë. Një pjesë nuk duan fare ta dinë sepse nuk synojnë çfarë thonë, por duan thjesht që Izraeli të mos asgjësojë Hamasin. Në fakt po të marrësh për bazë jo numrat e të vrarëve në luftim që raporton ushtria izraelite por ato të Hamasit raporti mes milicëve hamasistë e civilëve është më pozitiv se në shumë luftëra të ngjashme. Mjafton të shohim të dhënat e inkursionit amerikan në Falluja, Irak në v2004 apo të rimarrjes së  Mosulit nga ushtria irakenë në v2018 duke përzënë DAESh-in (Shtetin Islamik). Bilanci në Gaza duket edhe më pozitiv po të krahasohet me pasojat e bombardimit të Dresdenit, Gjermani nga anglo-amerkianët në shkurt 1945; pa folur për viktimat civile pa fund që Ushtria e Kuqe shkaktoi në Berlin po atë vit dhe që po i shohim të përsëritura sot në Ukrainë.

Kurse akuzat dorëlëshuara për genocid janë sa abuzive aq edhe qesharake. Popullsia e Gazës është sot 2,1 milion dhe gati është dyfishuar që nga viti 2007 kur pushtetin aty e mori Hamasi. Dhe jo vetëm nuk ka prova që ushtria izraelite të ketë synuar thjesht e vetëm popullsinë civile; përkundrazi ka prova e dëshmi të masave të shumta që të reduktohet dëmi ndaj civilëve në sulmet kundër njësive të Hamasit.

Sa më lart nuk do të thotë se gjithçka po shkon në rregull. Lufta në çdo rast është tragjike. Krime lufte ndodhin potencialisht kudo e kurdo. Dhe përgjegjësia e Izraelit dhe e komunitetit ndërkombëtar është t’i konstatojë e hetojë me objektivitet çdo rast të dyshuar. Pa instrumentalizimin politiko-ideologjik që aktualisht po kontaminon diskursin publik.

A ka më vend për Hamasin? 

Dështimi më i rëndë për shtetin izraelit në dekadën e fundit e sidomos për qeverinë Netaniahu ishte përgjumja kundrejt rrezikut nga Hamasi; kjo si pasojë e iluzionit se kjo lëvizje terroriste ishte “normalizuar” dhe nuk synonte realisht asgjësimin e Izraelit. Gabim i ngjashëm me atë Chamberlain-it, kryeministrit britanik, i cili në v1938  besoi se duke i dhuruar Hitlerit një copë nga Çekosllovakia do t’a ngopte e qetësonte për shumë vite. Gabim i ngjashëm edhe me udhëheqësit e Perëndimit në dy dekadat e fundit të cilët nuk i morën seriozisht deklaratat publike të përsëritura të Vladimir Putinit se do të rikonstituonte Rusinë në kufijtë sovjetikë apo caristë.

Mbas masakrës së 7 tetorit Izraeli ka jo vetëm të drejtën por edhe detyrimin të shkatërrojë çdo njësi ushtarake të Hamasit. Përfshirë këtu edhe ato pak batalione të mbetura e të strukura në Rafah, pranë kufirit me Egjiptin (parakusht lipset të jetë evakuimi i civilëve të grumbulluar aty). Vetëm mbas kësaj dhe mbas eliminimit apo nxjerrjes para gjyqit të drejtuesve të Hamasit si Sinvar e Deif do të jetë realiste të veprohet për një zgjidhje politike afatgjatë të çështjes palestineze.

Nëse këto batalione mbeten të pacënuar pasoja do të ishte riorganizimi ushtarak i Hamasit çka do të sillte në të ardhmen të tjerë “7 tetorë” të pasuar nga reagimi izraelit. Ky cikël duhet të marrë fund.

Zgjidhja politike

Izraeli është demokracia e vetme në Lindjen e Mesme. Të drejtat e pakicave përfshirë edhe 2 milion arabë (20% e popullsisë) respektohen si askund në atë pjesë të botës dhe përfaqësues nga pakicat zgjidhen jo vetem deputetë në Kneset (parlament) por në ofiqe shtetërore të larta. Por si demokraci Izraeli ka përgjegjësi primare që të mundësojë përfaqësim politik e organizim shtetëror për 4 milionë arabë palestinezë që jetojnë në Cisjordani (Bregu Perëndimor i lumit Jordan) e Gaza. Zgjidhja me dy shtete siç qe konsensusi prej vitesh sot duket më e largët por jo e pamundur. Me vendosjen e sigurisë në Gaza dhe ofrimin e ndihmës humanitare procesi politik që do të përfshijë shtetet arabe fqinjë do të duhet të synojë një akord për këtë çështje.

Qeveria

Në Shqipëri, mbas masakrës së Hamasit në 7 tetor, pozicionet e qeverisë dhe të opozitës ishin të ngjashme, të qarta e korrekte. Diplomatët shqiptarë në OKB lanë përshtypje të mirë me ndërhyrjet e tyre. Por përgjatë operacionit ushtarak në Gaza u përvijua një bllok global anti-Izrael që në tërësi përkon me bllokun anti-Oksident. Në BE shtetet anëtare nuk kishin pozicione krejt të njëjta dhe arritën një konsensus minimal. Administrata Biden në ShBA ndonëse përkrahëse e Izraelit shfaqi zigzage për shkaqe partiake e elektorale. Në këto rrethana, por edhe nën ndikimin e një shteti që po merr në patronazh Hamasin, politik qeveria në Tiranë adoptoi qëndrime inkoherente siç treguan disa votime në OKB. Le të shpresojmë që të mbetet me kaq.

About Redaksia

Check Also

Flamuri erdhi në shtëpinë e tij, por kohën nuk ta kthen askush!

Fjoralba DIZDARI Lajm i shumëpritur jo vetëm për demokratët, por për demokracinë në Shqipëri, për …