Afera/Ulusiu i blen tokë Drejtorit të Veliajt nën hetim nga SPAK dhe nis ndërtim vilash

Nga Boldnews.al

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja po shndërrohet në një investitor kompleksi vilash, në zonën e Liqenit të Farkës, në Tiranë.

Gjatë vitit 2023, Manja bleu për shumën 3 milionë lekë të reja një sipërfaqe toke prej 1 mijë metra katrorë në zonën e preferuar për ndërtime në Tiranë nga Arben Maloku, një zyrtar i Bashkisë së Tiranës, themelues i një kompani ndërtimi të kapur në flagrancë për ndërtim të paligjshëm në rrugën “Myslym Shyri”.

Në foto: Kontrata për shit-blerje trualli, nënshkruar mes Arben Malokut dhe Ulsi Manjën (e publikuar nga “Syri”)

Brenda një kohe të shkurtër, Ulsi Manja bashkohet me disa persona të tjerë, të cilët zotërojnë troje po në atë vend dhe, të gjithë së bashku, i drejtohen kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për t’u pajisur me leje ndërtimi për kompleks vilash.

Në dokumentat e konsultuar nga “Boldnews.al”, rezulton se emri i Ulsi Manjës dhe bashkëshortes së tij, Ermira Manja, janë pjesë e një grupi individësh, të cilët kanë aplikuar në nëntor të vitit 2023 pranë Bashkisë së Tiranës për “Kompleks me godina banimi 1,2 dhe 3 kat, me 2 kate nëntokë, me pishina dhe mur rrethues, në pasuritë…397/9…..zona kadastrale 1605”, në Farkë të Vogël, në Tiranë.

“Boldnews.al” nuk arriti të konfirmonte në mënyrë të pavarur nëse leja është miratuar deri në publikimin e këtij shkrimi.

Por, në rast se leja është miratuar, atëherë vlera e pasurisë së Ulsi Manjës do të shumëfishohet në mënyrë të ndjeshme.

Redaksia kontaktoi me ekspertë të ndërtimit, të cilët konfirmuan se sipërfaqja e tokës së Ulsi Manjës (1 mijë metra katrorë), është e mjaftueshme për ndërtimin e më së paku të dy vilave. Në Farkën e Vogël, një vilë kushton më së paku 1 milionë euro.

Pra, në rast miratimi të lejes, Manja do të shtonte pasurinë e tij me së paku 2 milionë euro, pasi ka bërë një shpenzim vetëm 30 mijë euro për blerjen e truallit.

Investitor vilash me rrogë shteti

Ulsi Manja ka punuar pjesën më të madhe të jetës së tij në detyra publike, pra rrogëtar shteti.

Nga viti 1996 deri në vitin 2019, ka punuar fillimisht si ndihmës gjyqtar e më tej, prokuror, deri në vitin 2009, kur dha dorëheqjen nga sistemi i drejtësisë për të kandiduar për deputet nën siglën e Partisë Socialiste.

Në ato zgjedhje rezultoi humbës dhe u punësua si avokat në kompaninë “Usluga”, në pronësi të ish-deputetit socialist, Sadri Abazi.

Në vitin 2013 zgjidhet deputet dhe që nga ajo kohë është ligjvënës dhe, prej vitit 2021, ministër i Drejtësisë në kabinetin e Edi Ramës.

“Boldnews.al” ka raportuar më herët për pasurinë e Ulsi Manjës. Në konkluzion, rezultonte se ai do të ngelte në filtrin e Vetingut për probleme me ligjshmërinë e burimeve të pasurisë, në rast se do të ishte ende prokuror dhe do t’i nënshtrohej procesit të rivlerësimit kalimtar.

Por, Manja gjeti strehë tek politika, nuk pati fatin ta provonte veten para Vetingut dhe tashmë ka gjetur mekanizma për të rritur ndjeshëm pasurinë e tij.

Kontrata e dyshimtë

Në shkurt të vitit 2024, juristi i Partisë Demokratike, Çlirim Gjata, denoncoi publikisht një kontratë për shit-blerje e një sipërfaqe trualli, nënshkruar ndërmjet Ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja dhe Arben Malokut.

Sipas kontratës, të publikuar nga “Syri”, rezultonte se Maloku i shiste Ulsi Manjës një truall me sipërfaqe 1 mijë metra katrorë në pronën me numër pasurie 397/9, zona kadastrale 16.5, në zonën e Farkës së Vogël, për një shumë prej 3 milionë lekë të reja (rreth 30 mijë euro).

Në foto: Kontrata mes Ulsi Manjës dhe Arben Malokut

Pra, bëhet fjalë për të njëjtën pronë, të cilën më tej Ulsi Manja është shprehur i gatshëm për ta vënë në dispozicion të ndërtimit të një kompleksi vilash.

Për Partinë Demokratike, marrëdhënie financiare mes eksponentit të lartë qeveritar dhe Arben Malokut, i kapur në flagrancë për ndërtim pallati pa leje, dëshmon se qeveria nuk ka aspak vullnet për të luftuar paligjshmërinë.

Në konferencën mediatike, Gjata, në emër të Partisë Demokratike, renditi disa nga ato që i konsideroi si shkeljet të Ulsi Manjës me firmosjen e kësaj kontrate.

“Së pari, ka blerë tokë truall poshtë çmimit referencë.

Së dyti, Manja e ka blerë tokën me të njëjtën vlerë që është rivlerësuar nga shitësi. Pra ka shmangur taksat e shtetit duke paguar zero lekë.

Së treti, Manja është shefi i një Task Force antikorrupsioni në qeveri. Është ngritur për të luftuar korrupsionin, por e bën vetë se nuk ka besim te të tjerët”, tha ndër të tjera zyrtari opozitar.

About Redaksia

Check Also

Nikolla u dorëhoq, apo e larguan?

Lindita Nikolla ka njoftuar se do të largohet pas pas tre vitesh nga posti i …