“Suksesi” i reformës, një gjyq mbaron pas 15 vitesh, një gjyqtar ka 1 mijë dosje!!

Sali BERISHA

Të dashur qytetare dhe qytetarë!

Sot mediat po japin mesazhe të njëpasnjëshme të zyrtarëve shqiptarë dhe përfaqësuesve ndërkombëtar në ditën e drejtësisë dhe për të ashtuquajturën drejtësi të re.

Në luajalitet të plotë ndaj jush, ndaj interesit kombëtar të shqiptarëve, ndaj interesit europian të këtij kombi, më duhet të theksoj sot se kjo ditë shënohet në kushtet kur së pari shqiptarët janë kombi i vetëm në Europë dhe botë, me drejtësi të mohuar, me proces ligjor të duhur.

Procesi gjyqësor parakupton ndër të tjera kohën e dhënies së drejtësisë.

Sot sipas statistikave zyrtare, çdo qytetar që ka depozituar në Gjykatën Administrative të drejtësisë së re, një ankesë, apo çdo biznes, mund të marrë përgjigje mbas 14.5 viteve.

Sot në Gjykatën e Tiranës, në Dhomën Penale, një gjyqtar duhet të trajtojë 1 mijë çështje në vit dhe megjithatë qytetari duhet të presë 8-15 vite për vendimin.

Çfarë do të thotë kjo?

Kjo së pari nënkupton miliarda euro të humbura, të ngrira, të bllokuara nga konservimi dhe mosgjykimi i dosjeve në Gjykatën Administrative.

Çfarë do të thotë kjo?

Mijëra qytetarë të cilët kur dorëzojnë dosjen nuk kanë të sigurtë edhe 14 vite të tjera jetë, do të thotë të mbyllin sytë pa marrë fare drejtësi.

Çfarë do të thotë kjo?

Do të thotë që konfliktet për çështje penale të ziejnë dhe të kalojnë në vetëgjyqësi, sepse gjyqësia këtu është e pamundur.

Së dyti!

Sot shqiptarët si kurrë më parë në 32 vite, kanë një korporatë krimi drejtësie. Një sistem drejtësie të shndërruar në një korporatë krimi që kontrollohet nga Edi Rama.

Në fillimin e kësaj reforme, burra të shquar dhe institucione themelore të Europës, paralajmëruan se, mënyra se si keni përcaktuar drejtimin e degëve të drejtësisë, kërcënon korporatizmin.

Tani unë dua tu jap vetëm tre shembuj.

Së pari, keni parë ju në 6 vite të instalimit të reformës, se janë bërë 8 vite që ka filluar, pyesni pak sa gjykatës dhe prokurorë janë ndëshkuar apo disiplinuar për shkak të abuzimit në ushtrimin e detyrës?

Pothuajse asnjë, ose dy, tre.

Po pse? Sepse në korporatë mbrojnë njëri-tjetrin, për të mos thënë disa gjëra të tjera, po kaq të rënda.

Cila është korporata, cilat janë shprehjet e saj.

Do të jap dy shembuj.

Kur avokati i çështjes Berisha, kërkoi të dhëna në KLGJ për shkarkimin e Irenës me tre mbiemra, mori një përgjigje; i thanë po, ka qenë e shkarkuar.

Tre javë më vonë, deputetë të PD-së i kërkuan po  këtij institucioni të dhëna; përgjigja zyrtare ishte se, nuk kemi të dhëna.

Korporata nuk mund të ekspozohej tek një institucion tjetër.

Dhe kur unë denoncova publikisht krimet e saj në Greqi u hodhën me tërbim KLGJ, dhe jo vetëm KLGJ në mbrojtje të saj, në emër të korporatizmit. Natyrisht prapa tyre qëndron ai që e kontrollon korporatën, por këtë korporatë e shprehu në mënyrën më sintetike, kreu i organizatës kriminale në Skapin e partisë, Altin Dumani që qëndron aty në mënyrë jo kushtetuese.

Çfarë tha ky në KLP? Afërmendsh. U bë famoz, afërmendsh gjykata vendos atë që themi ne.

Që këtu drejtësia merr fund.

Së treti.

Kjo drejtësi, si asnjë drejtësi tjetër, përveç se në vendet me diktaturë më të egër, ka penalizuar, ka urdhëruar arreste, masa shtrënguese ndaj dy drejtuesve të opozitës dhe të tretin e persekuton në mënyra nga më të ndryshme, vetëm e vetëm me urdhër të Edi Ramës.

Pa asnjë fakt, pa asnjë dokument, pa asnjë provë, që të dëshmojë fajësinë e tyre, që të  dëshmojë implikimin e tyre, por për faktin e vetëm se, kanë guxuar dhe do guxojnë gjer në momentin e fundit, pavarësisht nga çmimi, të bëjnë publike, të paraqesin para jush aferën e tmerrshme korruptive, mohimin e qytetarëve shqiptarë nga kjo aferë, e të drejtës për një proces ligjor të drejtë.

Gjahut të shtrigave të bazuar në bindjet fetare, orientimin politik, përkatësinë krahinore që u përdor në vetingun e partisë, zbrazjen e një sistemi i cili është sot në ditën më të zezë.

Në emër të Partisë Demokratike, ju garantoj se kjo parti do të ndërmarrë një reformë të fuqishme për të ju dhënë përgjigjen më të mirë, të drejtës tuaj për të pasur një proces ligjor të drejtë.

Sot janë me mijëra shqiptarë të shkolluar në shkollat më të mira  të drejtësisë në botë, por asnjëri prej tyre nuk mund të futet në rrethin e mbyllur të drejtësisë Rama-Rakipi-Dumani-Sadushi e kompani.

Do të marrë fund korporatizmi që po degradon këtë sistem çdo muaj dhe më shumë.

Do të marrë fund kontrolli politik i drejtësisë, drejtësia do të zbatojë ligjin dhe vetëm ligjin.

About Krye Redaktor

Check Also

Nikolla u dorëhoq, apo e larguan?

Lindita Nikolla ka njoftuar se do të largohet pas pas tre vitesh nga posti i …