Policia dështon në arrestimin e vrasësit të efektivit të “Shqiponjave”

Prej mesditës të së hënës forcat e policisë po vijojnë kërkimet për kapjen e 23-vjeçarit Azgan Mernica i dyshuar për vrasjen e efektivit të “Shqiponjave” Novruz Cenalia në fshatin Baltëz të Fierit.

Autori i vrasjes së policit Novruz Cenalia në Fier është ende në arrati. Pasi qëlloi me një plumb në kokë efektivin që po shkonte të merrte shërbimin, 23-vjeçari u largua nga vendi i ngjarjes me një makinë blu të cilën e braktisi disa minuta më vonë duke i humbur gjurmët.

Pavarësisht se gjatë gjithë natës kanë vijuar kërkimet, policia dhe forcat e RENEA-s kanë “dështuar” në operacionin e tyre për gjetjen e të riut.

Burimet mediatike bëjnë me dije se kontrollet gjatë natës janë përqendruar në zonën Sulaj, Havaleas dhe Apoloni. Policia ka dyshime se pasi braktisi makinën pranë vendit të vrasjes në fshatin Baltëz, autori është larguar me këmbë drejt fshatit Havaleas dhe më pas në Apoloni.

Deri më tani janë shoqëruar në polici 12 persona për të dëshmuar për ngjarjen, familjarë të autorit të cilët janë marrë në pyetje nëse kanë dijeni për vendndodhjen e 23-vjeçarit.

Gjithashtu policia ka vendosur në dispocion 30 mijë euro për “kokën” e Azgan Mernica për të cilin policia e ka të pamundur për të gjetur gjurmët e një krimi të çastit, i cili ishte i paplanifikuar siç ndodh shpesh me atentatet në vendin tonë që kanë një “plan” arratisjeje.

  • Rrumbullaku nuk shkoi në vendngjarje, u mjaftua vetëm me një reagim “të ftohtë”

Ditën e djeshme, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku është mjaftuar vetëm me një reagim ‘të ftohtë’ në lidhje me krimin e ndodhur në fshatin Baltëz të Fierit ku u ekzekutua efektivi i “Shqiponjave”, Novruz Cenalia.

Rrumbullaku nuk u shqetësua fare, madje ditën e djeshme nuk shkoi as në vendngjarje por u mjaftua vetëm me një reagim në distancë ku u zotua se do të bëjë gjithçka për ta vendosur para ligjit autorin e vrasjes së Novruz Cenalisë.

Ai shton më tej se uniforma e Policisë së Shtetit është e shenjtë dhe kushdo që guxon të cënoje shëndetin dhe jetën e punonjësve të Policisë, do të marrë përgjigjen më të ashpër ligjore.

Kujtojmë që në fillim të janarit, Muhamet Rrumbullaku u “shpërngul” në Vlorë disa ditë qëndroi pa lëvizur pas ekzekutimit me snajper të 23 vjeçarit, Gëzim Sinomataj. Pavarësisht se i riu ditën e djeshme gjeti guximin dhe ngriti armën e krimit ndaj Policisë së Shtetit, Rrumbullaku e ka nënvlerësuar rastin madje nuk i qëndron në “kokë” grupi të posaçëm hetimor siç veproi me rastin e Vlorës (ekzekutimin e Gëzim Sinomataj) por edhe aty uniformat blu dështuan me sukses.

  • Ish-drejtuesi i policisë: Policia ka neglizhuar punën prandaj dështoi në arreestimin e autorit

Ish-drejtuesi i policisë, Faik Basha ka deklaruar se nuk ka pasur mobilizim të mjaftueshëm nga strukturat e policisë për të kapur autorin e krimit të rëndë.

Sipas tij, në këtë rast duhet të ishin ngritur helikopterët e policisë dhe dronë profesionale, jo si ai që u ngrit nga policia që siç tha ishte shumë i vogël dhe i papërshtatshëm për këtë gjë.

“Kemi parë mjetet dhe pajisjet si helikopterët e policisë së shtetit që jepen e qira për dasma dhe nuk ngrihen, dhe më ngrenë aty një dron 50 mijë lekësh që as për dasmë s’e kap pamjen se është shumë i vogël dhe duan të kapin autorin e një vrasjeje. Qytetarët nuk bashkëpunojnë. Nuk ishte dron profesional që të ketë kamera me rezolucion të lartë, ishte një dron shumë i vogël, më mirë ishte të ishin mobilizuar strukturat, të ishin marrë helikopterët, dronët”, tha Basha gjatë intervistës në Euronews Albania.

  • Bie pista e hetimit për gjakmarrje, krimi nga gjaknxehtësia

Artan Rexhepi, ekspert i kriminalistikës tha se pista e atentatit të planifikuar bie, pasi autori ka qenë i shoqëruar nga nëna e tij ndaj gjithçka e ka bërë në gjaknxehtësi e sipër.

“Autori kishte nënën në makinë, përjashtohet krimi i planifikuar, nuk do shkonte në atentat me nënën me vete se edhe mund të vritej. Për çfarë e duhej nënë në një atentat; i jep makinës shpejt që të më largojë nga vendngjarja, di të qëllojë me armë? Është kryer në gjaknxehtësi, s’i ka vlerë jeta e vet, mirë atij që ja merr, por as jeta e vet s’i ka vlerë”, tha eksperti.

  • Si u vra efektivi i ‘Shqiponjave?

28-vjeçari Novruz Cenalia u vra me një plumb në kokë më 13 maj 2024 në fshatin Baltëz të Fierit. Ai ishte nisur për të shkuar në punë, por u përfshi në një debat me Asllan Mernicën, 23 vjeç, për radhën e kalimit me makinë.

Në këtë moment, 23-vjeçari nxori pistoletën që e mbante me vete dhe me një tek plumb në kokë la të vdekur në vend punonjësin e Policisë së Shtetit. Më pas ai u largua nga vendi i ngjarjes.

About Redaksia

Check Also

Nikolla u dorëhoq, apo e larguan?

Lindita Nikolla ka njoftuar se do të largohet pas pas tre vitesh nga posti i …