Ligji për surrogacinë cenon rëndë familjen dhe bie ndesh me natyrën njerëzore

Nga Bujar SPAHIU

Të dashur motra dhe vëllezës. Ditë më parë ndava me ju një temë që i kushtohej kujdesit ndaj prindërve dhe familjes në tërësi. Familja në të gjitha besimet fetare është e shenjtë, por unë dua ta trajtoj sot me ju në këndvështimin që na përket ne, atë Islam.

Islami është një fe që përkrah shkencën dhe sigurisht edhe i paraprin asaj në shumë çështje. Për këtë nuk ka asnjë dyshim dhe historia mijëra vjeçare është dëshmitare. Tema e sotme ka të bëjë me debatin e fundit që ligjvënësit e Parlamentit të Republikës së Shqipërisë kanë hapur diskutimin në lidhje me familjen, ose ta themi ashtu siç ka marrë emër gjerësisht, surrogacia.

Së pari dua të ndaj konsideratën time për krerët e bashkësive fetare që kanë ngritur zërin dhe për cilindo që i është bashkuar shqetësimit tonë. Iniciimi i këtij ligji pa konsultim të gjerë, edhe me komunitetet fetare, në një shoqëri ku ne jemi mazhorancë, më duket tejet absurd dhe tendencioz.

Ky ligj në këndvështrimin tonë është anti familje. Trondit themelet e qelizës bazë të shoqërisë, i pa natyrshëm.

Feja islame nuk është kundër përparimit të shkencës sa i përket lehtësimit që shkenca ka arritur t’u japë një zgjidhje çifteve që për arsye të ndryshme shëndetësore nuk mund të kenë një fëmijë në kushte natyrale. Dhe këtu kam parasysh fertilizimim invitro, etj. Çdo përparim shkencor në këtë drejtim është i mirëpritur.

Por ky ligj nuk ka të bëjë vetëm me këtë aspekt. Së pari, siç dihet, feja islame është kundër abortit, përveç rasteve kur rekomandohet nga mjekët për shkak të rrezikimit të jetës së nënës. Në çdo rast tjetër aborti është i papranueshëm, sidomos në javët që embrioni ka hyrë në faza zhvillimi jetësore në të gjitha aspektet.

Së dyti, surrogacia është e papranueshme në Islam. Dhe argumentat për këtë nuk janë dogmatike, siç përpiqen ta trajtojnë disa. Jo aspak. Surrogacia është një bartje, që së pari ka të bëjë me shkeljen e të drejtave të grave, gjë për të cilën sot flitet aq shumë, por kur vjen puna te surrogacia, heshtet.

Nëna surrogato është një grua që do bartë në organizmin e saj një fëmijë për një burrë, me të cilin ajo nuk është e martuar. Pra, duke transferuar spermatozoidin e një burri dhe vezët e një gruaje në mitrën e një gruaje tjetër me të cilën burri nuk është i martuar. Dhe kjo gjë bëhet kundrejt pagesës ose edhe falas qoftë.

Po çfarë është kjo? A nuk është përdorim i një gruaje në mënyrë të ulët!! A nuk është trajtimi i saj si një qenie pa dinjitet, pa ndjenja dhe pa logjikë!? Nëse nuk është kështu – Çfarë është!?

A nuk është poshtërim për atë grua që fill pas lindjes së foshnjës, të cilën e ka bartur në barkun e saj për 9 muaj t’i rrëmbehet për të mos e parë më kurrë!?

Po a ka legjitimitet një fëmijë i lindur i tillë!? Kush është nëna e vërtetë e tij, ajo që e ka ushqyer me kordon në trupin e saj për muaj të tërë, apo një nënë që thjeshtë ka trasferuar vezët në barkun e surrogatos!?

Unë kam konsultuar shumë referenca shkencore islame të dijetarëve, pa përjashtim të gjithë janë unanimisht kundër diçkaje të tillë.

Nëna zëvendësuese është një akt që ngatërron vetë natyrën e familjes dhe prejardhjes së saj. Konfuzioni i linjës së gjakut konsiderohet si një veprim kundër vullnetit të Zotit dhe për këtë arsye është i paligjshëm dhe etikisht e cënon dinjitetin e gruas bartëse dhe fëmijës së lindur nga ajo. Si rezultat, origjina e një fëmije duhet të gjurmohet tek babai dhe nëna e tij/saj biologjike.

Rregulli islam i trashëgimisë bazohet në atësinë dhe amësinë biologjike dhe përmasat e trashëgimisë janë të specifikuara në mënyrë eksplicite në Kuran. Ky ligj nxit prishjen e lidhjeve familjare dhe prejardhjes. Zëvendësimi krijon një pamje të paqartë të prindërve, e cila mund të çojë në probleme të rënda sociale dhe ligjore të paparashikuara.

Të dashur motra dhe vëllezër. Islami ka vendosur ligje të qarta për vijimësinë e rregullt të rracës njerëzore, siç e kanë edhe besimet e tjera. Qëllimi kryesor i ligjeve hyjnore është të sigurohen fëmijët dhe e ardhmja e tyre që lindin nga bashkëshortë të caktuar dhe që fëmija i dikujt tjetër, në aspektin biologjik, të mos përzihet, me fëmijët që lindin nga ky çift.

Jo vetëm Islami, çdo besim në botë parandalon mundësinë e paligjshmërisë së fëmijës dhe për këtë u jep edhe mësime njerëzve. Shkencëtarët e kësaj fushe pohojnë se fëmija i tillë më shumë tipare merr jo nga veza e fertiluar, por nga nëna surrogate gjatë procesit të zhvillimit të tij në mitër, duke u ushqyer prej saj dhe duke u formuar i gjithi në mitrën e saj.

Unë e quaj një gabim me dashje të thuash se fëmija i tillë i përket nënës dhuruese të vezës. Ai i përket më shumë nënës që e ka bartur në barkun e saj, që e ka ushqyer përmes kordonit, që e ka lindur atë, sesa asaj që transferon vezët.

Pra, siç thashë në fillim, ky ligj jo vetëm është përçmues për disa gra të cilat i quajnë surrogato duke i zhbërë si qënie njerëzore, por kjo lloj lindje, ky fëmijë që lind në këtë mënyrë, edhe fetarisht, edhe shkencërisht, edhe sociologjikisht i përket nënës që e lind, ushqehet prej saj dhe me të krijon lidhjen emocionale.

Ka shumë raste kur nëna surrogate pas lindjes ka shkuar në gjykatë për të kërkuar mbajtjen e fëmijës dhe duke refuzuar paratë. Pse ndodh kjo? Kjo ndodh sepse lidhja emocionale është aq e fortë sa tejkalon çdo gjë tjetër materiale.

Pra, praktikisht, ky ligj dëmton rëndë familjen.

Është kundër natyrës së saj. Kundër urdhërave të Atij që krijon nga asgjëja, krijon pa patur nevojë për një model dhe e përsërit krijimin, Zotit të gjithësisë, sunduesit absolut.

Një ligj që nuk i merr parasysh këto fakte, kurrsesi nuk është i lejuar, madje ai është i dëmshëm edhe në aspektin njerëzor.

Unë nuk dua të hyj në diskutimin tjetër që ky ligj po bëhet për një qëllim edhe më të mbrapshtë se kaq, atë të prindit 1 dhe prindit 2, sepse nuk dua të paragjykoj diçka që nuk është thënë.

Por sigurisht që kjo është katërcipërisht e ndaluar në fenë Islame dhe ne shprehim gjithë kundërshtinë tonë sa i përket kësaj çështjeje.

Unë gjej rastin t’u bëj thirrje të gjithë ligjvënësve të Parlamentit të mendojnë në këtë rast, së pari, si shqiptarë. Së dyti, si prindër e familjarë. Së treti, si përfaqësues të një populli i cili është kundër të tilla ligjeve e praktikave.

Dhe këtu është rasti që Shqipërisë nuk po i imponohet një ligj i tillë, edhe sikur kjo të ndodhte, ky ligj nuk mund të miratohet në kundërshtim me vullnetin e popullit.

E lus Zotin që ta kthejë nga e mbara këtë shoqëri. E lus Zotin që familja jonë mos të përballet me sfida të tilla dhe kombi ynë të shtohet në mënyrë natyrale, ashtu siç Zoti e ka caktuar.

Amin!

About Redaksia

Check Also

Programi ekonomik i PD të diskutohet në Grupin Parlamentar, në Kryesinë e Sekretariatet dhe të miratohet në Këshillin Kombëtar

!Bujar LESKAJ Të gjithë departamentet e Partisë Demokratike të drejtuar nga Prof. Dr. Sali Berisha, …