Berisha: Fjala shpopullim nuk ishte dëgjuar ndonjëherë në qeverinë e PD!

Duke folur në tubimin qytetar, kryetari i PD, Sali Berisha u shpreh se fjala shpopullim që është kaq kryefjala e ditëve të sotme, nuk ishte dëgjuar asnjëherë gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike.

“Të dashur shqiptarë dhe shqiptare, në diasporë, emigracion dhe kudo që jeni.

Flitet shpesh për rëndësinë e ndihmave, remitancave tuaja.

Por nuk flitet aq sa duhet se këto remitanca janë vuajtje, gjaku, djersa, mundi dhe sakrificat tuaja.

Sepse kjo ishte kosto që paguat kur morët përsipër largimin masiv nga dheu ynë në vitin 1991.

Prandaj kur flitet për remitancat, ato nuk janë vetëm ndihma për të afërmit tuaja, ato janë një kontribut dashurie që i paguani Shqipërisë, sepse ndonëse keni ikur, keni ndërtuar jetët tuaja larg saj, ëndrra juaj vazhdon për një Shqipëri demokratike, për Shqipërinë, të bukurën e dheut.

Ëndrra vazhdon për një Shqipëri të integruar në BE.

Ëndrra vazhdon për Shqipërinë që së bashku vizionuam 33 vite më parë.

Një ëndërr kjo, që për hir të së vërtetës, në qeverinë e Partisë Demokratike, për të parën herë, u bë e prekshme.

Propaganda e Edi Ramës, thotë se largim masiv të shqiptarëve ka patur edhe gjatë qeverisë së Partisë Demokratike.

Por e vërteta është se ato vite, statistikat tregojnë një popullsi gjithmonë në rritje, ndonëse atë kohë njerëzit lëviznin lirshëm dhe vizat u liberalizuan.

E vërteta është se në ato vite, shumë shqiptarë që ikën me eksode, po ktheheshin.

Shqipëria ato vite ishte e populluar, e re në moshë, besimplotë, energjike, e etur për fitore. Ndërsa sot Shqipëria me Edi Ramën në krye është e boshatisur, e plakur, e topitur dhe e dorëzuar.

Qytetare dhe qytetarë shqiptarë, në diasporë, emigracion dhe kudo që jeni, mos harroni se fjala shpopullim, kryefjala e ditëve të sotme, nuk ishte dëgjuar ndonjëherë në qeverinë e Partisë Demokratike.

Por pas vitit 2013, njësoj sikur nga varri të ishte ngritur fantazma e Enver Hoxhës, një valë tjetër eksodi nisi për shqiptarët. Vala më e madhe në gjithë historinë e kombit shqiptar.

Në 10-vjeçarin e Rilindjes, si një sëmundje e egër që rishfaqet, u përballëm sërish me pamjet e gomoneve dhe refugjatëve.

U përballëm me numrin më të lartë të të rinjve që largohen, pas Sirisë.

U përballëm me shpopullimin apokaliptik të 35% të popullsisë në 10 vite.

Të gjitha këto, në një kohë që Edi Rama me tallje dhe përbuzje, thotë se Shqipëria është në ditët e saj më të mira”, tha Berisha.

About Redaksia

Check Also

Proçedohet penalisht Tom Doshi