Policia shoqëron të dashurin e efektives 21-vjeçare që u vetëvra

Një ngjarje e rëndë u regjistrua pasditen e 24-majit në Tiranë. Aldorjana Loshi 21 vjeçe e cila prej rreth një viti e gjysmë ishte pjesë e strukturës së Policisë së Shtetit është gjetur e pajetë në banesën e saj në zonën e Ali Demit.

Në momentin kur ka ndodhur ngjarja, sipas raportimeve, efektivja e Policisë ka qenë vetëm në banesë. Sipas komunikatës nga Drejtoria Vendore e Policisë së Tiranës, dyshohet se 21-vjeçarja është vetëvrarë me armën e shërbimit.

Aldorjana Loshi mbante pozicionin e efektives së patrullës në komisariatin numër 5 në kryeqytet.

Sipas informacioneve, 21-vjeçarja nuk kishte shfaqur asnjë problem në punë.

Por sipas burimeve dyshohet se Policia e Tiranës ka shoqëruar të dashurin e 21-vjeçares.

Burimet thonë se ata kanë pasur një debat së fundmi me njëri-tjetrin.

Debati me të dashurin dyshohet se mund të ketë qenë arsyeja që mund të ketë çuar 21-vjeçaren drejt aktit të rëndë.

Lidhur me ngjarjen është ngritur një grup i posaçëm hetimor i cili po vijon hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes së rëndë.

Ndërkohë vetëm pak minuta pas ngjarjes ka reaguar edhe policia përmes një njoftimi zyrtar.

Në njoftim thuhet se më datë 24.05.2024, rreth orës 18:30, në rrugën “Ali Demi”, është vetëvrarë me armë zjarri në banesë shtetasja A.L, 21 vjeçe, punonjëse Policie pranë Komisariatit të Policisë Nr. 5″.

E reja me origjinë nga Klosi i Mirditës jetonte e vetme në rrugën “Ali Demi” në Tiranë dhe prej një viti e gjysmë punonte në komisariatin nr.5 si patrullë e përgjithshme.

Policia pyeti në vendngjarje të dashurin e vajzës, si person që mund të ketë dijeni për shkaqet që e shtynë 21 vjeçaren drejt aktit ekstrem. Ai tha se nuk kishte mundur të lidhej me të në telefon.

Efektivja nuk e kishte babanë, ndërsa la pas nënën dhe një vëlla më të vogël.

Sipas informacioneve gjatë turnit të një dite më parë ajo nuk ka shfaqur asnjë shqetësim që mund të shkaktonte dyshime se do të ndërmerrte aktin e vetëflijimit.

Ende nuk dihen arsyet që çuan të renë në aktin ekstrem, ndërsa grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

About Redaksia

Check Also

Nikolla u dorëhoq, apo e larguan?

Lindita Nikolla ka njoftuar se do të largohet pas pas tre vitesh nga posti i …