Droga pushton SHBA, për të parën herë më shumë përdurues ka hashashi se alkooli

Miliona amerikanë thonë se po konsumojnë marijuanë në baza ditore apo gati çdo ditë, sipas analizës së të dhënave të një ankete kombëtare. Numri i njerëzve që konsumojnë marijuanë, sipas këtij studimi, tashmë tejkalon numrin e atyre që konsumojnë pije alkoolike çdo ditë.

Alkooli ende ka një konsum të gjerë, por viti 2022 shënoi herën e parë që kur konsumimi i marijuanës tejkaloi atë të konsumimit të përditshëm të alkoolit, thotë autori i studimit Jonathan Caulkins nga Universiteti Carnegie Mellon.

“Rreth 40 për qind të përdoruesve të kanabisit e konsumojnë atë çdo ditë, apo gati çdo ditë, një prirje që më shumë i ngjan atij të pirjes së duhanit sesa konsumimit tipik të alkoolit,” thotë zoti Caulkins, i cili është hulumtues i politikave që lidhen me përdorimin e kanabisit.

Hulumtimi, që bazohet në të dhënat e Anketës Kombëtare për Përdorimin e Drogës dhe Shëndetit, u botua të mërkurën në revistën “Addiction”. Anketa konsiderohet si burim i qëndrueshëm i të dhënave të vetdeklaruara të përdorimit të përafërt të duhanit, alkoolit dhe drogave, sipas studimit.

Në periudhën nga viti 1992 deri në vitin 2022, shkalla e atyre që raportojnë përdorim ditor, apo gati të përditshëm të marijuanës është rritur 15 herë. Sipas zotit Caulins njerëzit tani janë më të prirë që ta raportojnë përdorimin e marihuanës ndërkohë që po rritet toleranca e publikut për ta pranuar përdorimin e saj, që mund të jetë edhe arsyeja që shpjegon këtë rritje.

Shumica e shteteve në ShBA tashmë lejojnë përdorimin e marihuanës për arsye mjekësore apo përdorim personal, ndonëse në sipas ligjeve federale përdorimi i saj vazhdon të jetë i ndaluar. Në nëntor, votuesit në Florida do të vendosin për një ndryshim kushtetues që do të mundësonte përdorimin e marijuanës për nevoja personale dhe qeveria federale po hedh hapa për të klasifikuar marijuanën si lëndë narkotike më pak e rrezikshme.

Hulumtimet tregojnë se përdoruesit e shpeshtë të marijuanës ka gjasa të krijojnë varësi ndaj saj, thotë Dr. David A. Gorelick, professor i psikiatrisë pranë Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Merilendit, i cili nuk ishte pjesë e studimit.

Numri i përdoruesve të përditshëm të marihuanës sugjeron se shumë njerëz rrezikohen nga përdorimi problematic i kanabisit ose nga varësia, thotë ai.

“Përdorimi i shpeshtë po ashtu rrit rrezikun e zhvillimit të psikozës që lidhet me kanabisin,” një gjendje serioze që shkakton humbjen e ndjeshmërisë me realitetin, tha ai./VOA

About Krye Redaktor

Check Also

Mediat botërore nxjerrin foton: Djali i Vuçiç i përfshirë në skenën e huliganëve kriminalë para ndeshjes Serbi-Angli

Djali i presidentit të Serbisë, Danilo Vuçiç, ndodhet në Gjermani për Kampionatin Evropian dhe aty, …