Përkthim: Agim Xh. Dëshnica
ÇUBAR-AT
Në kohët e lashta në brigjet e lumit Çemogan jetonte një kozak. Na kishte kozaku një thesar,kalin Çubar-at.
Shumëçmime pati fituar ai kalë i shpejtë. Fama e tij ishte përhapur qindra kilometra larg.
Njëherë u caktua dita për garën me kuaj, me emrin “Allaman-baga”, në fund të së cilës do të jepeshin shumë çmime me vlera të mëdha.
Mjaft kozakë me kuajt e tyre u grumbulluan, për të marrë pjesë në atë garë. Vrapimi do të bëhej në një largësi, që hante kohën e një dite.
Herët në mëngjes në vrap e sipër zhigitët nisën të tregonin aftësinë e kuajve të tyre. Pas dy orësh, Çubar-at u ndodh në krye, shumë më larg kundërshtarëve dhe vazhdoi të vraponte i qetë.
Gjithë ditën e lume, diku me kërcime, diku me vërtik e diku me hap të shtruar, Çubar-at po i afrohej finishit. Njëqind kuaj vraponin prapa tij. Sa e sa prej tyre u rrëzuan. Shumë kalorës u ndëshkuan për shkeljen e rregullit.
Në mbrëmje njerëzit panë në horizont disa kuaj. Përpara të gjithëve, mjaft i shkëputur, vraponte Çubar-ati. Para vendit të arritjes, ngrihej një e përpjetë e gjatë. Kuajt të lodhur nuk mundën ta ngjitnin. Kalorësit tërhiqnin frerët dhe kuajt ndaleshin. Vetëm Çurbar-at, me shtatin e zgjatur si shqiponjë, fluturoi drejt majës dhe meritoi çmimin e parë.
Qysh prej atyre kohëve të largëta mali, në të cilin u zhvillua vrapimi, u quajt Çurbar-at.
——–
VENDI BAS-GJELMES
Tre djem guximtarë, duke dashur të shihnin me sytë e tyre të vërtetën e rrëfenjave të dëgjuara për malin e thepisur Bars- Kelmes, në ishullin po me të njëjtin emër, vendosën të hipnin në atë mal të lidhur të tre me një litar. Sapo njëri prej tyre arriti në majën e malit, befas midis thirrjeve të gëzuara dhe mahnitjes, u zhduk dhe nuk u pa më. Tjetri, i joshur nga kërshëria, vendosi të ecte në gjurmët e të parit. Shoku i tretë, duke u trembur se do të humbiste edhe vet, u zgjidh nga litari, fundin e të cilit e mbante ndër duar. Pasi doli në lartësinë e malit, thirri dhe vrapoi, por u pengua, ra dhe humbi aftësinë për të folur. Pas tri ditësh e tri netësh, i erdhi goja.
– Prapa malit, – nisi të tregonte djaloshi, – ndodhet një luginë e bukur, me lule nga më të larmishmet, që përhapin rreth e rrotull aroma të këndshme. Vendi është i begatë, me bar dhe pemë frutore. Ujërat ndër burime duken të kthjellët dhe shkëlqejnë me ngjyrë argjendi. E gjithë lugina është plot me sende të magjishme. Bukuroshe të hijëshme si engjëj të parajsës këndojnë, kërcejnë dhe të ftojnë pranë tyre. Të gjitha këto mrekulli, të ndezin një dëshirë të zjarrtë të mbetesh atje e të mos kthehesh kurrë!
___________________________
*Bars – Gjelmes! – po shkove nuk kthehesh