Legjenda nga Kazakistani

Përkthim: Agim Xh. Dëshnica

ÇUBAR-AT

Në kohët e lashta në brigjet e lumit Çemogan jetonte një kozak. Na kishte kozaku një thesar,kalin Çubar-at.

Shumëçmime pati fituar ai kalë i shpejtë. Fama e tij ishte përhapur qindra kilometra larg.

Njëherë u caktua dita për garën me kuaj, me emrin “Allaman-baga”, në fund të së cilës do të jepeshin shumë çmime me vlera të mëdha.

Mjaft kozakë me kuajt e tyre u grumbulluan, për të marrë pjesë në atë garë. Vrapimi do të  bëhej në një largësi, që hante kohën e një dite.

Herët në mëngjes në vrap e sipër zhigitët nisën të tregonin aftësinë e kuajve të tyre. Pas dy orësh, Çubar-at u ndodh në krye, shumë më larg  kundërshtarëve dhe vazhdoi  të vraponte i qetë.

Gjithë ditën e lume, diku me kërcime, diku me vërtik e diku me hap të shtruar,  Çubar-at po i afrohej finishit. Njëqind kuaj vraponin prapa tij. Sa e sa prej tyre u rrëzuan. Shumë kalorës u ndëshkuan  për shkeljen e rregullit.

Në mbrëmje njerëzit panë në horizont disa kuaj. Përpara të gjithëve, mjaft i  shkëputur, vraponte Çubar-ati. Para vendit të arritjes, ngrihej  një e përpjetë e gjatë. Kuajt të lodhur nuk mundën ta ngjitnin.  Kalorësit tërhiqnin frerët dhe kuajt ndaleshin. Vetëm Çurbar-at, me shtatin e zgjatur si shqiponjë, fluturoi drejt majës dhe meritoi  çmimin e parë.

Qysh prej atyre kohëve të largëta mali,  në  të cilin u zhvillua vrapimi,  u quajt  Çurbar-at.

——–

VENDI BAS-GJELMES

Tre djem guximtarë, duke dashur të shihnin me sytë e tyre të vërtetën e rrëfenjave  të dëgjuara për malin  e thepisur Bars- Kelmes, në ishullin po me të njëjtin emër, vendosën të hipnin në atë mal  të lidhur të tre me një litar. Sapo njëri prej tyre arriti  në majën e malit, befas midis thirrjeve të gëzuara dhe mahnitjes, u  zhduk dhe nuk u pa më. Tjetri, i joshur nga kërshëria, vendosi  të ecte në gjurmët e të parit.  Shoku i tretë, duke u trembur se do të humbiste edhe vet,  u zgjidh nga  litari, fundin e të cilit e mbante ndër duar. Pasi doli në lartësinë e malit, thirri dhe vrapoi, por u pengua, ra dhe humbi aftësinë për të folur.  Pas tri ditësh e tri netësh,  i erdhi goja.

– Prapa malit, – nisi të tregonte djaloshi, – ndodhet një luginë e bukur,  me lule nga më të larmishmet, që përhapin rreth e rrotull aroma të këndshme. Vendi është i begatë, me bar dhe pemë frutore. Ujërat ndër burime duken të  kthjellët dhe shkëlqejnë me ngjyrë argjendi. E gjithë lugina është plot me sende të magjishme. Bukuroshe të hijëshme si engjëj të parajsës këndojnë, kërcejnë dhe të ftojnë pranë tyre. Të gjitha këto mrekulli, të ndezin një dëshirë të zjarrtë të mbetesh  atje e të mos kthehesh kurrë!

___________________________

*Bars – Gjelmes! – po shkove nuk kthehesh

About Redaksia

Check Also

Mesazhi prekës i vajzës së Vilson Blloshimit në 47-vjetorin e ekzekutimit të poetëve

Eni Blloshmi Përkujtojmë VILSONIN dhe GENCIN. Të dashur miq, si sot, 47 vjet më parë, …