Vendimi me të cilin Edi Rama do të zhdukë çdo hapësirë të gjelbër në Tiranë dhe do të betonizojë çdo pronë shtetërore

DEKLARATA E ANËTARIT TË KRYESISË SË PD, GRIGELS MUÇOLLARI:

Kur Edi Rama tha 11 vite më parë se nuk keni parë gjë akoma, ai sigurisht nuk ishte nisur për mirë. Ai e kishte fjalën se ka edhe më keq. Se ai mund të bëjë më shumë dëme. Siç edhe po ndodh çdo ditë.

Një nga gangrenat e Tiranës dhe Shqipërisë sot është betonizimi. Jo vetëm se kemi të bëjmë shpesh me një lavatriçe të madhe të pastrimit të parave, por sidomos me koston e rëndë që kjo ka krijuar në cilësinë e jetës, në ndotjen e ajrit, në zënien e hapësirave publike, me stresin urban.

Ju e keni vënë re se kudo në çdo qoshe ku mund të ishte një lulishte për fëmijët, për të moshuarit, për çdo qytetar, aty kjo ëndërr nuk zgjat as dy ditë, dhe sheh se si mbin një kullë e madhe betoni.

Por, siç ka paralajmëruar zëdhënësi i të keqes, nuk kemi parë gjë akoma.

Me këtë vendim këtu, numër 328, të datës 29 maj, janë hapur dyert për një shtim masiv të kullave në Tiranë.

Tani që lulishtet e hapësirat publike janë mbaruar, është gjetur një rrugë tjetër për ngrehinat miliona euroshe.

Godinat shtetërore do ti jepen privatit.

Këto ambiente, këto prona, që janë në zona të lakmuara në Tiranë, do t’i dorëzohen miqve të Kryeministrit për të bërë kulla.

Duke nisur nga vendet më të shtrenjta të kryeqytetit pranë parkut të Liqenit, si zyrat e Kadastrës, te komuna e Parisit apo në rrethinat e preferuara të Tiranës.

Pronat e para që do të futen në pazar me ndërtuesit janë Drejtoria e Tatimeve pranë Stadiumit Dinamo, Instituti i Studimeve Teknologjike, Autoriteti i Aviacionit Civil, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve, ish ATSH-ja.

Këto janë vetëm disa nga godinat dhe pronat shtetërore. Nuk ka shumë transparencë për këtë aferë të radhës, dhe shumë detaje ende nuk dihen.

Por ajo që qytetarët dinë mirë është se kjo nisëm nuk është për interesin publik. Por një nga ato paktet që Edi Rama bën me oligarkët dhe klientët e tij, që më vonë pastaj marrin formë ligjore e kthehen në vendime qeverie.

Një mik i Edi Ramës, një trafikant, kreu i një bande apo një përfaqësues karteli, nga ata që ai pret në zyrë, me siguri i ka vënë syrin një godine. Ose disa godinave. Dhe kaq mjafton. Nuk të duhet më shumë se sa të kesh mik Ramën për ta kthyer çdo pronë shtetërore në kullë miliona euroshe.

Me këtë skemë pasurohen klientët e qeverisë dhe të Ramës. Shqiptarët vijojnë të mbeten më të varfërit në Europë dhe me më pak mundësi se çdokush tjetër në kontinent për të blerë një shtëpi.

Ndërkohë që kullat shtohen e shtohen.

Qytetarët nuk mund ta lejojnë një kryeministër që e ka kthyer zyrën në shërbim të oligarkëve dhe parave të pista. Duhet reagim, duhet ndryshim. Të bashkohemi të Enjten para Kuvendit dhe t’i tregojmë Edi Ramës se Shqipëria nuk është prona e tij private që ai e shet dhe e ndan si të dojë vetë.

About Redaksia

Check Also

Nikolla u dorëhoq, apo e larguan?

Lindita Nikolla ka njoftuar se do të largohet pas pas tre vitesh nga posti i …