Shqipëria, e bukura e dhunuar!

Nga Redin HAFIZI

Shqipëria, e bukura e dheut, mrekullia e mrekullive, e vlerë për besim dhe këngë besimi:

“Se Zoti vetë e tha me gojë
Që kombe shuhen përmbi dhe,
Por Shqipëria do të rrojë;
Për të, për të luftojmë ne!”

Ka qenë e bukur që kur e krijoi Zoti dhe këtu njerëzit vazhdojnë të mos kenë merita. Është dhunuar gjithnjë dhe që me trajtimin e krijimit. Zoti e krijoi të ishte zonjë mes gjithë elitës në histori, por njerëzit e saj e zhvatën, e rreckosën, e turpëruan nënën. Këta njerëz të turpit vetëm kanë marrë nga nëna dhe kurrë nuk i janë përgjigjur thirrjes: “Jepni për nënën”.

Këta imoralë të mbetur në prehërin e nënës jo vetëm që i morën asaj moralin duke futur sherr brenda familjes e duke përzënë më të mirët nga prehëri i nënës, por dhunshëm bënë të heshtin edhe ata që moralin e nënës e kanë të shenjtë dhe kapen fort prej shpatullave të saj që kanë dalë lakuriq. Jo vetëm kaq, por në mënyrë kriminale kanë nxjerrë në shitje jo vetëm pjesë të lëkurës së nënës, por edhe zemrën e saj, duke e paraqitur nënën Shqipëri si një të përdalë që ndjehet e lumtur në shtëpinë e kujtdo me para dhe të pushtetshëm në sistem global, por fatkeqesisht dhunohet brenda familjes ku mundohet të mbijetojë për fëmijët e ndershëm dhe punëtorë që e duan me shpirt.

Fatkeqësisht nëna është e tradhëtuar, pasi në shumicë bijtë e bijat e nënës nuk duan të besojnë në Zot, në krijuesin dhe garantin e ekzistencës sonë si familje. Fatkeqësisht vërtet që njerëzit në Shqipëri nuk u bënë kurrë qytetarë, por mbetën thjesht njerëz. Ata vënë dorën në zemër kur dëgjojnë hymnin se “Zoti vetë e tha me gojë”, por nga ana tjetër i luten dhe falen liderëve politikë në familje dhe jashtë saj.

Politika po shkatërron traditën edhe në Shqipëri si në shumë vende të tjera. Qytetarët po ndjehen jashtë sistemit dhe është normale që të luftojnë për t’u dëgjuar. Edhe nëna kujdeset më shumë për më të zëshmit, pasi shpesh ndodh se janë ata që bëjnë ndryshimin. Këta nuk janë politikanët, pasi ata nuk janë të zëshmit, por të dhunshmit. Janë këta të fundit që po i marrin frymën nënës dhe po e vrasin pak nga pak.

Janë këta që po u thonë njerëzve, pasi kanë përzënë qytetarët, se Shqipërinë e krijuan këta, se Shqipëria nisi rrugëtim në 1912 kur këta u thirrën në skenë me të drejtën kur nëna kërkoi që bijtë të kujdeseshin për të, pasi deri atëherë ishte ajo që mundohej t’i mbante bashkë bijtë e bijat. Këtu nisi dhuna ndaj nënës, pasi njerëzit në Shqipëri nuk dinë të kujdesen, por atë e alternojnë me dhunë. Në Shqipëri edhe dashurinë e konsiderojnë vetëm sex dhe madje tejet ofendues. Kur thua të dua jep diçka dhe nuk kërkon kurrë të marrësh.

Ndërkohë politika e njerëzve ka mposhtur dashurinë e qytetarëve për nënën. Politika merr nga nëna, merr famën që e ka krijuar Zoti, por gjithashtu merr edhe bukurinë magjepsëse duke e vënë në dispozicion të djallit, në dispozicion të vrasësve që tregtojnë drogë nëpër botë e paratë e ndyra i sjellin për të blerë emrin qytetar. Kjo është dhuna e njerëzve, por nëna mbijeton dhe vazhdon me instiktin që e ka marrë që në krijim. Nëna jeton për sa kohë ka dashuri dhe dashuria është energji që sipas shkencës nuk zhduket, por transformohet dhe ndikon dhe shpresojmë që të kthehet si energji drejtuese në çdo krijesë të Zotit.

About Redaksia

Check Also

Kur mediat nuk kanë interesin publik primar, por pagesat nga inceneratorët…

Nga Adriana KALAJA Sot gjithë mediat që paguhen nga inceneratorët, dhanë lajmin e dosjes së …