Gëzuar Kosovë 25 vjetorin e Lirisë!

Nga Sali BERISHA

Të dashur miq, sot shqiptarët në Kosovë dhe kudo që janë në mbarë botën festojnë 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës si ditën e parë të lirisë në historinë shekullore të saj. Sot shqiptarët festojnë ditën e bekuar, 25 vjetorin e hyrjes së trupave çlirimtare të Alenacës së Atlantikut të Veriut në Kosovë. Por ne shqiptarët sot kremtojmë 25 vitet e para në historinë tonë shekullore si një komb në liri mbasi liria kombëtare është një dhe e pandarë.

Kosova e lirë ka në themele shpirtin e pamposhtur të qytetarëve të saj ndaj barbarive dhe genocidit ciklik serb, ka luftrat, gjakun, qëndresën epike dhe sakrificën sublime të qindra e mijëra martirëve të saj që luftuan dhe ranë për tu bërë të pavdekshëm për liri dhe dinjitet kombëtar nga vitet 1870 në vitet 1999, ka luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të saj, komandantëve dhe luftëtarëve të lirisë, si faqja më e ndritur në historinë e luftërave të kombit tonë pas atyre të prijësit të përjetshëm të shqiptarve, Skenderbeut.

Pavarësia e Kosovës është vepër e arkitetktit të saj, politikanit vizionar dhe mendje ndritur të kombit shqiptar, Presidenitit Ibrahim Rugova, Gandit të Europës që endi në shpirtin dhe mendjen e shqiptarëve të Kosovës ëndrrën e tyre më të bukur, më fisnike të njeriut të civilizuar, lirinë dhe pavarësinë e vendit. Presidenti Rugova themeloi e ngriti në kushtet e pushtimit më të egër Republikën e Kosovës, pushtetin e shqiptarëve të shtypur paralel me pushtetin e pushtuesve barbarë. Ai paraqiti dhe mbrojti me vendosmëri dhe vizion në Shtëpinë e Bardhë dhe kancelaritë më të mëdha të botës çështjen e drejtë të popullit të Kosovës dhe zgjidhjen e saj. Ai arriti ta shndërroje këtë kauzë në çështje kryesore të axhendës të SHBA dhe vendeve të lira perëndimore!

Liria e Kosovës është vepër e komandantit legjendar Adem Jashari, që i la kombit të vet kreshtën e trimerisë, heroizmit dhe sakrificës si dhe heronjve të tjerë të pavdekshëm dhe dhjetra mijëra luftëtarëve të lirisë që me, guximin, heroizmin, sakrificën e tyre bënë luftën e fundit çlirimtare në Europë për lirinë e Kosovës.

Liria e Kosovës është vepër e shqiptarëve në rajon dhe kudo në bote që moton “Një komb një qendrim” u bashkuan në një si kurrë më parë. Shqipëria pas çlirimit të vet nga diktatura hoxhiste luajti rolin e saj të pazëvendësueshëm!

Por Kosova u bë e lirë vetëm falë mbështetjes së fuqishme dhe rolin përcaktues të SHBA, të Kongresit të këtij vendi dhe Presidentit Bill Clinton, vendeve të mëdha të perëndimit dhe vendeve anëtare të NATO-s që dërguan trupat e tyre në misionin e çlirimit të Kosovës.

Sot në këtë 25 vjetor në rrugën e lirisë me arritjet e saj mahnitse Kosova bën krenar çdo shqiptar. Ajo sot është një demokraci funksionale që ka konsoliduar institucionet demokratike, shtetin ligjor dhe ka arritur standartet më të larta të garantimit të të drejtave dhe lirive të njeriut dhe të pakicave në rajon.

Të dashur miq, duke uruar nga zemra Kosovës dhe qytetarëve të saj dhe mbarë shqiptarëve 25 vjetorin e lirisë, çlirimit të Kosovës ju ftoj të përulemi me nderimin më të madh dhe mirënjohjen tonë më të pakufishme para sakrificës së qindra e mijëra martirëve të saj, luftëtarëve të lirisë, që luftuan e flijuan jetën dhe rininë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, para veprës së pavdekshme të arkitektit të pavarësisë së Kosovës Presidentit Ibrahim Rugova, komandantit legjendar Adem Jashari dhe të falenderojmë me mirënjohjen më të thellë SHBA dhe vendet e tjera anëtare të NATO-s që me ndërhyrjen e tyre luajtën rol përcaktues në çlirimin e saj. Gëzuar! Zoti e bekoftë Kosovën. Zoti i bekoftë shqiptarët dhe miqtë e tyre!

About Redaksia

Check Also

Kur mediat nuk kanë interesin publik primar, por pagesat nga inceneratorët…

Nga Adriana KALAJA Sot gjithë mediat që paguhen nga inceneratorët, dhanë lajmin e dosjes së …