VOA: SPAK në banka për llogaritë dhe transaksionet bankare të Veliajt dhe familjarëve të tij.

Në Tiranë protestues opozitarë dogjën sërish sot goma automjetesh para bashkisë së kryeqytetit, ndërsa kërkonin dorëheqjen e kryebashkiakut Erjon Veliaj.

Një seri protestash kanë nisur prej dy muajsh pas arrestimit nga SPAK-u nën dyshimet për korrupsion të disa drejtorëve – bashkëpunëtorë të tij.

Kjo e sotmja ishte protesta e 11-të që u zhvillua e ngjashme të tjerat; pas disa fjalimeve me akuza për korrupsionin e punonjësve bashkiakë, që e portretizonin kryebashkiakun Veliaj si bashkautor të aferave korruptive me vartësit e tij, disa protestues dogjën goma automjetesh dhe goditën me vezë forcat e policisë.

Gjatë protestës së sotme, një grup mbështetësish opozitarë u përpoqën të thyenin gardhet metalike të policisë, e cila nga ana e saj përdori bombolat zjarrfikëse ndaj gomave dhe sprajtin djegës ndaj protestuesve.

Nga përplasja dyorëshe mes palëve u dëmtuan lehtë disa qytetarë protestues, politikanë dhe punonjës të policisë së shtetit.

Disa drejtorë dhe ish drejtorë të bashkisë janë arrestuar në dhjetor dhe në maj nga SPAK-u si të dyshuar se janë të përfshirë në afera korruptive, kanë përfituar fonde publike, përmes kompanisë 5D, të cilën e kontrollonin me anë të personave të tjerë.

Një çështje tjetër në SPAK, ku janë përfshirë drejtues bashkiakë është edhe ajo e inceneratorit të Tiranës.

Zoti Veliaj është distancuar nga vartësit e arrestuar, duke thënë se cilido i dyshuar për afera duhet të përballet me drejtësinë personalisht, dhe se asnjë drejtues i lartë nuk mund të dijë se çfarë veprimesh kryejnë vartësit e tij. Zoti Veliaj është shprehur i sigurtë se prej asnjë dokumenti të nënshkruar prej tij nuk është shkaktuar korrupsion apo shpërdorim i fondeve publike.

Megjithatë, jozyrtarisht mësohet se SPAK-u ka nisur një hetim pasuror ndaj tij, duke u kërkuar bankave të dhëna mbi llogaritë dhe transaksione bankare të zotit Veliaj dhe familjarëve të tij.

About Krye Redaktor

Check Also

Dash Sula nuk do të jetë në listat për deputet të partisë së re

Kreu i Nismës Thurje (pjesë e koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet), Endri Shabani, është shprehur se …