Tregimi i gjyshit…

Nga Agim Xh. Deshnica

Në kohë të lashta, një karvan i gjatë i nisur nga Teherani me deve e kuaj të ngarkuar me mallra e me njerëz të nxirë nga dielli, pas një shtegtimi të lodhshëm nëpër shkretëtirën e Kara-kumit, shpesh me tufane rëre, u ndal në Samarkand. Në qendër të qytetit zhurmonte pazari me dyqane e tenda. Mbi të ngriheshin lart xhami me disa minare. Afër tyre, nën hijen e hurmave, nga çesmat me gurë të latuar rridhte me gurgullimë ujë i pastër e i ftohtë. Buzë rrugëve me kalldrëm zbardhnin shtëpi  me oborre e puse, me kopshte e lulishte.

Me karvanin udhëtonte edhe një djalosh. Kur nata ra, ai u shtri e fjeti tok me të tjerët pranë dengjeve me mallra. Tani, kur dukeshin përpara malet mbi Andizhan, atij s’po i durohej të arrinte sa më parë në shtëpi e të çmallej me njerëzit e vet. Për ata ai kishte ngarkuar dy kuaj  me sende me vlerë nga Irani.

Të nesërmen, kur dielli i zjarrtë do të ulej drejt perëndimit, karvani i  çlodhur do të nisej për të bërë pjesën e fundit të udhëtimit. Pas një nate e një dite, vargu i udhëtarëve mbi deve e kuaj, me fyej e daulle, me këngë e thirrje, do të hynte nën portën e lartë të  Andizhanit. Ata që gjatë tërë rrugës ishin marrë me shah, me shenja e fjalë, do t’i mbyllnin ndeshjet me piskama e sokëllima.

Udhëtari ynë u zgjua nga rrezet e para të diellit. Afër pazarit, te një çesmë me tre sylynjarë, lau duart e fytyrën,  hëngri mëngjesin, piu ujë dhe zuri vend nën hijen e palmave. Kur dreka po qasej, u ngrit dhe eci përmes turmës, që dyndej në pazar. Prekte paratë në gji dhe mendohej. Papritur hunda i kapi një erë të këndshme qoftesh, kukurreci dhe mishi të pjekur.

Qoftexhinjtë thërrisnin:

– Hajde, qofte me pilaf! Të mira e të lira!

– Kukurrec, kukurrec taze me piper!

– Bozë meli, bozë meli, akull, akull e ftohtë!

Zërat ngriheshin lart dhe përziheshin njëri me tjetrin. Era e qofteve, e kukurrecit, e mishit të pjekur dhe lëngjet e tyre sajonin një kënaqësi të thellë dhe tundim të paduruar. Djalit i shkrepi befas një dëshirë. Iu afrua një qoftexhiu nën hijen e një tende të bardhë dhe nxori nga hejbetë një copë bukë. Me lëvizje të ngadalëshme, e kaloi copën e bukës mbi avullin që lëshonin qoftet sipër zgarës. Iu duk sikur feta e bukës ndryshoi ngjyrë dhe u zbut, ndaj deshi të  largohej, që ta hante shpejt. Por, qoftexhiu me feste të bardhë e kishte parë. E kapi prej mënge e i thirri:

– Ku shkon!? Tund paratë këtu!

– Lëshomë! Ç’para  kërkon nga unë zotrote!?

– Paratë, të thashë! Avulli që ta rregji bukën është i qofteve të mia! Hajde, paguamë pesë groshë dhe thyej qafën!

– Hej, thirri mendjes! Mos të ka rënë dielli në kokë!?

Sherri u fry dhe shpërtheu kacafytja. U mblodh mileti, ia behu edhe xhandari dhe çështja vajti te kadiu.

– Më vodhi avullin ky, kadi efendi! Dua të ma paguajë!

– Si ta vodhi?

– Me copën e bukës…

– E kujt ishte buka?

– E tij ishte!

– Ashtu, hë?

Kadiu iu kthye djalit:

– Po ti ç’thua?

– Unë nuk i vodha gjë, mora vetëm  pak nga avulli, që  fluturonte në qiell!

– Mirë! Sa para kërkon nga djali ti, or qoftexhi?

– Pesë groshë.

Kadiu iu kthye sërish të pandehurit:

– A ke me vete pesë groshë, djalë?

– Kam, si urdhëron!

– Nxirre një pesëshe dhe  hidhe lart!

Djali ashtu bëri. Paraja u ngrit në ajër, mandej u rrëzua në dyshemenë e gurtë. Pasi u rrotullua disa herë, duke  tingëlluar, ndaloi dhe heshti.

– Merre prapë dhe fute në xhep! – i tha djalit kadiu dhe iu drejtua qoftexhiut: – Fute në trastën tënde ajrin tek kaloi monedha, or ti,  dhe je i paguar për ç’kërkon! – Ai goditi me çekiç mbi tryezë dhe e shikoi qoftexhiun i ngrysur:  – Hiqmu nga sytë tani, hileqar, – i bërtiti, – sa s’kam dhënë urdhër të ta hyjnë me shkopinj kurrizit!

Të gjithë në sallë u kënaqën me drejtësinë e kadiut të zgjuar dhe ia shkrepën gazit.

About Redaksia

Check Also

Ndahet nga jeta shkrimtarja Vilhelme Vranari Haxhiraj

Nga Bujar Leskaj Sot, datë 29 prill 2026 ,zonja fisnike, shkrimtarja Vilhelme Vranari Haxhiraj, në …