Begaj dhe Balla sajojnë vizita shtetërore në Gjermani, dy bileta për Hamburg

Golat e kombëtares këtë europian në Gjermani janë nga ato ngjarje që kur të kujtohen pas disa vitesh, do të tregohen me mburrje prej atyre që ishin në stadium kur Bajrami shënoi golin e 23 sekondave me Italinë, apo kur Qazim Laçi na kaloi në avantazh me Kroacinë.

Mes këtyre, e sigurtë është që do të ketë shumë politikanë. Nëse dikujt i duhet të takojë deputetë, ministra, kryetarë të bashkive, drejtorë, kryetarë të institucioneve të pavarura dhe lloj lloj kategorie tjetër shefash të administratës shtetërore e ka më të lehtë t’i gjejë rrugëve të Gjermanisë se nëpër zyrat e tyre të punës.

Seanca e fundit parlamentare u zhvendos sepse interferonte me ndeshjen kundër Italisë. Deputetët kishin prerë biletat e avionëve dhe prenotuar hotelet në Gjermani. Nuk mund të ishin në dy vende njëkohësisht.

Që nga 13 qershori, komisionet parlamentare nuk mblidhen më.

I vetmi që është ankuar për këtë braktisje masive të punës në parlament ishte Gazment Bardhi, kreu i grupit parlamentar të PD-së.

Por ankesat e tij ranë në vesh të shurdhër. Në ndeshjen me Italinë, në tribunën VIP kishte edhe deputetë të opozitës, fare pranë vendit ku ishte kryeministrit Edi Rama me familjen.

Image

Ndryshe nga ç’bën zakonisht, Edi Rama u tregua i kujdesshëm për udhëtimin drejt Gjermanisë. Në rrjetet sociale u publikuan pamje që tregonin se Rama shkoi në Gjermani me avionin e AIR ALBANIA të paguar nga Federata Shqiptare e Futbollit. Pas ndeshjes së parë, u kthye në Tiranë.

Shumë pranë Ramës, në tribunë, ishte Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i vetmi nga qeveria që gjendej në tribunën VIP atë ditë.

Filmimet më poshtë janë publikuar në rrjetet sociale nga Balla dhe tregojnë se ai ishte ulur në krahun e djathtë të kryeministrit. Video më poshtë:

Dëshira e Ballës për t’i njohur nga afër lojtarët e kombëtares ka rënë në sy nga videot dhe fotot që ai publikon në rrjetet sociale. Për t’i takuar dhe filmuar pak sekonda, me gjasë Ballës i duhet të sorollatet nëpër korridoret e stadiumeve që të sigurojë ndonjë përshëndetje me ta në kamera.

Kjo sjellje, prej adoleshenti të vetëkënaqur nga privilegjet e pushtetit, e ka bërë Ballën të kërkojë një pretekst për t’u kthyer në Gjermani dhe për të parë ndeshjen e dytë të kombëtares, atë me Kroacinë.

Për këtë i është dashur të sajojë një takim me Ministren e Brendshme të Gjermanisë, Nansy Faesser.

Në njoftimin që ka shpërndarë për mediat, zyra e shtypit e Ballës nuk jep një arsye konkrete për takimin.

Aty thuhet mes të tjerash se Taulant Balla i shprehu “mirënjohje Qeverisë dhe Policisë Federale për mbështetjen e ofruar policisë kriminale dhe forcave RENEA. Falë mbështetjes së vyer gjermane Policia e Shtetit do të ketë një shërbim modern dhe të sigurtë komunikimi të brendshëm”.

Video më poshtë:

Kuptohet se takimi ka qenë një sajesë, një pretekst. Si mund ta justifikonte ndryshe udhëtimin e tij në Hamburg Taulant Balla?

Ditën e sotme ai ishte vërtet në stadium, madje në tribunën VIP për të shijuar emocionet e golave të Qazim Laçit dhe Klaus Gjasulës. Pranë tij ishte edhe presidenti i republikës, Bajram Begaj. Foto më poshtë:

Image

Bajram Begaj nuk ishte vetëm. Në shkallët e stadiumit, ai kishte marrë edhe bashkëshorten dhe dy djemtë e tij për të parë ndeshjen.

Fotot më poshtë:

Image

Dëshira për të ndjekur kombëtaren këto ditë është normale për çdo shqiptar, por udhëtimi i Bajram Begajt dhe i Taulant Ballës dallon nga udhëtimet e ministrave apo deputetëve të tjerë.

Ndryshe nga ata, që kanë lënë punën, por kanë udhëtuar me shpenzimet e tyre drejt Gjermanisë, Begaj dhe Balla kanë shpikur arsye shtetërore për t’u futur në stadium. Dhe për këtë shpikin tema të tilla, si lufta kundër krimit, integrimi në BE etj, gjoja për të justifikuar vizitat.

Madje në njoftimin e presidencës shqiptare njoftohet se Bajram Begaj udhëtoi drejt Gjermanisë sepse e kishte ftuar presidenti Frank-Walter Steinmeier.

“Në fokus të takimit mes Presidentit Begaj dhe homologut Steinmeier do të jenë marrëdhëniet dypalëshe, procesi i integrimit të Shqipërisë në BE, zhvillimet në Ballkan, procesi i Berlinit që nxit afrimin e rajonit me BE-në, si edhe çështje të tjera të rëndësishme ndërkombëtare për sa i përket mbrojtjes dhe sigurisë” thotë zyra e presidencës.

Kuptohet se e gjitha është një tallje me protokollin shtetëror. Në njoftimin e plotë të presidencës nuk gjen asnjë arsye të qenësishme se përse Presidenti i Republikës Bajram Begaj duhet të udhëtonte për në Gjermani.

Vizita është një sajesë në mënyrë që presidenti të shkojë në stadium për të parë ndeshjen mes Shqipërisë dhe Kroacisë me familjen e tij.

Image

Si për të mos mjaftuar ky banalitet, Taulant Balla ka hyrë si pykë në mes të delegacionit të presidencës gjatë takimit që është zhvilluar mes dy krerëve të shteteve. Balla i është bashkangjitur delegacionit të Begajt në vizitën zyrtare në presidencën gjermane siç shihet nga pamjet e mëposhtme.

Në pak minuta të videos shihet Ministri i Brendshëm që bën një dorë gallatë në takim, sepse në fund të fundit nuk ka asnjë arsye të qartë se pse gjendet aty.

Shpenzimet për të parë ndeshjen Kroaci-Shqipëri në Hamburg janë një pikë në oqeanin e abuzimeve që bëhet me resurset e buxhetit të shtetit. Edhe shfrytëzimi i privilegjeve që ofron pushteti është një fenomen i zakonshëm, që nuk habit askënd në Shqipëri. Por në rastin e Ballës dhe Begajt, risia qëndron në sjelljen e tyre prej shtetarësh karagjozë që shfaqen edhe më qesharakë kur përfaqësojnë vendin tonë./ Lapsi.al/

About Redaksia

Check Also

Vokshi: Përse nuk thërrisni Ogerta Manastirliun për raportim?

Gjatë seancës plenare të mbajtur në Kuvend, I është dhënë fjala edhe deputetes së PD, …