Agim Xh. Dëshnica
Madhështi blu e lumit pas shtegtimit
të gjatë rrjedh përmes ishujsh-shkrepa,
të vetmuar
qetë e lehtë si në va, afrohet buzë
honi e befas bie
me zhaurimë si det me dallgë shtrëngate.
Niagara Folls!
E ndiej me dridhmë
e buzëgas
furinë e lumit
shëmbien e potershme,
të rrymës ujore,
suvalat shkumbore
tek hidhen lart
e madhërisht shfrehin në liri.
Niagara Folls!
Ortek shungullues rrëkesh, larushi ngjyrash,
rrebeshe shiu
pas rroposjes bubulluese, rishmas buçet,
mjegulla e bardhë, del mbi valë e nget,
përfytyrimi ringjall lashtësinë
Përmbytjen e Madhe të shpëtuar me Varkën e Noes
guximtarët e rinj e të moshuar.
Niagara Folls!
E ndjek ujvarën me ngjyra vjeshte,
tek bie, uturin e brof drejt qiellit, largësive,
mëkon me flakë rrufesh, drita e jetë,
tokën krijim nga Zoti!
Niagara Folls!
E ndjek varkën tek çan ndër valë
afër ditës, larg mugut, ngadalë,
me ëndrra e mirazhe,
larg brengash, pranë shpresës,
punës për lumturinë njerëzore.