“Të gjithë në këmbë”, thirrja e Berishës për betejën e së enjtes

 

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha është ndalur te protesta kombëtare e opozitës e thirrur në datë 11 korrik në orën 20:00 përpara Kryeministrisë. ‘Protesta e 11 korrikut është protestë për rikthimin e votës së lirë në Shqipëri’, u shpreh Berisha gjatë fjalës së tij në protestën maratonë që zhvillohet te ‘Rruga e Shpresës’.

Lideri i opozitës, Sali Berisha ka theksuar se ‘protesta e 11 korrikut është protesta për disa të vërteta të hidhura, por të vërteta që presin zgjidhje nga ne dhe jo anashkalim’. ‘Për secilin prej jush, për çdo qytetar të ndershëm, duhet të marrë fund iluzioni se ka zgjedhje me Edi Ramën’, u shpreh Berisha në tubimin qytetar që zhvillohet poshtë banesës së tij te ‘Rruga e Shpresës’.

Kryedemokrati Sali Berisha u ndal te aksioni opozitar i demokratëve përgjatë këtyre dy viteve, ku Edi Rama nëpërmjet pengjeve të tij, u mundua të caktonte kryetarin e PD. ‘Ne i faktuam mbarë botës se askush nuk mund të na caktojë ne kryetarin përveç votës së lirë të demokratëve’, theksoi Berisha në protestën maratonë te ‘Rruga e Shpresës’.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha është ndalur dhe te protesta kombëtare e opozitës e thirrur në datë 11 korrik. ‘’Kurrë, asnjëherë një pushtues nuk është larguar me fjalë. Është larguar me dajak dhe vepra.

Kryetari i PD, Sali Berisha ka paralajmëruar Edi Ramën për takimin në samitin e NATO-s në ShBA. ‘Ju garantoj se një takim dhe ballafaqim e pret edhe me McGonigalin e tij’, theksoi Berisha gjatë protestës te ‘Rruga e Shpresës’.

Lideri i opozitës, Sali Berisha ka denoncuar presionet e kreut të SPAK, Altin Dumani ndaj mediave. ‘72 orë na ndajnë nga ora jonë! Të gjithë në këmbë kundër kësaj drejtësie kriminale’, theksoi Berisha.

FJALA E PLOTE:

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, mirënjohjen më të pakufishme dhe nderimin më të madh për ju qëndrestarët dhe qëndrestaret e pamposhtur të kauzës së drejtë, të lirisë dhe dinjitetit të shqiptarëve, të interesit kombëtar, të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Një përshëndetje të përzemërt kam për oratorët që nga kjo platformë me guxim përcjellin të vërtetat e mëdha që fsheh censura e egër e regjimit të Edi Ramës ndaj zërit ndryshe, ndaj të vërtetave therëse dhe të hidhura.

Të dashur miq!

Protesta e 11 korrikut është protestë për thelbin e lirisë, për thelbin e dinjitetit njerëzor.

Protestë për rikthimin e votës së lirë në Shqipëri.

Historia e njerëzimit ka faktuar se vota e lirë është mekanizmi themelor i shtetit ligjor, i barazisë para ligjit, i lirisë së tregut, i zhvillimit dhe begatimit të një vendi.

Kombet që nuk kanë pasur votën e lirë, kanë rënë në abiset e historisë.

Kujtoni pak se ku ramë ne në 46 vite diktaturë, në të cilën çdo katër vite shkonim te kutitë e votimit, por votat i numëronte partia terroriste.

Rikujtoni pak se cili ishte shkalla e tjetërsimit njerëzor nga kjo diktaturë dhe mjerimi ekonomik.

Por ata që kanë pasur fatin e madh të mos jetojnë në atë kohë, le të ndalen pak në këtë 10-vjeçar të sundimit të Rilindjes dhe Edi Ramës.

Besoj se për çdo njeri që i thotë lirisë, liri, dinjitetit njerëzor, dinjitet, të cilët nuk mund të ekzistojnë pa votën e lirë, e kanë të qartë se votat e tyre i numëroi Edi Rama me terroristët e tij elektoralë, patronazhistë, aktivistë.

Se votat e tyre i numëroi Edi Rama me Bajrët, Avdylët, Ndokët, Rrajat, mafien e tmerrshme të drogës në Shqipëri dhe në botë.

Të gjitha këto janë një obligim i madh për ne.

Janë një detyrim i madh për çdo demokrate dhe demokrat.

Më 11 korrik, kudo që të jenë, të ndodhet në shesh.

Në protestë, në betejë, në betejë për fitore, në betejë për votën e lirë.

Demokrate e demokratë, 11 korriku është protesta për disa të vërteta të hidhura, por të vërteta që presin zgjidhje nga ne dhe jo anashkalim.

Për secilin prej jush, për çdo qytetar të ndershëm, duhet të marrë fund iluzioni se ka zgjedhje me Edi Ramën.

Duhet të marrë fund mashtrimi se ka zgjedhje me Edi Ramën.

Me Edi Ramën nuk ka zgjedhje.

Vërtet një grup njerëzish marrin ndonjë mandat. Kurse popullit opozitar i mbetet poshtërimi.

I mbetet mashtrimi, shkelmimi dhe tjetërsimi.

I mbetet rruga e vetme të largohet nga Shqipëria.

Në këtë kontekst, ftoj çdo anëtare dhe anëtar të PD, të ngrihet në lartësinë e detyrës së tij, në lartësinë e misiont të tij, në lartësinë e detyrimit të tij për të rikthyer votën e shqiptarëve.

Për të rikthyer votën me çdo çmim, për të rikthyer votën me çdo kusht, për të rikthyer në

Shqipëri demokracinë, shtetin ligjor, dinjitetin e qytetarëve, shpresën dhe të ardhmen e tyre.

Demokrate dhe demokratë, ne faktuam këto dy vite se e vërteta është busulla jonë.

Se për të vërtetën jemi të gatshëm të përballemi me cilindo që kërkon të na shesë mashtrimin për të vërtetë.

Se për të vërtetën, për votën brenda nesh, i faktuam mbarë botës se askush nuk mund të na caktojë ne kryetarin përveç votës së lirë të demokratëve.

Arritëm në një betejë të dhimbshme por epike, të ngrihemi nga këneta ku ishim të zhytur dhe ku kërkonin të na zhysnin edhe më shumë dhe të jemi parti sovrane e vlerave të lirisë.

E vlerave evropiane.

E shpresës dhe të ardhmes.

Por këtë nuk e bëmë vetëm për veten tonë. Jo, kurrë.

Këtë e bëmë para së gjithash për të gjithë shqiptarët.

E bëmë për Shqipërinë.

E bëmë për të mbjellë shpresë dhe besim në rrugë, sheshe, qytetare, fshatra, male, lugina, brigjet e këtij vendi.

Për të kthyer dashurinë e shqiptarëve ndaj Shqipërisë.

Për të kthyer dinjitetin e shqiptarëve.

Ndaj dhe duhet të kuptojmë se beteja e madhe është përpara.

Se 11 korriku është protesta e protestave tona.

Se me 11 korrik, dheu duhet të dridhet.

Demokratët, opozita fakton shumicën.

Do të mjerohen ata, të cilët mendojnë se mund të mposhtin popullin opozitar.

Miqtë e mi!

11 korriku është protestë, mosbindje civile për vetë ekzistencën e këtij kombi.

A do dalim ne në fushë betejë për t’u përballur me pushtuesin e egër, me armikun e egër që po përzë shqiptarët nga Shqipëria, që po boshatis sa asnjë pushtues tjetër këtë vend të bekuar?

Apo do bëjmë sehir dhe do bëjmë qaramanin dhe do besojmë fjalimin se me fjalë, Edi Rama largohet?

Jo, miqtë e mi. Kurrë, asnjëherë një pushtues nuk është larguar me fjalë. Është larguar me dajak dhe vepra.

Është larguar me sakrifica.

Liria kërkon sakrificë.

Vota e lirë kërkon sakrificë.

Dinjiteti kërkon sakrificë.

Interesi kombëtar kërkon sakrificë.

Në shesh të dalin ata djem dhe vajza, burra dhe gra, të betuar për sakrificën.

Të betuar për fitoren.

Shtroni pyetjen: çfarë mund t’i bëjë ky armik, ky pushtues i shpifur, i egër, antishqiptar gjer në palcë këtij kombi dhe këtij vendi?

Çfarë mund të bëjë më shumë se sa me vjedhjet e tij të lërë me një dhe dy vakte në ditë, në uri, 18 përqind të fëmijëve shqiptarë.

Kurse familja e tij të fryjë kontot bankare me studimet dhe projektet që e shoqja bën për fëmijët shqiptarë.

Çfarë mund të bëjë më shumë, më keq Edi Rama për shqiptarët se sa të lërë mijëra e mijëra të sëmurë me sëmundje të rënda pa ilaçe, pa aparatura.

Se sa të kryejë krime kundër njerëzimit, duke i privuar për tre vite 600 vajza e gra nga radioterapia?

Çfarë mund të bëjë më shumë Edi Rama ndaj shqiptarëve se sa me antimasat dhe vjedhjet që bëri, të përcjellë në atë botë 20 mijë shqiptarë. 100 përqind më shumë se në Kosovë, 100 përqind më shumë se në Maqedoni dhe një nga tre-katër vendet më të larta në botë.

Çfarë mund të bëjë më shumë kundër jush të dashur qytetarë, sesa për 8 vite t’u rrokullisë nga vendi me pagat më të larta në rajon, në vendin me pagat më të ulëta në rajon?

Çfarë mund të bëjë më shumë se sa të zhdukë 130 milionë euro djegësin e Tiranës, pa nam, pa nishan?

Të japë njëra pas tjetrës lejet për monumentet e korrupsionit dhe drogës për të marrë për vete 30 përqind.

Të ndërtojë në Shqipëri narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë.

Çfarë mund të bëjë më tepër ky se sa të korruptojë shefin e kundërzbulimit të FBI për Nju Jorkun dhe sot i pafytyri niset për në Nju Jork, për në Uashington për të marrë pjesë në samitin e NATO-s.

Ai ulet aty si kryeministri i damkosur për korrupsion.

Si njeriu që i ka korruptuar njërit nga njerëzit më të besuar në SHBA.

Cilindo që të takojë, ju garantoj se një takim dhe ballafaqim e pret edhe me McGonigalin e tij.

Po, po!

Nuk është Amerika vetëm e Xhorxh Sorosit dhe mafies së tij.

Amerika është e ligjit dhe e vlerave dhe Amerika nuk mund të mposhtet kurrë nga një mafie e pashpirt që bëhet parzmore e njeriut që i rekrutoi, i korruptoi një nga personat më kryesorë për mbrojtjen e saj.

Miqtë e mi!

11 korriku është një protestë e të gjithë shqiptarëve për të cilët pa drejtësi nuk ka liri.

Shikoni çdo ditë të shpërfytyruarin, pengun Altin Zamani.

Ky mercenar në krye të organizatës kriminale kërkon një vit burg për gjykatësin që kishte 60 metër katrorë banesë në Golem të paidentifikuar.

Dhe këtu nuk justifikohet asnjë njeri për asnjë metër katror.

Po zotëria e tij me tre apartamente? Po Dumani me tre apartamente, duke larë paratë e pista që ka përfituar?

Si i bëri paratë për tre apartamente.

Ndaj dhe ai rri peng i Edi Ramës.

Ndaj dhe ai firmos sot 21 mandate dhe i kapërdin me turp të nesërmen sikur nuk janë.

Ky peng është edhe pengmarrës. Mban peng gazetarë, sulmon gazetarë të cilët i nxjerrin fytyrën në shesh atij.

Vazhdon presionin dhe terrorin ndaj Elton Qynos, gazetarit guximtar që publikoi dosjen e shitur nga Dumani për vrasësin serial Dumani.

Miqtë e mi!

A keni dëgjuar kund në botë përveçse me këtë mercenar, se ai po heton kush nxori sekretin, në një kohë kur ai nxori vetë sekretin bashkë me bashkëpunëtorët e tij?

A ka drejtësi më kriminale, a ka drejtësi me qesharake se kjo?

Ky tallet sepse është mercenari i Edi Ramës.

Sepse zbaton si lake urdhrat e tij.

Sepse nuk hap dot asnjë çështje, përkundrazi përpjekjet tona për të hapur çështje me Edi Ramën, përfundojnë të gjitha në dosje kallp nga Altin Dumani.

Ndaj dhe shqiptarë, kush i thotë të drejtës të drejtë, në këmbë dhe në betejë, në betejë dhe vetëm betejë për triumfin e të vërtetave.

72 orë na ndajnë nga ora jonë.

72 orë na ndajnë nga ora e fitores.

Ndaj dhe u bëj thirrje, të gjithë në këmbë, të gjithë në shesh.

Të enjten, në ora 8.

Fitore, fitore, fitore!

About Krye Redaktor

Check Also

Berisha: Është koha për sulm, t’u dëshmojmë partnerëve tanë se shqiptari i ndershëm nuk ka humbur kurrë besimin tek vota

Lideri i opozitës, Sali Berisha deklaroi se tashmë është koha për sulm, t’u dëshmojmë partnerëve …