Lideri i opozitës, Sali Berisha i ka bërë thirrje shqiptarëve që të dalin nesër masivisht në shesh për t’i dhënë një mesazh të fortë mafies shqiptare dhe ndërkombëtare.
‘Të dalim në shesh për t’i thënë mafies shqiptare dhe ndërkombëtare se ky vend nuk është koloni, por vend i pavarur dhe sovran’, u shpreh Berisha në tubimin qytetar që zhvillohet në mbështetje të tij te ‘Rruga e Shpresës’.
“Të dashur qytetare dhe qytetare, patriote dhe patriotë shqiptarë, u ftoj të gjithëve nesër në rrugët dhe sheshet e Tiranës.
Në protestë dhe mosbindje civile ndaj një armiku të egër, të pashpirt të këtij kombi, që largoi në 8 vite rreth 40 përqind të shqiptarëve nga Shqipëria.
Ndaj një armiku që në 10 vite, i futi dhjetëra thika pas shpine Kosovës.
Ndaj një armiku, për të cilin Shqipëria është për plaçkë tregu, për shkak të pushtetit të tij.
Demokrate e demokratë, opozitare e opozitarë, qytetare e qytetarë, nesër çdo shqiptar del në shesh për dinjitetin e tij kombëtar.
Për dinjitetin e tij njerëzor.
Të gjithë ata që besojnë se Shqipëria duhet të ketë opozitë të vërtetë dhe jo vegël të qeverisë.
Për të gjithë ata që besojnë se shqiptarët duhet të zgjedhin vetë deputetët, kryetarët e tyre të partive, duhet të jenë në shesh për t’i thënë mafies shqiptare dhe ndërkombëtare se ky vend nuk është koloni, por është vend i pavarur dhe sovran.
Se mafia nuk do të mposhtë kurrë shqiptarët.
U bëj thirrje të gjithë socialistëve të zhgënjyer, shqiptarë dhe të paparti, të bashkohemi nesër në diversitet, siç u bashkuam ne demokratët për vlerat e lirisë.
Për interesin kombëtar.
Për shpëtimin e Shqipërisë.
O sot o kurrë.
Nesër në shesh të gjithë!
Nesër është ditë e nxehtë, por mbi vapën, mbi klimën, mbi çdo gjë do të ngadhënjejë guximi, forca, bashkimi i qytetarëve shqiptarë si kurrë më parë në rrugët dhe sheshet e Tiranës.
Rrofshi ju, rroftë Shqipëria.
Fitore, fitore, fitore!”, tha Berisha.