PD: Kryebashkiaku i Shijakut prish shtëpitë e banorëve për të ndërtuar supermarket

Zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli denoncoi abuzimet e kryebashkiaku i Shijakut, Elton Arbana.

Ajo tha se, Arbana ka prishur shtëpitë e banorëve për të ndërtuar supermarket, ndërkohë që nuk dëmshpërblen të dëmtuarit nga tërmeti i vitit 2019.

Deklarata e zëdhënëses së antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli:

Në adresën e Antikorrupsionit të PD kanë mbërritur denoncime nga banorë të Shijakut lidhur me shkeljet e kryetarit të kësaj bashkie Elton Arbana.

1. Me anë të Vendimit nr.369, datë 03.08.2020 (nr.6095 prot) Elton Arbana në kundërshtim me ligjin ka miratuar leje ndërtimi për kompleksin e parë të vilave me adresë Lagjia Popullore Shijak.

Denoncuesit theksojnë se Kompleksi Rezidencial është ndërtuar në tokë bujqësore, (Kodër Shilore Shijak), me leje ndërtimi në kundërshtim me ligjin për urbanistikën pasi kompetencat për lejet e ndërtimit e komplekseve rezidenciale i ka vetëm KKT dhe se në këmbim të kësaj leje ndërtimi Kryetari i Bashkisë së bashku me 2-3 punonjës së bashkisë janë shpërblyer me nga 1 vilë secili. Ata na vendosën në dispozicion edhe pamjet që shihni pas meje.

2. Hedhje mbeturinash në pyll..

Bashkia Shijak në kundërshtim me ligjin edhe pse zyrtarisht prononcon të kundërtën me fjalë depoziton mbetjet në zonë kadastrale pyjore, me distancë rreth 100 m pranë lumit Erzen, ndërmjet fshatrave Cizmeli, Shetel dhe Eminas i Vogël (Gjepalaj Shijak), duke kryer krim mjedisor pasi vetë bashkia, këtë zonë, e ka të regjistruar në inventarin e saj si zonë pyjore.

Mbetjet groposen nën tokë në shtresa aluvionale, duke ndotur kështu ujin e puseve përreth.

Denoncuesit cituan edhe se është falsifikuar procedura gjatë shqyrtimit dhe marrjes së vendimit të këshillit bashkiak për këtë qëllim pasi anëtarëve të tij nuk u është paraqitur gjendja reale dhe janë detyruar specialistët e bujqësisë pranë bahkisë që të japin konkluzione në favor të shkeljes së ligjit, nuk është marrë konfirmim nga prefektura, nuk është kryer studimi i zonës në fjalë dhe as i janë drejtuar strukturave shtetërore të tjera për dhënie mendimi para marrjes së këtij vendimi pasi sikurse shihet qartë nga pamja kjo është një zonë pyjore.

3. U dhanë shtëpi për banorë të cilët u prekën nga tërmeti 2019 dhe në këmbim ju morën tokën për të ndërtuar një supermarket…

Kjo foto tregon vendndodhjen e tre shtëpive të prishura me qëllim përvetësimin e terrenit në mënyrë të paligjshme nga Kryetari i Bashkisë dhe dhënia po e kundraligjshme e 3 apartamenteve të ndërtuara pas fatkeqësisë natyrore (tërmeti 2019) në këmbim të terrenit 3 shtetasve me inicialet: D. RR., M. RR., dhe RR. RR.

4. Për një godinë të padëmtuar nga tërmeti janë marrë 8 mil lekë për dëmshpërblim. Bëhet fjalë për godinën ku aktualisht ka vendndodhjen e ushtrimit të aktivitetit OSHEE Shijak prej 12 viteve. Në katin e 2 të të cilës ushtron aktivitetin një biznes bar-restorant.

Godina nuk mund të jetë e dëmtuar nga fatkeqësia natyrore tërmeti 2019 pasi gjatë gjithë kohës ka funksionuar ushtrimi i pandërprerë i aktivitetit të OSHEE Shijak.

5. Denoncuesit treguan se para tërmetit 2019 kanë qenë rreth 60 familje të pastreha dhe në përfundim janë kompensuar rreth 180 familje.

Familje të ndryshme për të përfituar sa më shumë banesa pas tërmetit kanë kryer divorce fiktive si rasti i familjes me mbiemër me inicialin “F”.

Përveç sa më sipër, sipas mediave, Elton Arbana mbahet mend si i përfshirë në përgjimet e BILD lidhur me dosjen 339 në të cilën zyrtarë socialistë i nënshtrohen grupeve kriminale.

About Redaksia

Check Also

Gjekmarkaj: Kjo është stina e fundit politike për Ramën! Të bashkuar do të sjellim fitoren e PD

Drejtuesi Politik i Partisë Demokratike për Qarkun e Lezhës, Agron Gjekmarkaj ka postuar në faqen …