Kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka ngritur zërin sot në Kuvend, duke shfrytëzuar edhe praninë e kreut të SPAK-ut, Altin Dumanit, për të kërkuar mocion me debat si edhe hetim të shpejtë lidhur me zhdukjen e fondeve të BE-së për fermerët shqiptarë, skandalin me fondet e programit IPARD II.
Duke iu drejtuar nënkryetares së Kuvendit, Ermonela Felajt, Bardhi tha: “Ju e anashkaluat një kërkesë të grupit parlamentar të PD-së për të zhvilluar mocion me debat përsa i takon gjetjeve të Zyrës Antikorrupsion të BE (OLAF) lidhur me fondet në bujqësi dhe nevojën që grupi ynë ka çmuar për sa i takon miratimit të një rezolute që kërkon ngritjen e një komisioni të posaçëm për të analizuar mangësitë në legjislacion dhe bërë të mundur adresimin e të gjitha masave të nevojshme që të zhbllokohen fondet e IPARD III për fermerët shqiptarë.
Ne nuk kemi dashur ta trajtojmë këtë çështje si politike, por të gjithë bashkarisht, meqë këtu janë dhe drejtuesit e institucioneve më të larta të drejtësisë, t’i bëjmë thirrje institucionit të drejtësisë të hetojë me shpejtësi veprimet lidhur me këtë skandal të paimagjinueshëm për një vend kandidat për në BE.
Këto janë nga ato hetime që nuk mund të presin 4 apo 5 vjet siç ka ndodhur me aferat korruptive të kësaj qeverie, sepse BE kërkon rezultatet e këtyre hetimeve dhe vendi nga ana tjetër duhet të marrë masa për të mbrojtur interesat financiare të BE-së që fondin prej 112 milionë eurosh dhënë për sektorin e bujqësisë në vendin tonë ta bëjë efektiv për qytetarët. Kështu që ju lutem t’i referoni të gjitha çështjet që ju janë referuar. Nuk mund të mos referohet mocioni me debat i kërkuar nga grupi më i madh parlamentar i opozitës”, nënvizoi Bardhi.
Gazeta RD