Tre persona kanë mbetur të vrarë mesnatën e të dielës në Memaliaj. Raportohet se Shyqyri Kalemi, Bledar Muka dhe Marsel Çela janë qëlluar me armë duke mbetur të vdekur, ndërkohë që informacionet e para flasin edhe për të plagosur
Dyshohet se shënjestër ka qenë Shyqyri Kalemi dhe pista kryesore që po hetohet është ajo e hakmarrjes.
Viktima, Shyqyri Kalemi, është babai i Andrea Kalemit, kushëritit të Aleksandër Sadikajt të vrarë me eksploziv në Tiranë në korrik 2022.
Andrea Kalemi ka qenë i dyshuar për vrasjen e biznesmenit Edmond Papa në Tiranë në Dhjetor të vitit 2022 i cili u vra per hakmarrje për vrasjen e Aleksander Sadikajt.
Vete Andrea raportohet se i ka shpëtuar dy atentateve në Greqi. Fillimisht ai i shpëtoi një atentati në një ishull ku ishte me pushime dhe tjetri në burg kur u sulmua me thikë.
Ndërsa në Janar të këtij viti në Unazën e Tiranës iu be atentat nga nje makinë në lëvizje djalit tjeter të Shyqyri Kalemit, Zamir Kalemit i cili po lëvizte me një makinë smart. Nga kjo ngjarje ai mbeti i plagosur.
Njoftimi i policisë:
Memaliaj/Informacion paraprak/ Rreth orës 23:20, në lagjen nr. 3, Memaliaj, në lokalin e shtetasit K. K., në rrethana ende të paqarta janë vrarë me armë zjarri shtetasit Sh. K., 74 vjeç, M. C., 47 vjeç dhe G. M., 36 vjeç si dhe ka mbetur i plagosur shtetasi A. K., 57 vjeç, i cili është transportuar për në spital, për të marrë ndihmë mjekësore.
Shërbimet e Policisë, me marrjen e njoftimit, shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë ngritur pika kontrolli në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, Berat, Vlorë. Në drejtim të Memaliajt janë nisur Forcat Speciale Renea, Forcat Kombëtare të Sigurisë si dhe drejtues të lartë të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Nderkohë është ngritur një grup i posaçëm hetimor në drejtimin e Prokurorisë dhe me ekspertë të Departamentit të Policisë Kriminale ku vijojnë punën në vendngjarje për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se autorët menjëherë pas ngjarjes janë larguar me shpejtësi në drejtim të Mallakastrës me një automjet të cilin dyshohet se e kanë djegur në fshatin Bejaj, Mallakastër. Forcat Kombëtare të Sigurisë dhe Renea kanë shkuar në vendin ku po digjet automjeti, kanë rrethuar zonën dhe vijojnë kontrollin për kapjen e autorëve.