Rama-Veliaj dhe Balluku në mes

Nga Basir ÇOLLAKU

Duket se kongresi i socialistëve të shtunën me 27 korrik, i shtyrë për kolaudime të shumta vizitash e pritash, ka një ankth në pritshmërinë sa qeveritare, aq edhe kalendarit të ri elektoral-parlamentar.

Me SPAK-un gjithnjë e më shpesh te dera partiake, mazhoranca është e trullosur, se mbi kë do të vërë dorë shefi, për ta mbajtur ca më gjatë, apo për ta shtyre ca më shpejt drejt derës së kangjellave.

Korridoret politike-mediatike, sjellin gjendjen e rënduar të Erion Veliajt, afria e të cilit me Edi Ramën është nën shenjestrën e një spastrimi milimetrik, ndërsa Belinda Balluku përpiqet ti japë një dorë rivalit, e ta zëvëndësojë në tregun socialist të ambicieve. Bilanci kohët e fundit, është në favor të ministres, kur sasitë e dosjeve, inventari i zgjedhjeve të shkuara dhe koketëria ndaj shefit, favorizojnë atë me bonuese, afërsisht si kompania fantazmë e inceneratorëve.

Veliaj ka 90 përqind të drejtorëve në qeli. Nga hetimi zyrtarisht, nga Prokuroria e Posaçme, pas një zvarritjeje me shumë kosto, ka akuzë për dy grupe të strukturuara kriminale, për vjedhje e plaçkitje në institucionin e drejtuar prej tij.

Një vendim Gjykatës së Posaçme, kërkon përfshirjen në hetim për grup kriminal, bashkë me drejtorët edhe të kryebashkiakut. Erion Veliaj.

Më tej i vëllai, Arbër Veliaj, gjendet në një hetim pasuror, e lidhur kjo me një procedim penal thuajse familjar. Bashkëshortja e zyrtarit gjithashtu është në fokus të veprimeve hetimore.

Ndërsa Balluku, nuk ka mbetur pa një hetim pasuror të endur rreth saj. Ka një drejtor, atë të rrugëve, Evis Berberi, të arrestuar nga SPAK.

Por më lart prokurorët nuk kanë mbërritur ende. As në plazh në Vlorë te anijet e energjisë të fikura, gllabëruese të miliona eurove, nuk kanë shkuar, as te tenderat e rrugëve të arta. Kanë përtuar të hedhin një sy edhe te tunelet për te sarajet e Samirit dhe te këneta e tunelit të Murrizit, rrugës së Llogarasë e asaj të Arbrit.

Investime për shoqninë, ku ka shkëmbime qokash me ndere të mëdha propogande dhe jo vetëm. Duket se Veliaj, pasi shfrytëzoi rastin të kontribuojë në largimin dërrmues të konkurentit të brendshëm partiak, Sajmir Tahirirt, i cili ishte edhe vetëvrasës deri diku, tani në renditjen e pasardhësve, gjendet ngjashëm shenjestër e jo favorit. Prokuroria e Posaçme ka favorizuar kryebashkiakun në mënyrë të pashpjegueshme, duke i dhënë mundësi të pengojë drejtësinë e dëmtojë hetimin, pa kërkuar një masë arresti për të, pa e largtuar nga zyra, në gjithë këtë dëm miliardash. Ku akte e fakte publike ulërasin ndërsa hetuesit ende heshtin.

Bashkiakun kanë nisur ta braktisn për ditë e më shumë ushtarë, rrogtarë e rojtarë. Madje edhe Fatmir Xhafa, i shpërblyer me mandat prej tij, kur Rama e degdisi në fundlistë në zgjedhjet e 2021, qëndron më afër kryeministrit. Duke ofruar devotshmërinë e përdorjes, ka marrë një komision kontrolli për drejtësinë, pasi ka nuhatur kurbanin e rradhës.

Biznesmenët të medhenj e të mesëm, pa harruar banditët e magazinave të parasë pastruese të drogës e korrupsionit, pas Vendimit të Këshillit të Minsitrave se mbi 5 mijë metër katror ndërtim, kalon nga firma e shefit të qeverisë, e shohin Veliajn një makinë që po ikën, ndaj rrinë nën sqetullat e ekzekutivit, kur të pikojë bereqeti.

Nga ana tjetër, tenderat e punëve publike, koncensionet në energji, ku Balluku është orientuese e kontrolluese, bëjnë skedinën afër saj më të favorshme.

Lobingjet e bashkiakut, ku Soros hedh foto më shumë me Ramën, vëlla-motrën e madhe se atë të vogël, janë një ngërç i ri, aq më tepër që në USA , era Trump, ku Rama rrotullohet me pazar nëpër këmbë, ndikon jo pak, tre muaj nga gara zyrtare. Deri tani Veliaj e ka zvarritur fundin.

Vizitat në Amerikë, Turqi, Zvicër, janë blerje vaksinash shtesë, ku as Balluku nuk ka qëndruar urtë në trajektoren USA-BE. Nëse ai merr amnisti, atëherë Prokuroria e Posaçme, të ulë qepenat, të mbjellë domate në oborr, e të mos shesë dardha drejtësie. Edi Rama është një me Veliajn, Ballukun, e çdo hajdut qeveria e bashkie deri në 2 metra, duke qenë në majë të plehut të derdhur. Kjo pasi asnjë qindarkë nuk ka dalë nga thesari, pa dijeninë e tij se ku përfundon e kush përfiton, pa shmangur në asnjë sekond vetveten në tefter.

Asnjë bandit e mafioz nuk ka pastruar para me bashkitë e ministritë, pa dhënë hesap, xhevap, e xhelep para tij. Këtë herë Veliaj ka qafën e shtrirë, e Balluku ankthin e ngrirë.

Në kongresin e së shtunës, janë disa ministra të bërë gati për të këmbyer karriket, e ndoshta kjo është shenjë se për to, kanë mbërritur kallaballëk tefterësh penalë nga partnerët, ku së shpejti do të bëhen mysafirët e “Dumanit”.

Parashikimet e motit politik te socialistët, janë disi tropikale, në varësi të interesit e humorit të Ramës. Por ngrehina ka marrë krisje serioze dhe kongresi do të përpiqet të vërë arna të reja. Koordinatorë e emrorë qarqesh duke pritur të parët e zgjedhjeve parlamenatre nëpër rrethe, do të formatojnë skuadrat. Njëherësh grupet kriminale do të atashohen pranë ekipeve partiake, me garancinë se SPAK do të rrijë rehat, nuk do hapë kutinë e zezë, e dosjet do të zënë njëra-tjetrën. Vëzhgues mund të ketë jo rastësisht e pa qëllim edhe nga Ndrangheta, Sacra Corona Unita, Cosa Nostra, sidomos Sonaloa, e të tjerë. Sepse investimet e kokainës presin vazhdimësi kontratash.

Tani në raportin e Ramës me Veliajn ka mbirë Balluku në mes, si sfiduese për më shumë aksion politik. Megjithatë ,aty ka socialist-komunistë të Zonës së Parë Operative, mbajtës të tapisë së vjetër, të cilët duhet të japin po-në e tyre për çdo aplikim karriere mbi aktualitetin.

About Redaksia

Check Also

Patriot shqiptar?!

Nga Redin HAFIZI Në Shqipëri edhe patriotizmi ka ndryshuar thelbin dhe është kthyer nga ndjenjë …