Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit ka përfunduar hetimet për inceneratorin e Tiranës dhe ka dërguar për gjykim 12 të pandehur.
Hetimet kanë përfunduar vetëm për personat që kanë marrë pjesë në procedurat deri në lidhjen e kontratës koncesionare dhe komunikimi i akuzave është bërë për shkak se ndodhen drejt përfundimit afatet hetimore për veprën penale për të cilën akuzohen.
Mes tyre është edhe ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka, i cili së bashku me të pandehurit e tjerë akuzohen për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal.
Mes personave që iu është komunikuar akuza janë: Lefter Koka, Taulant Tusha, Pëllumb Abeshi, Namik Simixhiu, Bledar Karoli, Alba Thoma, Valbona Ballgjini, Sidita Kopliku, Etleva Kondi, Sidita Tola, Jetmir Llapaj dhe Erjon Murataj.
Për këtë dosje ende nuk janë ekzekutuar masat e ndalimit për Klodian Zoto, Mirel Mërtiri dhe Erjon Murataj. Akuzat fillestare ishin për ‘korrupsion’, ‘mashtrim’, ‘pastrim të parave’ dhe ‘shpërdorim detyre’.
Nuk kanë mjaftuar denoncimet e vazhdueshme nga mediat edhe nga opozita, por edhe këtë herë SPAK me “urdhër politik” ka menduar të amnistojë Erion Veliajn. Prokuroria e Posaçme nuk e ka marrë si të pandehur kryebashkiakun socialiost i cili është përgjegjësi kryesor për aferën e inceneratorit të Tiranës e cila ka “gllabëruar” mbi 150 milionë euro nga buxheti i taksapaguesve shqiptarë.
Kujtojmë që më 30 prill, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u pyet për gati 7 orë për aferën e inceneratorit të Tiranës nga hetuesit e Prokurorisë së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, SPAK. Duke i quajtur hetuesit e SPAK si “dy kolegë hetues profesionistë dhe të disiplinuar”, Veliaj tha ndër të tjera se kishte patur një ezaurim total të çështjes së incineratorëve.
Roli “kyç” i Veliajt tek Inceneratori i Tiranës
Kryebashkiaku Erion Veliaj është jashtë listës së personave të vendosur nën masë sigurie në procedimin penal të inceneratorit të Tiranës. Megjithatë, Veliaj ka një rol kryesor në nisjen e procedurave që u shndërruan në një aferë që llogaritet ti ketë shkaktuar buxhetit një dëm rreth 100 mln Euro.
Në 27 Mars 2017, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, shprehet “dakord në parim” për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës nëpërmjet procedurës koncesionare. Ky është momenti kur merr jetë një prej aferave më të rënda financiare në historinë e shtetit shqiptar.
Veliaj, pa marrë më parë mendimin e Këshillit Bashkiak, merr përsipër në dorë të parë që të aprovojë, megjithëse “parimisht”, një projekt që do t’u kushtojë taksave të qytetarëve të Tiranës rreth 430 milionë euro për 30 vjet.
Nuk është thjesht shmangie e Këshillit Bashkiak. Projekti për ndërtimin e landfillit të Tiranës parashikonte kosto financiare për të gjitha bashkitë e Qarkut të Tiranës, ku përfshiheshin krahas kryeqytetit, edhe Vora, Kamza, Kavaja e Rrogozhina.
Askush nuk pyeti këto njësi të qeverisjes vendore. Qeveria u mjaftua me “dakordësinë në parim” të Veliajt, për t’i dhënë rrugë koncesionit të Sharrës.
Afera e inceneratorit të Sharrës nuk është një “vjedhje e rëndomtë” e dy biznesmenëve që shfaqen si pronarë të koncesioneve, Mirel Mërtiri e Klodian Zoto. Afera e djegësve është një skandal qeveritar dhe, në rastin e impiantit të Tiranës, ekzistojnë të gjithë dyshimet se është i përfshirë “kokë e këmbë” edhe Erion Veliaj.
Kryebashkiaku i Tiranës jo vetëm që ka dhënë ‘dakordësinë në parim” për inceneratorin e Tiranës, por edhe e ka promovuar me vizitat e tij në kantier. E, mbi të gjitha, nuk ka kursyer rreth 100 milionë euro për një shërbim pjesor që ofrohet nga koncesionari ‘Integrated Energy bv”.