Himara… po më pas?!

Nga Iva V.GRILLO

Ajo që pamë dje në zgjedhjet vendore në Himarë është epilogu i një përpjekje disavjeçare të Ramës dhe sponsorëve tê tij për të marrë nën kontroll dhe gllabëruar pasuritë e Himarës.

Së pari, ajo që u shit në 2015 si një “reformë” territoriale ku Himarës tradicionale iu bashkangjitën për efekte elektorale edhe fshatra të Vlorës apo edhe Sarandës (zona që historikisht njiheshin se mbështesnin PS-ne), ishte në fakt një investim apo blindim që Rama bëri për të pasur siguri që Himara ( lexo: pasuritë e saj) do t’i mbeteshin nën kontroll për vitet që do të vinin.

Për të treguar që bashkangjitja e fshatrave të Vlorës Himarës ishte fare e panatyrshme, përveç ndryshimeve demografike qe dihen, mjaftojmë të kujtojmë që këto fshatra nuk kishin lidhje organike me Himarën…madje disa nuk kishin as rrugë lidhëse me të. Por kjo nuk e pengoi zhvatësin e madh që ti fuste të gjithë në një thes elektoral, duke u siguruar se në rast se dikur himariotët për shkak të zhvatjes që u bën nuk do t’a votonin-do të gjente shpëtim tek votuesit tradicionalisht të majtë të fshatrave të Vlorës… siç ndodhi edhe në zgjedhjet e djeshme.

Viti dhe veçanërisht muajt e javët e fundit, kanë qënë dëshmitarë të një aksioni të madh manipulativ elektoral, përsa i përket zgjedhjeve të fundit në Himarë.

“Qilizëm” me listat, përdorim i drejtësisë, i Presidencës, KQZ, gjithë aparatit shtetëror, oligarkëve, mediave, intimidim i votuesve, premtime për pronat, kërcënime për pronat, kufizim të drejte për të votuar për kundërshtarët potencialë, nxitje e narrativës nacionaliste, e shumë e shumë të tjera.

Dhe këto makinacione na kanë dhënë një rezultat që është sa i panatyrshëm po aq edhe komik: Himara do të drejtohet nga një “dhëndër” nga Dropulli…fitorja e të cilit është përcaktuar nga votat e fshatrave të Vlorës…

Besoj se rasti i Himarës do të përbëjë një rast studimi e konkretizimi të kapjes së procesit zgjedhor në një shtet të kapur.

Rezultati i djeshëm sa është epilog i përpjekjeve disavjeçare të një zhvatësi serial për të kontrolluar një nga perlat e Shqipërisë, po aq mund të jetë fatkeqësisht prolog i asaj se çfarë do të ndodhë në zgjedhjet e 2025 – në qoftë se nuk rishikohet urgjentisht tempi, nervi dhe strategjia e luftës opozitare.

Krijimi i një fronti të përbashkët opozitar dhe kërkesa për një qeveri teknike janë kushtet minimale të cilat mund të krijojne disa premisa për prishjen e këtij “qilizmi” elektoral.

Por kjo do punë, rebelim dhe mbi të gjitha kreativitet në aksione dhe mendje të hapur.

Himara e bëri sakrificën e vet dhe pavarësisht rezultatit të përgjithshëm të djeshëm, përsëri qëndroi aq sa mundi.

Tani pyetja është: çfarë ndodh më pas?

Qytetarët, opozita, shoqëria civile duhet të vrasin mendjen sa nuk është përfundimisht tepër vonë…

About Redaksia

Check Also

Ndërkombëtarët duhet ta falënderojnë Berishën

Nga Reldar DEDA Protestat opozitare kanë qenë një element i pandashëm i tranzicionit, me rezultate …