Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, përmes Kryetarit të Grupit Gazment Bardhi, i ka kërkuar përsëri sot SPAK të nisë hetimet për ish-drejtorin e Autoritetit Portual Durrës, Ministrin e ri të Mbrojtjes, Pirro Vëngu.
Shkak për këtë shtesë në kallëzimin e njoftuar më 31 Korrik,janë bërë disa shkelje ligjore që ish drejtori i Portit të Durrësit ka bërë gjatë ushtrimit të detyrës.
Në kallëzim shtesë drejtuar SPAK janë evidentuar shkelje të kryera nga shtetasi Pirro Vëngu që përmblidhen si më poshtë:
(i) mosrealizim të të ardhurave për shkak të favorizimit të subjekteve private;
(ii) shpërblime të pamerituara për punonjësit;
(iii) shpenzime të panevojshme dhe të pajustifikuara për karburant;
(iv) mosarkëtimi të borxheve të prapambetura;
(v) shkelje flagrante në procedurat e prokurimit publik;
(vi) mosrespektim të detyrimeve ligjore dhe kontraktore në kontratat për dhënie me qira të ambienteve/trojeve;
(vii) favorizim në kundërshtim me ligjin i subjekteve që kryejnë përpunimin e mallrave; dhe
(viii) mungesa e kontrollit dhe favorizimi i koncesionarëve që operojnë në Portin e Durrësit.
Konkretisht:
– Nga verifikimi i 11 procedurave të prokurimit publik, me vlerë 34 milionë euro, rezulton se janë kryer një sërë shkeljesh ligjore nga Drejtori i Përgjithshëm i APD-së, Pirro Vëngu. Karakteri sistematik dhe i përsëritur i këtyre shkeljeve me efekt tepër negativ për Buxhetin e Shtetit dhe në favor të subjekteve tregtare private, dëshmon për një veprimtari kriminale të organizuar dhe të qëndrueshme të shtetasit Pirro Vëngu, në cilësinë e titullarit të Autoritetit Portual Durrës.
– Nga auditimi i 72 kontratave për dhënien me qira të ambienteve dhe trojeve të depozitimit, rezulton se për tarifimin e subjekteve nuk respektohet VKM nr. 54, datë 05.02.2024 ‘Për përcaktimin e kritereve, të procedurës e të mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontrata të tjera të pasurisë shtetërore’.
– Nga verifikimi i kontratave me tre kompanitë që operojnë për kryerjen e përpunimit të mallrave (ngarkim-shkarkim), rezulton se janë favorizuar operatorin ekonomik dhe vënë në vështirësi financiare Portin e Durrësit.
– Nga verifikimi i kontratave me tre kompanitë koncesionare, konstatohet se nuk janë kryer investimet sipas parashikimeve kontraktore; ka mangësi në menaxhimin e sistemit për monitorimin e kontratës së konçesionit në terminalin e trageteve, çka ka sjellë ulje të ardhurave për Portin e Durrësit, duke favorizuar në kundërshtim me ligjin kompanitë koncesionare.
– Sipas një analize të bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit si rezultat i veprimeve dhe mosveprimeve të shtetasit Pirro Vëngu është shkaktuar:
- a) dëm ekonomik prej 124.792.132 lekë, që përfaqëson shpërblime të padrejta, penalitete dhe pagesa për punime të pakryera gjatë zbatimit të kontratave.
- b) efekte negative në administrimin e fondeve publike për menaxhimin me ekonomicitet, eficencë dhe efektivitet të tyre në vlerën prej 2.575.066.085 lekë, në zbatimin e procedurave të prokurimit publik, shpërblimet ndaj punonjësve, nga gjyqet për largimet e padrejta nga puna të punonjësve, mosshfrytëzimin e aseteve.
- c) të ardhura të munguara në vlerën 119.406.605 lekë në mos shfrytëzimin e aseteve të APD në përpunimin e mallrave rifuxho, por janë përdorur kompanitë stivadore.
Në këto kushte, ekzistojnë dyshime të arsyeshme të bazuara mbi prova, se Pirro Vëngu, ish-drejtor i Autoritetit Portual Durrës, dhe aktualisht ministër i Mbrojtjes, ka konsumuar veprat penale të ‘Shpërdorimit të detyrës’ dhe ‘Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike’, të parashikuara nga nenet 248 dhe 258 të Kodit Penal.