Nga Arman MAHO
Ouu, ky merr 224 mije metra me ligje e vendime qeverie dhe unë dilkam i paguar nga Athina.
Ai vendim gjykate duhej të ishte publik, po e ishte fshehur me nikoqirllëk. Si qysh e tek më ra në dorë mua është eksperiencë e një gazetari prej 24 vitesh tani, pra që nga ajo kohë kur KM i sotëm s’kishte hequr akoma vathët kur hynte në zyrë. Greqia s’ka të bëjë fare. Në Greqi kam qënë vetëm një herë në vitin 2018 në Parga, ku kam ndenjur disa orë me gruan dhe djalin, e jam kthyer prap.
Ustallarët e TIMS e mund ta verifikojnë fare mirë këtë.
E dyta ai rekurs në Gjykatën e Lartë që përmend zotëria s’ka asnjë vlerë, sepse vendimi i Apelit është ekzekutiv dhe këto lehtësira i ka bërë kryeministri. ATP do ishte mirë ta bënte detyrën atëherë kur ishte për ta bërë sepse tani nuk pi më ujë, këto marifete t’ja thotë ndonjë tjetri.
KM duhet të japë përgjigje, fjala vjen, pse vetëm dy javë pasi fitoi gjyqin fisi i tij, ndryshoi VKM-në 708 të vitit 2018, ku janë bllokuar të gjitha tokat shtetërore në jug (në fakt i gjithë jugu shtetëror është) për t’ia kaluar investitorëve strategjikë (medemek Kumbaros). Shtesa 1.1 e cila përjashtonte ato prona që janë në proces regjistrimi fillestar, madje pa dalë akoma ligji 20/2020.
Po me ligjin e sipërcituar, pra 20/2020, ASHK është kthyer edhe në rregulluese hartash se ato me të cilat u fitua kjo çështje në Apel, janë aq lesh e li, sa duket qartë se mos kishte atë pushtet s’do kishte kadi e perëndi qe t’i bënte derman.
E katërta, nuk janë kullota larg bregut se nja 13 e kusur hektarë sipas VKM i janë poshtë rrugës kryesore, por tani thjeshte duhet saktësuar se ku do jetë. Ne dimë fare mire se 13 hektare poshtë rrugës nacionale Vlorë-Himarë, kullota e pyje kanë mbetur vetëm te kanioni i Gjipesë, dhe kurora mbi bregdet deri në Jalë, pasi ishte dhe pjesa që mbronte ullishtat nga suferina e detit. Pjesa tjetër poshtë Vunoit janë siç e thamë, ullishta të shpërndara me 7501 deri në Vishë të cilat përjashtohen nga ligji.
Tani është apo s’është pronar Rama me të tijët në këtë sipërfaqe, duhet të shohim letrat dhe jo reagimet kilometrike në FB. Pozicioni i tij si kryeministër, ja detyron që çke me të, por një gjë na thanë ata njerëz atje, që akoma nuk i janë njohur trojet e shtëpive që i kanë që nga 1800-ta dhe janë në proces legalizimi. Pronar të kullotave dhe malit Mjegullosh në atë fshat s’kanë qënë kurrë askush në mot të motëve. I merr me fermane qeverie kjo është tjetër gjë, por e vërteta kjo është.
22.4 hektarë në Vuno siç me tha një nga ata njerëzit janë sa ndonja 600 hektarë në Myzeqe, ku dhe Vrionët që ishin ndër fiset më të pasura të Shqipërisë, nuk i kishin.
Ja kështu ta gëzoje KM fitoren e Tavos!
ps: në faqen e KM nuk komentoj dot se më ka bllokuar ka nja ca vjet. Se përse duhet me pyet Fugën
Gazeta RD