Media turke zbardh urdhërat e Erdogan për Ramën në bisedën e censuruar nga njoftimi zyrtar

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një bisedë telefonike me Presidentin e Turqisë Rexhep Tajip Erdogan mbrëmjen e sotme teksa raportohet se të dy kanë diskutuar për një sërë temash.

Mësohet se gjatë telefonatës u trajtuan jo vetëm marrëdhëniet Turqi-Shqipëri, por edhe çështjet rajonale dhe globale, raporton agjencia Anadolu.

Sipas asaj që njoftohet nga Zyra e Komunikimit të Presidencës së Turqisë, Erdogan ka vënë në dukje se kontaktet tregtare, ekonomike dhe ushtarake dhe bashkëpunimi në industrinë e mbrojtjes do të forcohen më tej me hapa të rinj që do të ndërmerren.

Erdogan është ndalur edhe te rëndësia e përpjekjeve të organizatës FETO për të fituar terren në Shqipëri.

Ai ka shprehur besimin e tij gjatë telefonatës me Ramën se do të vazhdojnë përpjekjet që organizata e FETO-s brenda institucioneve arsimore, mjekësore dhe fetare në Shqipëri të përfundojë.

FETO dhe udhëheqësi i saj me bazë në SHBA, Fethullah Gulen akuzohen se kanë orkestruargrushtin e dështuar të shtetit më 15 korrikut 2016 në Turqi, në të cilin 252 persona u vranë dhe 2734 u plagosën. Ankaraja gjithashtu akuzon FETO-n se qëndron pas një fushate të gjatë për të përmbysur shtetin përmes infiltrimit në institucionet turke, veçanërisht në ushtri, polici dhe gjyqësor.

Erdogan ka kërkuar vazhdimisht nga Shqipëria që të mbyllë institucionet arsimore që Turqia i konsideron si të lidhura me lëvizjen e klerikut Fetullah Gylen. Konkretisht, kolegjet turke që veprojnë në vendin tonë si institucione parauniversitare për vajza dhe djem.

Në vitin 2022, Këshilli i Ministrave vendosi mbylljen e institucionit arsimor parauniversitar “Mehmet Akif Ersoy”, i cili funksiononte si kolegj për vajza dhe djem dhe financohej nga fondacioni “Gulistan” i lakuar për lidhjet me klerikun turk Fetullah Gylen. Gjatë vizitës së tij në Tiranë në janar 2022, Erdogan u shfaq i paduruar dhe e quajti lënduese faktin se lëvizja e kundërshtarit të tij politik kishte ende fushë veprimi në Shqipëri.

Në shtator 2020, qeveria mbylli edhe disa institucione të tjera arsimore fetare dhe laike të ngritura me financime turke.

Mbyllja brenda një dite e medreseve “Hafiz Abdullah Zëmblaku” në Korçë dhe “Ali Korça” në Kavajë, si dhe institucionit parauniversitar “Memorial International School of Tirana”, që administrohej nga Shoqëria “Turgut Ozal Education” nuk pati një arsyetim publik, por agjencia turke e lajmeve “Anadolu Agency” i quante të lidhura me “strukturat e organizatës terroriste FETO”.

About Krye Redaktor

Check Also

Takimi i Ramës në Dubai me kartelin e drogës “Sinaloa” dhe bosët e krimit

Dubai është një nga vendet e preferuara të Ramës. Ai viziton shpesh Dubain, natyrisht jo …