Dëshmia e të mbijetuarës nga mbytja e jahtit të miliarderit britanik

Jonathan Bloomer, kryetar i Morgan Stanley International dhe avokati Chris Morvillo janë në mesin e gjashtë personave të zhdukur pasi një jaht luksoz u përmbys në një stuhi në Sicili të hënën, tha Mbrojtja Civile e Siçilisë për BBC.

Manjati britanik i teknologjisë Mike Lynch, 59 vjeç, dhe vajza e tij Hannah, 18 vjeçe, janë gjithashtu të zhdukur pas aksidentit pranë portit Porticello, në lindje të Palermos. Në jahtin luksoz 56 metra ndodheshin 22 persona, shtetas të SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe Kanadasë. Pesëmbëdhjetë persona u shpëtuan dhe Mbrojtja Civile e Sicilisë konfirmoi se trupi i kuzhinierit ishte gjetur.

Dëshmitarët i thanë agjencisë italiane të lajmeve ANSA se spiranca e jahtit ishte ulur kur stuhia goditi, duke shkaktuar thyerjen e direkut, humbjen e ekuilibrit dhe fundosjen e anijes. Jahti shtrihet në shtratin e detit në një thellësi prej 50 metrash dhe zhytësit po përgatiten të vazhdojnë kërkimin për të zhdukurit.

Mike Lynch, një nga pasagjerët e zhdukur, “është Bill Gates i Britanisë”. Ai bashkëthemeloi kompaninë e softuerit Autonomy dhe në vitin 2011 ia shiti gjigantit amerikan të kompjuterave Hewlett-Packard (HP) për 11 miliardë dollarë. Në qershor, ai u shpall i pafajshëm në SHBA nga akuzat e shumta të mashtrimit, për të cilat u kërcënua me 20 vjet burg.

Jahti u mbyt në të njëjtën ditë kur i pandehuri i mashtrimit të Lynch, Stephen Chamberlain, vdiq pasi u godit nga një makinë.

Jahti luksoz mund të strehonte deri në 12 mysafirë në gjashtë suita. Pronarja është Angela Bacares, gruaja e Lynch – e cila është një nga 15 personat e shpëtuar. Një nënë dhe foshnja e saj njëvjeçare nga Britania e Madhe mbijetuan. Gruaja tregoi se e mbajti fëmijën e saj mbi sipërfaqen e detit për ta shpëtuar nga mbytja.

Ajo i tha gazetës italiane La Repubblica se familja e saj mbijetoi sepse ishin në kuvertë kur jahti u fundos.

“Na zgjuan bubullimat, rrufetë dhe dallgët. Ndiheshim sikur po vinte fundi i botës. Për dy sekonda humba vajzën time në det dhe më pas e përqafova shpejt”, citon gazeta. Të mbijetuarit treguan se udhëtimi ishte organizuar nga Lynch për kolegët e tij të punës.

Një anije e afërt me flamur holandez shpëtoi të mbijetuarit derisa mbërritën shërbimet e urgjencës. Pasi stuhia kaloi, kapiteni Karsten Borner tha se ekuipazhi i tij vuri re se jahti pas tyre ishte zhdukur.

About Krye Redaktor

Check Also

Kur punëdhënësi është Soros…

Nga Redin HAFIZI Në një ndër takimet e tij në diasporë Adriatik Lapaj u pyet …