Nga Lutfi DERVISHI
Në një kontinent që është në buzë të katastrofës demografike, Shqipëria, që jo rrallë po mban peshë më shumë se ç’i mbajnë gjunjët, peshë që duhet ta mbanin fuqitë e mëdha, po shfaqet si një një superfuqi humanitare.
Ndërsa BE po përballet prej dekadash me plakjen e popullsisë dhe mungesën e fuqisë punëtore, Shqipëria ka marrë përsipër detyrën herkuliane për të shpëtuar e vetme unionin.
Gjermania, vendi që është quajtur motorri ekonomik i Europës po përballet me deficit të fuqisë punëtore dhe me tepricë të pensionistësh. Por ndërhyrja e Shqipërisë duke dërguar bujarisht më të mirët dhe më të ndriturit e saj për të menaxhuar linjat e prodhimit, spitalet dhe shtëpitë e pleqve të Evropës Perëndimore, po ringjall shpresën e humbur.
Ky akt vetëflijues nuk mund të nënvlerësohet; duke zbrazur spitalet, shkollat, fshatrat dhe qytetet e saj, Shqipëria po bën të mundur që të moshuarit në Frankfurt të marrin dozën e tyre të përditshme të kujdesit. Në fund të fundit, çfarë vlere kanë disa fshatra e qytete të braktisura në Shqipëri përballë nevojës që ka aleatja strategjike dhe mikja e madhe Gjermania, për ndërtues, shoferë, infermirë, mjekët etj etj?
Dhe të mos harrojmë Italinë, vendin e picës, pastave, serisë A dhe, kohët e fundit, të krizave të papunësisë dhe migrimit. Shqipëria, që ka lindur borxhlie ndaj fuqive të mëdha, dhe veçanërisht Italisë, ka vendosur t’i heqë gjitonit në hall dhimbjet e kokës së emigracionit.
Në vend që Italia, e braktisur, nga vendet e tjera të Unionit, të përballet e vetme me azilkërkuesit Shqipëria i ka vënë gjoksin punës duke hapur bujarisht dyert e Shëngjinit qytetit bregdetaro-turistik, duke e shndërruar atë në një kamp emigrantësh me pesë yje.
Është një zgjidhje e vetëofruar ku të gjithë dalin të fituar—Italia e ruan reputacionin e saj si parajsë turistike e paprekur, BE mëson si zgjidhet problemi i emigrantëve dhe Shqipëria fiton hijen ekzotike të multikulturalizmit, për të cilin ka aq shumë nevojë.
Por kontributet e Tiranës nuk përfundojnë këtu. Ndërsa bota bëhet gjithnjë e më e ndërlidhur dhe globalizimi është në zenitin e tij, Shqipëria ka kthyer vështrimin e saj drejt Lindjes.
Dikur udhëheqësi i fundit komunist thoshte se ne nuk jemi as Lindje as Perëndimi, sot jemi urë, madje ë shumë se urë mes Lindjes dhe Perëndimit.
Konferenca vjetore e ambasadorëve që po zhvillohet këto ditë në Tiranë, e ka kapur demin për brirësh. E informuar shumë mirë që Indonezia, Tailanda dhe Filipinet po përballen me papunësinë e lartë mes të rinjve, diplomacia shqiptare ka ndërhyrë për të ofruar tregun e saj të punës si një varkë shpëtimi.
Është një koncept revolucionar: shkëmbejmë kokë për kokë të rinjtë e ikur të Shqipërisë me energjinë e pashfrytëzuar të Azisë Juglindore. Tek e fundit kush ka nevojë për talente vendase kur gjithçka (si shumëçka në vendin e shqiponjave) mund të importohet? Ndërsa të rinjtë shqiptarë ikin në Mbretërinë e Bashkuar për të shërbyer kafe dhe për të pastruar dhoma hoteli, të rinjtë e Xhakartës dhe Manilës vijnë në Tiranë për të bërë të njëjtën gjë.
Quid pro quo. Kokë për kokë!
Eshtë për të ardhur keq që altruizmi i Shqipërisë, keqlexohet dhe keqkuptohet. Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) sapo publikoi një raport tronditës: Shqipëria dhe Moldavia janë vendet më të prirura për emigrim në Evropë.
Me 40% të fuqisë punëtore të Shqipërisë që tani punon në vende të tjera, shumëkush mund të mendojë se vendi është në prag të kolapsit. Por ky pesimizëm nuk e kap thelbin. Rasti klasik i gjësë që ti sheh, por ajo nuk është ashtu si ti e sheh. Shqipëria nuk po vuan; ajo po vetësakrifikohet për të mirën e kontinentit dhe globit.
Le të imagjinojmë, për një moment, një botë pa bujarinë e Shqipërisë. Pubet e Mbretërisë së Bashkuar do të ishin bosh, të moshuarit në Gjermani do të mbeteshin pa kujdes dhe kantieret e ndërtimit të Milanos do të qëndronin të shkreta.
Të rinjtë e Azisë Juglindore do të mbeteshin në vendet e tyre, duke ëndërruar për një jetë më të mirë që vetëm Shqipëria mund ta ofronte. Kampet e emigrantëve të Shëngjinit do të qëndronin të shkretuar. Ja pra si do të ishte BE dhe Bota nëse një komb si Shqipëria do të tërhiqej nga përgjegjësitë globale.
Udhëheqësi i Shqipërisë, natyrisht, e di mirë çfarë do të thotë përgjegjësi globale. Ai e kupton se për të shpëtuar Evropën, për të shpëtuar botën, duhet të bëjmë sakrifica. Dhe kështu, me vendosmëri, ne vijojmë të zbrazin spitalet, shkollat, shtëpitë, fshatrat, qytetet duke dërguar qindra mijëra shqiptarë për të luftuar krizën ekonomike dhe rënien demografike të BE-së.
Ne në anën tjetër ftojmë të papunët e Azisë, duke u ofruar atyre mundësi që më parë as në ëndërr nuk i shihnin.
Në këtë mision fisnik, Shqipëria është bërë shtylla kryesore e stabilitetit global, në një kohë që bota dhe veçanërisht fuqitë e mëdha e kanë humbur fillin duke u marrë me luftën në Ukrainë dhe Gaza.
Kështu që, herën tjetër kur të lexoni artikuj si ai bazuar mbi informacionet e IOM, për emigracionin e lartë të Shqipërisë apo statistika të INSTAT për tkurrjen e popullisë mos bëni gabim të përmendi ose mendoni fjalën krizë. Nuk është krizë është kontribut. Dhe pak rëndësi ka nëse na e njeh bota këtë kontribut.
E rëndësishme është që dje sakrifikonim për revolucionin proletar boteror, sot për fitoret e kapitalizmit rajonal, kontinental e global!