Lideri i opozitës, Sali Berisha ftoi qytetarët të ngrihen në protestë të enjten para bashkisë së kryeqytetit, kundër një hajduti që Tirana nuk e ka njohur kurrë më parë.
Sipas Berishës, Veliaj meriton të varet në atë që e cilësoi, shtyllën e turpit të historisë, për shkak të vjedhjeve të vazhdueshme që u ka bërë taksapaguesve të Tiranës.
Berisha tha se protesta e së enjtes duhet të dëshmojë shpirtin e pamposhtur qytetar, vendosmërinë drejt fitores, qeverisë teknike, zgjedhjeve të lira, ndryshimit të pushtetit dhe fitores së opozitës.
Berisha: Nesër tek bashkia është protesta te bashkia kundër njërit prej hajdutëve më të shpërfytyruar të kohërave, hajdut që Tirana nuk e ka njohur kurrë më parë. Kundër një njeriu që vjedhjen, plaçkitjen ka moral, pasurimin me vjedhjen e ka ideal, fjalën e ka mashtrim.
Ai meriton përzenien për zverku nga bashkia, varjen në shtyllën e turpit të historisë!
Ndaj edhe ju bëj thirrje mbarë qytetarëve të Tiranës, nesër të gjithë tek bashkia në një protestë në të cilën ne duhet të dëshmojmë shpirtin e pamposhtur qytetar, vendosmërinë tonë në duar të sigurta drejt fitores, qeverisë teknike, zgjedhjeve të lira, ndryshimit të pushtetit, fitores së opozitës.
Rrofshi ju, rroftë Shqipëria! Fitore, fitore, fitore!
Gazeta RD