Dëshmia në Hagë: Më rrëmbyen njerëz të UÇK-së dhe më torturuan se isha me LDK

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 83-të i Zyrës së Prokurorisë së Specializuar (ZPS), Imer Imeri i cili mbanë kodin 04735 në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Pyetjet për këtë dëshmitar i ka filluar përfaqësuesja e ZPS-së, prokurorja Vega Iodice e cila sipas përmbledhjes se lexuar në sallën e gjyqit, ky dëshmitar ishte rrëmbyer nga anëtarët e UÇK-së me maska dhe ishte mbajtur i ndaluar në Shqipëri, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Dëshmitari 04735 është shqiptar i Kosovës që është rrëmbyer në Kosovë nga ushtarët e UÇK-së me maska sepse ishte përkrahës i LDK-së dhe e kanë mbajtur në kazermën ushtarake të UÇK-së në Shqipëri dhe e kanë rrahur ushtarët e UÇK-së. Ai ka qenë në kushte të këqija sanitare edhe ka parë se si janë keqtrajtuar persona të tjerë që kanë qenë të ndaluar ma të”, tha prokurorja Iodice.

Ajo tha se më pas dëshmitari ishte liruar por që iu ishte kërkuar që të mos i tregonte askujt.

“Rreth mesit të qershorit 1999, dëshmitari 04735 u transferua në Prizren ku u mbajt i ndaluar për disa ditë bashke me disa të tjerë ku përfshiheshin serb edhe romë përpara se ta lironin anëtarët e UÇK-së të cilit i kërkuan që të mos tregonte askujt se e kishin mbajtur të ndaluar”, tha prokurorja.

Ndryshe, dëshmitari tha se qëndron prapa deklaratave që i ka dhënë më herët përpara autoriteteve të drejtësisë dhe se është e vërtetë ajo se çfarë ka thënë.

Dëshmia e këtij dëshmitari pritet të zgjasë dy ditë e që një orë e gjysmë janë ndarë për ZPS-së, mbrojtësi i viktimave rreth 15 minuta dhe ekipet e mbrojtjes rreth shtatë orë.

Paraprakisht, kryetari i trupit gjykues tha se do të flasin lidhur me dy çështje që sipas tij e para ka të bëjë me kërkesën e mbrojtësit të viktimave për t’i bërë pyetje dëshmitarit për çka mbrojtja e të akuzuarve e ka kundërshtuar.

Lidhur me këtë, Charles Smith III tha se do të marrë vendim pasi prokuroria t’i përfundojë pyetjet e veta.

Sa i takon kësaj pjese, mbrojtja e Thaçit përmes avokatit Luka Mishetiq, tha se ata nuk e kanë kundërshtuar kërkesën por kanë thënë që mbase do të kenë kundërshtime për çka do ta japin më vonë qëndrimin e tyre.

Me kaq seanca kaloi në sesion privat për mbrojtjen e identitetit të dëshmuarit dhe për t’u diskutuar një çështje në praninë e tij

Po ashtu, vlen të theksohet se të gjithë të akuzuarit janë të pranishëm në sallën e gjyqit. Ndërsa, të gjitha deklaratat e dëshmitarit të dhëna më herët përpara autoriteteve të drejtësisë u pranuan në prova gjyqësore duke përfshirë edhe ato të dhëna në gjykimin ndaj Sabit Gecit në 2011-ën dhe Xhemshit Krasnqiit në 2016-ën.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

About Krye Redaktor

Check Also

Scholz shkarkohet në Bundestag, të djathtët drejt fitores së zgjedhjeve me 23 shkurt në Gjermani

Kancelari Olaf Scholz humbi votë-besimin në parlamentin gjerman të hënën, duke e çuar shtetin me …