Rama ia arriti qëllimit të tij, lirohet Fredi Beleri

Fredi Beleri ka fituar lirinë rreth një muaj pasi u mbajtën zgjedhjet e reja në Himarë, ku kandidati i PS-së, Vangjel Tavo, u shpall fitues.

Eurodeputetit i mbeteshin edhe 6 javë për të kryer dënimin.

Lajmin e lirimit të eurodeputetit e ka konfirmuar avokati i tij, Geni Gjyzari i cila tha për mediat: “E pranoi kërkesën gjykata, urdhëroi lirimin para kohe, i mbeteshin  edhe 6 javë, respekte për gjykatën, lirimi para kohe me kusht, dy muaj i kishin mbetur. Pronari që i ka çelësat e burgut dha leje pas zgjedhjeve që të dali”.

Beleri u paraqit ditën e sotme në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier dhe kërkoi lirimin me kusht.

Tre seancat e mëparshme kishin dështuar për shkak të mungesës së dokumentacionit të nevojshëm.

Fredi Beleri u zgjodh në qershor të këtij viti në postin e deputetit të Parlamentitn Europian nga partia “Demokracia e Re” e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis. Ai arriti të merrte 237 mijë vota, duke qenë eurodeputeti i katërt më i votuar në shtetin helen.

Në kohën kur u zhvilluan zgjedhjet, ai ndodhej në burg, i arrestuar që më datë 12 maj 2023, dy ditë para zgjedhjeve lokale, teksa kandidonte për kreun e Bashkisë së Himarës. Ai u dënua me dy vite burg nga Gjykata e Posaçme e Apelit, duke e shpallur fajtor për krime zgjedhore, teksa mandati i tij i fituar u shpall i pavlefshëm nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve.

Gjatë çdo seance, Fredi Beleri e ka konsideruar arrestimin dhe dënimin e tij si politik, teksa ka akuzuar Prokurorinë se ka sajuar faktet dhe provat kundër tij.

Beleri akuzon për kapjen e shtetit të çdo institucion, teksa sipas Belerit, edhe KQZ e mori vendimin kundër pa bazë ligjore, teksa e ka ankimuar në KAS.

Burgosja e Belerit u parapri nga sulme të forta nga kryeministri Rama në fushatë, ku ai paralajmëroi se do të merrej personalisht me kandidatin e PBDNJ-së në Himarë. Për të çuar para porosinë e Ramës u angazhuan forcat operacionale të policisë, prokuroria dhe gjykata e Vlorës dhe më vonë SPAK dhe GJKKO që e mbajtën në burg kandidatin e opozitës, edhe pse i infiltruari pranoi se ishte paguar nga policia për të përgjuar Belerin.

Arrestimi i Fredi Belerit shkaktoi tensione të ashpra mes Athinës dhe Tiranës, ku Greqia e ka konsideruar si një arrestim politik, po ashtu edhe si opozita në vendin tonë. Fredi Beleri u bë i vetmi kandidat në Shqipëri që zgjidhej në një post publik ndërsa ishte në qeli.

About Redaksia

Check Also

Kush ishte ministri/ Pse Rama nuk e mohon takimin qeveritar me kartelet në Aruba

Sali BERISHA Jam këtu për të dënuar me forcën më të madhe terrorin e narkoqeverisë …